Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po zhvillon vizitën e saj të parë zyrtare në Berlin. Të martën u prit nga presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Në ditën e parë të vizitës së saj treditore në Berlin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit zyrtarisht nga presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier. “Me Presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, z. Frank-Walter Steinmeier diskutuam për raportet ndërmjet dy vendeve tona, të cilat kanë qenë dhe do të mbeten përherë strategjike”, shkroi Vjosa Osmani në një postim në Facebook.
Osmani shkroi më tej se kishte falënderuar presidentin Steinmeier për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë “në ditë të mira dhe ato të vështira e në veçanti për mbështetjen drejt konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë”. Osmani shkruan më tej se në bisedë me Steinmeierin ka theksuar edhe “nevojën e madhe për vazhdimin e kësaj mbështetje në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, sigurimin e njohjeve të reja, si dhe për liberalizim të vizave”.
BE-ja dhe Procesi i Berlinit pa alternativë
Në postimin e saj në rrjetet sociale Osmani ritheksoi qëndrimin e Kosovës ndaj Procesit të Berlinit: “Potencova se çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Berlinit, duke minuar parimin e pjesëmarrjes së barabartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do ta ketë mbështetjen e Republikës së Kosovës”, shkruan Osmani.
Vizita e Osmanit ndodh në një kohë kur Gjermania e kancelarja Merkel është duke u përpjekur të gjejë një zgjidhje, në mënyrë që deri më datën 6 tetor të këtij viti, në samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor, që këtë radhë do të zhvillohet në Slloveni, të finalizohen katër marrëveshjet që parashikojnë lëvizjen e lirë të mallrave, të qytetarëve me karta identiteti, udhëtimet ne vendet e treta dhe njohjen e diplomave reciproke.
Gjermania po punon për Tregun e Përbashkët Rajonal
Pak para se në Kështjellën Bellevue do të fillonte ceremonia e pritjes nga presidenti Frank-Walter Steinmeier, në Tiranë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ishte takuar me homologun e saj nga Kosova, Albin Kurti. Merkel, e cila të hënën dhe të martën bëri turneun e lamtumirës në Ballkan, pati takime dypalëshe me të gjithë liderët e rajonit.
Kurti tha në përfundim të takimit me kancelaren Merkel, se “arsyeja se përse nuk i kemi këto marrëveshje sot është për shkak se Serbia ka refuzuar që në tekst të figurojnë fjalët si “kufi”, “territor”, “shtet”, “vend”, “qeveri”, meqenëse ajo konsideron që këto aludojnë me shtetësinë e Kosovës”. Kryeministri i Kosovës tha më tej se do të shihet se a do të miratohen këto marrëveshje deri më 6 tetor. Marrëveshjet në fjalë janë në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, për të cilin janë zotuar të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si në Sofje, në samitin e vitit 2020, ashtu edhe në Samitin Virtual të Berlinit, më 5 korrik 2021.
Takim me dyer të mbyllura me Maas
Osmani pati në mbrëmje edhe një takim me përfaqësues të diasporës, në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Berlin. Të mërkurën ajo do të zhvillojë një diskutim me ambasadorin gjerman, Wolfgang Ischinger, në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë, dhe më pas do të takohet me ministrin gjerman të punëve të jashtme, Heiko Maas.
Takimi me ministrin Maas, ashtu si edhe ai me presidentin Steinmeier, do të jetë me dyer të mbyllura, i tha DW-së një zëdhënës i Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme. Në Berlin Osmani do të ketë takime edhe me përfaqësues të shkencës dhe Rrjetit të Bizneseve Gjermane.
dw