Policia e Kosovës tha se ka ndaluar një numër zyrtarësh policor dhe disa qytetarë në një operacion në disa komuna në Kosovë dhe është përballur me rezistencë të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe, me ç’rast një pjesëtar i policisë është plagosur lehtë.
Miradije Kelmendi, nga Inspektorati Policor i Kosovës tha se gjatë operacionit janë kryer 12 bastisje dhe “janë arrestuar 19 punonjës të Policisë së Kosovës, prej tyre 11 të nacionalitetit serb, 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë. Nga ta njëri është i gradës së kapitenit, 3 rreshterë dhe të tjerët zyrtarë policorë. Janë konfiskuar gjëra të ndryshme ilegale që do të shërbejnë si provë materiale në procedurat penale si armë, pajisje teknologjike dhe sasi parash. Zyrtarët janë ndaluar për 48 orë dhe si pjesë e procedurës administrative janë pezulluar nga detyra”.
Prokurori i Posaçëm i Kosovës, Sylë Hoxha tha se “që në prill të vitit të kaluar i ka filluar veprimet procedurale ndaj disa personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për veprën penale të krimit të organizuar, për veprën penale të kontrabandimit me mallra, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti e kështu me radhë”.
Policia tha se operacioni u shtri në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj dhe Drenas dhe deri tash janë arrestuar disa qytetarë disa zyrtarë policorë të përkatësive të ndryshme kombëtare si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar.
“Policia e Kosovës, përveç hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, ka hasur edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç’rast është detyruar të përdorë mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor”, thuhet në njoftimin e policisë sipas së cilës për shkak të pengesave ka shoqëruar edhe disa qytetarë të përfshirë në këto raste.
Policia tha se një pjesëtar i saj është plagosur lehtë në këmbë, ndërsa 4 të tjerë kanë pësuar lëndime gjatë operacionit. Po ashtu, policia tha se gjashtë qytetarë janë lënduar gjatë operacionit
Grupe qytetarësh serbë dolën në rrugë pas operacionit, ndërsa autoritetet serbe në Beograd thanë se operacioni ka për qëllim të frikësojë popullatën serbe.
Mediet ne Beograd thanë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka urdhëruar që ushtria dhe policia të jenë në gjendje gatishmërie dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtare që të ndërhyjë për të “frenuar Prishtinën”.
Një natë më parë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë një fjalimi në parlamentin serb pranoi që Beogradi e ka humbur kontrollin mbi Kosovën, por paralajmëroi se Serbia do të reagojë nëse shqiptarët sulmojnë serbët në Kosovë.
Të martën ai tha në parlamentin serb që “nëse ndodhë të rrezikohet rendi dhe jetët e njerëzve në veriun e Kosovës, ushtria jonë do të mbrojë popullin tonë”, ndërsa kritikoi komunitetin ndërkombëtarë për qasjen ndaj operacionit të policisë së Kosovës.
Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë ndërkaq se ky “është vetëm një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës. Për shkak të ndjeshmërisë politike, komandanti KFOR-it fton të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa përdorimin e forcës. Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar. KFOR-i vazhdon të vëzhgojë situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë, nëse i kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha komunitetet, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në një njoftim të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se “gjatë përpjekjeve për largimin e barrikadave dhe për të arritur të lokacionet që i kemi pasur në plan për bastisje, në njërën nga barrikadat ka qenë edhe një veturë e OKB-së dhe në të ka qenë një zyrtar i OKB-së me prejardhje nga Rusia dhe një zyrtar lokal që punon po për OKB-në. Kjo është edhe arsyeja që ne i kemi shoqëruar në polici”.
Të dy punonjësit e UNMIK-ut në orët e pasdites janë lënë të lirë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetet sociale se “institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Shpreh keqardhjen time për plagosjen e policit tonë në krye të detyrës dhe i uroj shërim sa më të shpejt. Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave. Operacioni i sotëm policor është në të mirë të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim dhe ftoj komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe ta përkrah luftën kundër krimit të organizuar. Forcimi i rendit dhe ligjit është jetik për barazinë e gjithë qytetarëve dhe përshpejton lëvizjen tonë drejt procesit të integrimeve euroatlantike!”, shkroi ai.
Në një paraqitje para gazetarëve, presidenti Thaçi i cilësi si veprime për nevoja të brendshme politike paralajmërimet e presidentit serb për ndërhyrje në rast të rrezikimit të serbëve të Kosovës.
“Është një deklaratë populiste, një deklaratë që kryesisht ka parasysh opinionin e brendshëm në Serbi, presidenti i Serbisë Vuçiç e di shumë mirë se nuk mund të lëvizë në drejtim të Kosovës, diçka që është e pamundur dhe e pa imagjinueshme dhe edhe vet ai është i bindur, por në çdo rast institucionet e Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës janë në gjendje gatishmërie”, tha presidenti Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se operacioni është i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale. Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë. Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin!”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Sipas kryeministrit Haradinaj, “forcimi i sundimit të ligjit është në interesin e Kosovës dhe rajonit dhe krimi i organizuar e kontrabanda janë kërcënim për përparimin, prandaj nuk duhet të mbështeten në baza etnike. Qeveria e Serbisë, nuk duhet të pengojë përpjekjet për t’i luftuar ato”, tha ai.
voa