Opozita nuk i ka dorëzuar mandatet

parlamenti ksPartitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, ende nuk kanë një vendim të prerë nëse do ta braktisin përfundimisht Kuvendin e Kosovës.

Aktualisht, ka një ide që të braktisen seancat dhe të shkohet vetëm në seancën në të cilën eventualisht do të shpërndahej Kuvendi dhe do të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme.

Bisedimet lidhur me vendimin final pritet të vazhdojnë edhe me tej, thonë në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se liderët e partive politike janë duke u konsultuar për harmonizimin e qëndrimeve për t’i dhënë fund pjesëmarrjes në seancat e Kuvendit të Kosovës.

“Do të zhvillohen takime mes partive politike, të cilat mendoj se do të marrin vendim që më të mos shkohet në seanca”, ka thënë Isufi.

Edhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka deklaruar se vazhdimi i përdorimit të gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit është i panevojshëm.

Limaj një ditë më parë, tha para gazetarëve se gazit lotsjellës i ka ardhur fundi dhe se opozita do të gjejë forma të tjera për të ofruar një shpresë që, sipas tij, po e presin qytetarët.

“Ne jemi duke biseduar deri sa të kemi një qëndrim të përbashkët si opozitë. Ne jemi duke bashkëpunuar”, ka deklaruar ai.

Kauza e përbashkët e opozitës, sipas kryetarit të partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, është largimi i qeverisë aktuale dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme.

“Në emër të kësaj kauze do të gjendet gjuha e përbashkët. Ky është regjmi totalitar dhe në regjime totalitare nuk ka vend për zëra opozitarë”, ka deklaruar Limaj.

Ndërkohë, në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se aktualisht nuk ka një qëndrim lidhur me largimin ose jo të opozitës nga Kuvendi.

“Ende nuk kemi vendim të përbashkët si opozitë e bashkuar për diçka të tillë. Janë diskutuar gjërë e gjatë mendime e qëndrime rreth asaj se si duhet vazhduar protestën tonë brenda institucioneve”.

“Në anën tjetër, opozita e bashkuar vazhdon të konsolidohet në terren dhe po punon vazhdimisht për protestën e 26 marsit”, ka thënë Adonis Tahiri nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes një përgjigjeje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

“Kështu siç jemi, ne opozita e bashkuar, bashkë me përfaqësues të shoqërisë civile, dhe me mbështetjen popullore qe po rritet, nuk do të ndalemi deri në anulimin e marrëveshjeve të 25 dhe 26 gushtit dhe deri në largimin e kësaj qeverie antikushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Tahirit.

Në anën tjetër, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se ideja për dorëzimin e mandateve të deputetëve nga opozita ka dalë nga AAK-ja dhe Nisma për Kosovën dhe se sipas tij, propozimi ka filluar të përkrahet dhe nga Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti më i madh opozitar.

“Vetëvendosja është parë të enjten se është bashkë me këto iniciativa dhe në një të ardhme, do të jemi aty vetëm në seancën në të cilën do të thirret parlamenti që të shpërndahet dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme”, është shprehur Isufi.

Ndryshe, përfaqësuesit e partive politike në opozitë thonë se janë unikë në synimet e tyre për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë aktuale.

Seanca e së enjtes në Kuvendin e Kosovës e cila ishte e para që nga zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës Hashim Thaçi, ka kaluar me zhurmë, si dhe hedhje të gazit lotsjellës nga opozita.

Subjektet politike në opozitë, kanë nisur protestat e tyre në Kuvend dhe jashtë tij, duke kundërshtuar Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ata thonë se ato marrëveshje janë të dëmshme për tërësinë territoriale të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka dhënë interpretimin e saj mbi kushtetutshmërinë e Marrëveshjes për Asociacionin duke thënë se disa pjesë të saj nuk janë në harmoni me Kushtetutën.

Opozita ka paralajmëruar për 26 mars mbajtjen e një proteste për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë, kurse përfaqësuesit e qeverisë po kërkojnë nga opozita që shqetësimet e saj t’i debatojë në institucione. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>