Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën “PISA”, ka radhitur Kosovën në vendin e 68-të në mesin e 72 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi.
“PISA”, studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim ka bërë vlerësimin për njohuritë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë.
Kosova është pjesë e këtij vlerësimi ndërkombëtar për herë të parë, ku janë përfshirë 28 komuna, 225 shkolla dhe 5.161 nxënës.
Në prezantimin e këtyre rezultateve, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami, ka thënë se kanë qenë rezultate të papritura dhe janë duke punuar në përmirësimin e kësaj gjendjeje në arsim.
“Kemi shumë nevojë për të përmirësuar në shumë segmente arsimin, fillimisht për të zënë hapin që të jemi të krahasueshëm me shtetet e rajonit. Por, unë jam i sigurt që në vitin 2018, kur t’i kemi rezultatet e para të punës tonë dy vjeçare, ne do të krahasohemi me shtetet e Bashkimit Evropian”, thekson ministri Bajrami.
Sidoqoftë, për ekspertët e arsimit në Kosovë, ky vlerësim ndërkombëtar që i është bërë nivelit të arsimit në Kosovë, tregon se Kosova nuk ka mundësi të ketë një perspektivë të mirë.
Ata thonë se rezultatet e testit “Pisa”, tregojnë se sistemi i arsimit është në krizë.
Udhëheqësi i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, Halim Hyseni, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, gjendjen në arsim e quan alarmante.
“Ky është një rezultat që për mua ka qenë i pritshëm, pasi që sistemi i arsimit në Kosovë është në krizë të thellë dhe mendoj që tani gjendja është argumentuar për një alarm gjithëkombëtar, sepse me këtë vlerësim që është shumë objektiv, Kosova nuk ka mundësi të ketë një perspektivë të mirë”, thekson Hyseni.
“Autoritetet e Kosovës duhet të jenë të shqetësuara për këtë gjendje dhe duhet të merren masa konkrete në përmirësimin e kësaj gjendjeje. Duhet formuar grupe të ekspertëve, të cilët në bazën e këtyre rezultateve që kanë dalë, të hartohet një strategji për daljen e arsimit nga kriza në të cilën është tani arsimi në Kosovë”, thekson Hyseni.
Edhe në të kaluarën, në hulumtimet e bëra për çështjen e arsimit në Kosovë nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, ishte vlerësuar se cilësia e arsimit në Kosovë nuk ishte në nivelin e duhur.
Këta mekanizma kishin kërkuar vazhdimisht nga autoritetet kompetente që të bëjnë një studim mbi gjendjen e arsimit në vend dhe të dihet se ku qëndron mirë ky sektor dhe ku qëndron keq dhe pastaj të bëhen ndryshimet.
Eksperti i arsimit, Jusuf Thaçi, duke komentuar rezultatet e testit “PISA”, flet për një gjendje nën nivelin e dëshiruar të arsimit në Kosovë.
“Ky është një vlerësim ndërkombëtar që mundëson krahasimin edhe me vendet dhe ekonomitë tjera që kanë marrë pjesë në këtë vlerësim. Këtu e shohim ‘lakuriq’ gjendjen e mjerueshme të arsimit në Kosovë jo vetëm për vetveten, por edhe në krahasim me të tjerët”, thekson Thaçi.
Ai shton se përgjegjësit e arsimit në Kosovë nuk janë të vetëdijshëm për gjendjen e mjerueshme të arsimit në vend.
Në botën moderne tregu është global, thotë Thaçi, që sipas tij i bie ose duhet të jesh i krahasueshëm me vendet tjera ose nuk do të mund t’i mbijetosh botës moderne.
“Veçmas vetëdijesimit, institucionet e Kosovës duhet që të caktojnë si kryeprioritet arsimin në kuptimin e mirëfilltë dhe praktikë të fjalës jo vetëm me deklarata siç ka ndodhur që nga paslufta e deri më tani. Duhet të investohet pakursyeshëm në përmirësimin e arsimit, praktikisht në sistemin e arsimit, pasi që konsideroj që ne nuk kemi as sistem të arsimit”, thekson Thaqi.
Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, cilësinë në arsim e ka shpallur si prioritet.
Por, buxheti prej 270 milionë euro i ndarë për sektorin e arsimit për vitin 2016, ishte konsideruar i pamjaftueshëm për të arritur reforma, të cilat do të ndikonin në rritjen e cilësisë. (REL)