Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi intervistohet në Hagë

HTH

Më 24 qershor kjo prokurori publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Para se të hynte në ndërtesën e prokurorisë ai tha se ndodhet në Hagë për të respektuar “atë që kam ëndërruar dhe kam luftuar – Kosovën e pavarur, të bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri shumetnike dhe sundim të ligjit. Jam i gatshëm të përballem me këtë sfidë të re dhe të dal i suksesshëm për djalin tim, familjen time, popullin tim dhe shtetin tim”, tha presidenti Thaçi.

Ai ritheksoi se askush nuk mund ta rishkruajë historinë, ndërsa nënvizoi besimin e tij “në paqe, të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Unë besoj në dialog dhe marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Kosova është histori suksesi, gjë për të cilën jam shumë krenar. E ardhmja e Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha presidenti Thaçi.

Publikimi i akuzave muajin e kaluar nxiti reagime në shkallë të gjerë dhe kritika ndaj prokurorisë, veprimi i së cilës u cilësua nga vëzhgues në Kosovë si politikisht i motivuar.

Njoftimi për akuzat bëri që të anulohet edhe një takim Kosovë – Serbi në Shtëpinë e Bardhë që pritej të mbahej më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell.

Gjykata e Posaçme, që vepron në bazë të ligjeve të Kosovës e që njihet me emrin “Dhomat e Specializuara”, e ka selinë në Hagë. Ngritja e saj u miratua në gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.

Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet rreth pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen në krime të disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë viteve të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Hetimet, sikurse edhe ngritja e gjykatës, janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Mbi 200 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019.

Një vit më parë në prokurorinë e posaçme u thirr edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>