Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thanë sot që nëse Prishtina dhe perëndimi nuk e themelojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe deri më 20 prill, atëherë do ta bëjnë ata vet.
Kjo u tha në një takim të kryetarëve dhe deputetëve të dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila u mbajt në veriun e Mitrovicës, dy ditë pasi që policia e Kosovës ndërhyri duke arrestuar zyrtarin e qeverisë serbe, Marko Gjuriç, të cilin e dëboi më pas për në Serbi. Ndërhyrja nxiti reagimin e ashpër të Beogradit si dhe vendimin e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës për t’u tërhequr nga qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Në takim u kërkua që siç thuhet, për shkak të dhunës së përdorur të hënën, gjatë arrestimit të Marko Gjuriçit, të japin dorëheqje ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i Policisë së Kosovës.
Ministri i deritashëm i pushtetit lokal në qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviç, tha se asociacioni i komunave me shumicë serbe ‘është çështje politike kulmore dhe detyrim ndërkombëtar’.
“Nëse Perëndimi dhe Prishtina nuk dëshirojnë ta formojnë Bashkësinë e komunave serbe, ne e kemi të drejtën e plotë legjitime që vetë ta marrin fatin në duar tonë dhe ta formojmë Bashkësinë e komunave serbe”, tha ai.
Por, në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zyra e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ultimatumi është qasje e gabuar dhe se vetëm dialogu është zgjidhje për këtë çështje. “Asnjë nismë e cila nuk është e bazuar në ligjet dhe procedurat demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të zbatohet dhe nuk do të respektohet”, thuhet në deklaratën e qeverisë e cila thekson se asociacioni është detyrim që Kosova e ka marrë në procesin e Brukselit dhe do të zbatohet në të ardhmen e afërt.
Të hënën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ishte pajtuar më udhëheqësit tjerë të institucioneve të Kosovës për ta krijuar një Grup Punues të gjerë institucional, për hartimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Njohës të çështjeve politike në Kosovë po e vlerësojnë si të rrezikshme idenë e Listës Serbe që ta formojë asociacionin në mënyrë të një anshme. Analisti Rrahman Paçarizi, i tha Zërit të Amerikës se tendenca e listës serbe për të themeluar këtë asociacion pa bashkëpunuar me institucionet e Kosovës është një provokim ndaj shtetit të Kosovës.
“Pavarësisht se me këtë veprim cenohet rendi kushtetues i shtetit të Kosovës, institucionet e Kosovës duhet të tregohen të matura dhe të mos i përgjigjen këtij provokimi apo të mos luftojnë me armët të cilat ua ofron Beogradi zyrtar për ta tensionuar situatën, për ta krijuar pastaj një gjendje reale apo një punë të kryer, në të cilën pastaj serbët do të mund të organizoheshin me mbështetjen e Beogradit dhe do të bënin përpjekje që të njihet situata e krijuar në terren si një realitet”.
Zoti Paçarizi thotë se në fakt vet dalja e listës serbe nga qeveria e Kosovës ishte një arsyetim për t’iu qasur themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Në këtë kuptim lista serbe ka dalë nga qeveria dhe tash do të përpiqet të organizohet përmes asociacionit të komunave, qoftë për konsum të brendshëm, qoftë për t’i bërë presion qeverisë së Kosovës që të nisë sa më shpejtë procesin e themelimit të këtij asociacioni, gjë që qeveria e Kosovës do ta ketë shumë të vështirë sepse sapo ka kaluar nëpër një proces të vështirë të ratifikimit të demarkacionit ku lista serbe nuk ka qenë aspak bashkëpunuese”, thotë zoti Paçarizi.
Marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumice serbe është pjesë e marrëveshjeve të arritura në prill të vitit 2013 në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Çështja e asociacionit ishte pjesa më e vështirë e bisedimeve për shkak të qëndrimeve të ndryshme të palëve. Autoritetet në Prishtinë thanë se komunat mund të ndihmojnë njëra tjetrën në fushat e shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik e të ngjashme.
Ndërsa Beogradi tha se “bashkësia e komunave serbe do të ketë kryetarin, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën dhe flamurin dhe do të ketë përgjegjësi të gjera. Ajo do të vendosë për shëndetësinë, arsimin, planifikimin urban e rural dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa Serbia ka të drejtë ta financojë atë pa taksa”.
Në dhjetor të vitit 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se pjesë të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.
Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, pas një periudhe tensionesh të brendshme politike për shkak të kundërshtimit nga ana e partive opozitare të cilat bllokuan punën e parlamentit duke theksuar se marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dëmton shtetin e Kosovës. (voa)