Paralajmërohet edhe një seancë plot tensione

kuvendi i ksEdhe një seancë me plot tensione e fërkime politike po paralajmërohet për të hënën, kur kryesia e Kuvendit të Kosovës ka thirrur mbajtjen e saj.

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma insistojnë se nuk do të lejojnë punën normale të Kuvendit pa plotësimin e kërkesave të tyre.

Këto kërkesa kanë të bëjnë me anulimin e marrëveshjes që kryeministri dhe Qeveria e Kosovës kanë nënshkruar me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin.

Përderisa, partitë në pushtet thonë se janë të vendosura që të vazhdojnë punën e Kuvendit, me çka kanë bërë me dije se sërish në Kuvend mund të futet policia, kurse rreth ndërtesës njësitë speciale.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u është bashkuar thirrjeve drejtuar opozitës që të mos pengojë dhunshëm mbajtjen e seancave, duke kërkuar që debati dhe pakënaqësitë të shprehen përmes institucioneve.

Nga 23 pikat e parapara për seancën e radhës, një prej tyre është edhe miratimi i dytë i Ligjit për Buxhetin e vitit 2016.

“I bëj ftesë serioze opozitës që të vjen në seancë, të marrë pjesë në seancë. Në asnjë moment qëllimi i im si kryetar e as i kryesisë së Kuvendit nuk ka qenë dhe nuk është që të përjashtohet dikush nga opozita për arsye se vërtetë as për ne si kolegë deputetë nuk është ndonjë ndjenjë e mirë kjo”, ka thënë Veseli.

Ndërkohë, subjektet opozitare janë marrë vesh sërish që në format e tyre, të pengojnë edhe seancën e caktuar për të hënën.

Paraprakisht, opozita ka thirrur një tubim kundërshtues ndaj marrëveshjeve të Qeverisë së Kosovës me Serbinë për Asociacionin dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin, i cili do të mbahet të shtunën në Gjilan.

Kurse të hënën, sipas deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti,veprimet e opozitës do të jenë të orientuara kah moslejimi i punimeve të Kuvendit, deri në zhbërjen e marrëveshjeve.

“Ne do të vazhdojmë t’i intensifikojmë veprimet tona duke i mobilizuar edhe qytetarët në kundërshtimin tonë që nënkupton se do të ketë edhe protesta. Ne do të veprojmë në përputhje me mandatin tonë, sepse ne nuk jemi të zgjedhurit e kryesisë së Kuvendit e as të shumicës parlamentare, por jemi të zgjedhurit e qytetarëve të cilët na i kanë besuar votat për të qenë në sallën e Kuvendit dhe ne do të insistojmë që të hyjmë sa herë që ka seancë”, ka thënë Dërguti.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, në fund të vitit, Kuvendit zakonisht i drejtohet me një fjalim vjetor edhe presidenti, në këtë rast presidentja e vendit.

Por, kësaj radhe, mbetet ende nën pikëpyetje nëse presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga do të flas para deputetëve, për shkak të sjelljeve të opozitës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk sheh shumë arsye që fjalimi të mbahet.

“Sa i përket fjalimit të presidentes ende nuk kemi vendosur, por mendoj se s’ka kuptim fjalimi nëse marrëveshjet nuk janë anuluar”, ka theksuar Haradinaj.

Në kundërshtim të marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin, opozita për më gjatë se dy muaj ka bllokuar apo ka tentuar të bllokojë punën e Kuvendit të Kosovës, duke përdorur edhe gazin lotsjellës në sallën e seancave si dhe ka organizuar protesta në rrugë, të cilat në disa raste përfunduan në dhunë.

Si pasojë e këtyre veprimeve, janë 8 deputetë të opozitës ndaj të cilëve po zhvillohen procedura ligjore. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>