Parlamenti debaton në Prishtinë – Thaçi bisedon me Serbinë në Bjellorusi

kuvendi ksPartitë politike në parlamentin e Kosovës dështuan të enjten të harmonizojnë një rezolutë rreth bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, rreth së cilës diskutuan gjatë tërë ditës së mërkurë.

Në tekstin e rezolutës së propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila mori 50 vota dhe rrjedhimisht nuk u miratua, thuhet se “Kuvendi i Kosovës rithekson se kushtetuta e Kosovës, sovraniteti, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar janë të pacenueshme. As presidenti dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të diskutoj për territorin”.

Paraditen e së enjtes grupet parlamentare nuk arritën të pajtohen edhe për disa pika të propozuara nga partitë në pushtet për rezolutën e cila pasoi seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, lidhur me, siç thuhet, angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjimit të kufijve” në bisedimet Kosovë Serbi.

“Këta ankohen pse po shkon presidenti në Bruksel. Vet këta me këtë kryeneqësi po ia mundësojnë presidentit të shkojë vetë në Bruksel, me mandatin kushtetues që e ka, sepse nuk po krijohet mundësia të krijohet një komision i parlamentit që ta mbikëqyr dialogun e as t’i japim dritën e gjelbër qeverisë të vazhdojë me obligimet kushtetuese”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Memli Krasniqi.

Çështja e kufijve të Kosovës me Serbinë, është diskutuar ndërkaq në një konferencë për sigurinë në Minsk të Bjellorusisë, ku morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiç.

Organizatori i konferencës shkroi në twitter se presidenti Thaçi dhe kryeministrja Bërnabiç, “nënvizuan se një shkëmbim shumë i diskutuar i territoreve është vetëm një element i një pakoje më të gjerë diskutimesh dhe se nuk do të hapte kutinë e Pandorës nëse një marrëveshje e tillë do të bazohej në vendimet e të dyja qeverive”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve, përfshirë edhe mundësinë e prekjes së kufijve.

Këto ide nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në pjesët tjera të rajonit, që ende nuk është rimëkëmbur nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Gjermania ishte më e zëshmja kundër ideve të tilla.

Kryetari i Konferencës së Sigurisë të Munihut, Wolfgang Ischinger, shkroi në rrjetet sociale se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, kritikuan qëndrimin gjerman.

Por, presidenti Thaçi mohoi një gjë të tillë. Ai publikoi në rrjetet sociale fjalimin e tij ndërsa theksoi se “Gjermania është aleat strategjik i Republikës së Kosovës. Besoj, sot, sikurse kam besuar gjithmonë, se nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme në Ballkan pa mbështetjen edhe të Gjermanisë. Berlini është porta e Kosovës dhe e rajonit për integrim në BE. Kritikat negative për Gjermaninë nuk mund të më atribuohen mua”, shkroi ai.

Në fjalimin e tij të mërkurën ai tha se janë duke u shqyrtuar të gjitha idetë, por ende nuk ka asnjë marrëveshje. Ai tha se nuk do të ketë kufij përgjatë vijave etnike, nuk do të ketë shkëmbim të popullatës në mes të dy vendeve dhe do të ruhet shpirti shumetnik dhe realiteti i Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka përsëritur për muaj të tërë se angazhohet për korrigjim kufiri që nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptarë në jug të Serbisë, me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, theksoi të mërkurën se ideja e tij për vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, nuk është pritur mirë në Serbi dhe se për këtë arsye nuk ka dhënë hollësi rreth kësaj ideje duke e ditur reagimin e opinionit serb. Kufizimi ndërmjet dy popujve nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës, përkatësisht që veriu i saj me shumicë serbe t’i bashkohet Serbisë.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimet në Bashkimin Evropian, i cili edhe ndërmjetëson bisedimet. Por, ndonëse ishte thënë se vjeshta mund të shënojë një periudhë takimesh të ngjeshura ndërmjet të dyja palëve, takimi i fillimit të shtatorit dështoi dhe tash për tash nuk ka asnjë lëvizje nga Brukseli.

Opozita në Kosovë ka ngritur dyshimin që presidenti Thaçi në Francë do të diskutojë për kufijtë e Kosovës, gjatë manifestimeve me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ku pritet të marr pjesë edhe presidenti i Serbisë. Presidenti Thaçi e ka hedhur poshtë çdo mundësi që të bisedohet në Paris, ndërsa presidenti serb, Vuçiç, tha të mërkurën se mund të ketë një takim me praninë e zyrtarëve të lartë perëndimorë, por nuk pritet të ketë asgjë me peshë në Francë.

Të dy presidentët pohojnë se janë larg ndonjë marrëveshjeje dhe nuk kanë pranuar të thonë nëse tashmë kanë hedhur në letër idetë që një pjesë e veriut të Kosovës, të shkëmbehet me një pjesë të luginës së Preshevës.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>