Nuk ka arsye që Kosova të shkojë nga zgjedhjet në zgjedhje, thonë përfaqësuesit e partive politike dhe analistët.
Ndonëse nuk i përjashtojnë si mundësi, sipas tyre, zgjedhjet e fundit parlamentare të 11 qershorit, ishin të suksesshme dhe duhet të përmbyllen me formimin e institucioneve të reja.
Ndërkaq çështja e formimit të Qeverisë së re të Kosovës, shihet si pjesë e negociatave dhe kompromiseve politike.
Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo në koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Nismën për Kosovën, tha se si koalicion fitues shumë shpejt do të formojnë Qeverinë e re, duke mos parë ‘rrezik’ nga ndonjë proces i ri zgjedhor.
“Unë mendoj se Kosova po shkon drejt një qeverie të re në krye me zotin Haradinaj. Janë spekulime të partive të tjera që mendojnë se do të vijnë në pushtet, por nuk ka hapësirë institucionale as për zgjedhje të reja, sepse tashmë Haradinaj i ka numrat për të formuar Qeverinë”, tha Lekaj.
Por, nuk janë vetëm Haradinaj dhe partitë e koalicionit PAN që synojnë formimin e Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje, doli subjekti i dytë nga zgjedhjet e fundit. Ndërkaq nëse përjashtohen koalicionet, si parti politike, Vetëvendosje del se është më e votuara.
Nisur nga ky fakt, Vetëvendosje pretendon ta formojë Qeverinë, duke besuar se koalicioni PAN nuk do t’ia dal ët siguroj minimumin prej 61 votave në Kuvend.
Tinka Kurti nga zyra për Media në Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se Vetëvendosje do ta formojë Qeverinë, pasi që sipas saj, ekziston një vullnet i madh që Partia Demokratike e Kosovës të mbetet në opozitë.
“Lëvizja Vetëvendosje e ka dhënë zgjidhjen për ketë situatë. Vetëvendosjes në kuadër të përgatitjes për ndërtimin e Qeverisë i duhet një partner i vogël, por nëse kjo nuk do të përkrahet, ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja për të cilat jemi të bindur se vetëm sa do ta rrisin Vetëvendosjen dhe do ta dobësojnë edhe më shumë PDK-në”, tha Kurti.
Kurse, ish- deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sadri Ferati, anëtar i kryesisë së kësaj partie, tha për Radion Evropa e Lirë se situata në të cilën ka ardhur Kosova është e re dhe duhet të tregohet që Kosova ka një pjekuri politike për t’i tejkaluar këto sfida.
“Tani jemi në pritje se a do të ndodh ndonjë kontrabandim i ndonjë deputeti për të plotësuar ndonjë numër minimal, që kishte me qenë e pa preferuar. Dhe, tani kanë mbetur dy mundësi, ose të bëhet një Qeveri e marrëveshjes me përbërje të gjerë ose të shkohet në zgjedhje. E para nuk jep shpresë për një qeverisje të gjatë, jo më tepër se një vjet, dhe e dyta përsëritja e zgjedhjeve që sapo i patëm”, tha Ferati.
Megjithatë, Ferati thotë se më mirë do të ishte formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse.
“Unë anoj që të mos shkohet në zgjedhje menjëherë, sepse edhe rezultatet përafërsisht janë këto. Maltretimi është shumë i madh dhe më së paku iu duhet një përsëritje e zgjedhjeve. Prandaj, unë jam ithtar që të shkohet me qeverisje të gjerë”, tha Ferati.
Rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit, e bën të domosdoshëm lidhjen e koalicioneve të reja pas zgjedhore, në mënyrë që Kosova të mos futet në një ngërç të ri politik.
Analistët nuk e përjashtojnë as mundësinë që Kosova të shkojë nga zgjedhjet në zgjedhje, nëse nuk formohet Qeveria e re.
Megjithatë, Imer Mushkolaj, mendon se lidhja e koalicioneve pas-zgjedhore mbetet e pashmangshme nëse synohet të evitohen zgjedhjet e reja.
Mushkolaj thotë se ndryshe nga viti 2014 kur kishte një bllokadë, ketë herë gjerat janë më të qarta pasi sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar saktë se kush mund të formojë Qeverinë.
“Në rast se subjekti i parë politik që ka fituar më së shumti vota dështon që ta krijojë Qeverinë, atëherë domosdo presidenti duhet që ketë mundësi t’ia jap dikujt tjetër, respektivisht një shumice parlamentare në Kuvend – një shumicë që do ta dëshmojë me 61 nënshkrime se është e gatshme që ta krijojë Qeverinë”.
“Pra, besoj se ekzistojnë zgjidhje, ekzistojnë mundësi që Qeveria të krijohet dhe do të ishte e papranueshme edhe për qytetarët edhe vet vendin, që të shkohet edhe njëherë në zgjedhje dhe të bllokohet paraprakisht procesi i krijimit të Qeverisë”, tha Mushkolaj.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën më 11 qershor, që në to, sipas KQZ-së morën pjesë pak më shumë se 40 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Nëse përqindjet e votave të fituara kthehen në ulëse të Kuvendit, përbërja e re e legjislativit do të dukej afërsisht me 39 apo 40 deputetë të koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma.
Pastaj, me 31 apo 32 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, kurse koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës me 29 ulëse. Ndërkaq, komunitetet mbeten në kuotat e njëjta, serbët marrin 10 ulëse dhe pakicat tjera po ashtu 10 vende të garantuara. (rel)