Një Gjykatë në Prizren i caktoi të mërkurën masën e paraburgimit prej 30 ditësh një serbi të dyshuar për krime luftë gjatë viteve 1998-1999.
Në një njoftim të gjykatës në Prizren thuhet se dyshohet që Bogdan Mitroviç, ishte pjesë e forcave serbe që kryen krime lufte kundër popullsisë civile, më 2 prill të vitit 1999, në fshatin Sopi të komunës së Suharekës (rreth 60 kilometra në jugperëndim të Prishtinës), ku qenë vrarë 32 civilë të paarmatosur”.
I dyshuari ka shtetësi të Kosovës dhe të Serbisë, ndërsa gjykata tha se ai do të mbahet në paraburgim meqë vendndodhja e tij nuk ishte e ditur deri në arrestimin e tij.
Ai është arrestuar të hënën derisa më një grup qytetarësh serbë po vizitonin pronat e tyre në fshatin Mushtisht të komunës së Suharekës.
Arrestimi i tij nxiti reagime të rrepta në Serbi ku zyrtarët e atjeshëm thanë se kjo është trysni mbi serbët dhe mesazh që ata të mos provojnë të kthehen në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se këtë çështje do ta shtrojë edhe në Bruksel në takimin e radhës më presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe zyrtarët evropianë.
Kosova doli nga lufta më mbi 10 mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur. Në ditë ndërkombëtare për të zhdukurit mbetet ende e paqartë se cili është fati i rreth 1 mijë e 600 qytetarëve të saj, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare. (voa)