Qeveria e Kosovës harton platformë për dialogun final me Serbinë

thaci mogherini vucicQeveria e Kosovës miratoi një platformë për fazën finale të përmbylljes së dialogut politik me Serbinë. Kjo parashikon që dialogun me Serbinë ta udhëheqë Presidenti i Kosovës. Opozita e kundërshton këtë ide.

Platforma, siç bënë të ditur qeveria, do t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim në formë të rezolutës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha në mbledhjen e qeverisë se “hartimi i platformës është bërë pas takimeve dhe konsultave të shumta me presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Miratimin e kësaj platforme nga kuvendi, Haradinaj e sheh të nevojshme për faktin që në  kuvend janë të përfaqësuara të gjitha subjektet politike dhe aty mund të zhvillohet debat për këtë çështje.

“Ashtu siç do të vendosë Kuvendi ne do ta respektojmë. Deputetët, mendojë se duhet t’i përgjigjen kohës, etapës në të cilën ndodhemi, sepse ky dialog në këtë formë nuk po prodhon efekte, nuk po jep rezultate, kështu që duhet të kalojmë në fazën finale”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Platforma e qeverisë për dialogun me Serbinë të cilën e publikuan mediet lokale në Prishtinë ka nëntë pika, ndërsa, pika e gjashtë e saj synon që në krye të delegacionit të Kosovës për marrëveshjen finale me Serbinë të jetë Presidenti i Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës konfirmon që Presidenti i vendit (në këtë rast Hashim Thaçi) dhe delegacioni i Kosovës që do të krijohet në koordinim me të gjithë spektrin politik, në respektim maksimal të unitetit politik në vend, janë të autorizuar të zhvillojnë bisedime për arritjen e marrëveshjes ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme me Serbinë”, thuhet në pikën gjashtë të platformës për dialogun.

LDK-ja kundër kryesimit të negociatave nga presidenti

Në bazë të platformës qeveria e Kosovës insiston që dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme përmes së cilës duhet të ndodhë njohja reciproke ndërmjet Kosovës  dhe Serbisë.

I menjëhershëm ishte reagimi i partisë më të madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, (LDK) e cila e kundërshton hapur që Presidenti Hashim Thaçi të udhëheqë dialogun me Serbinë.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thotë se “LDK nuk e përkrah idenë që në krye të negociatave me shtetin serb të jetë shefi i shtetit Hashim Thaçi”.

“Negociatat duhet të udhëhiqen nga qeveria e Kosovës, sepse është e vetmja  qe ka mekanizma ekzekutues me ministri dhe e vetmja që ka sistem llogaridhënieje në Parlament. Pa llogaridhënie dhe pa ekzekutim, një veprim i tillë më duket veçse faktorizim individual i Presidentit Thaçi”, thotë deputeti Abdixhiku.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë dialog, ndërsa, më 19 prill të vitit 2013 ato nënshkruan një marrëveshje për përmirësimin e raporteve dhe që parashihte arritjen e një sërë marrëveshjesh që do ta lehtësonin jetën e qytetarëve nga të dyja vendet. Njëra ndër marrëveshjet më të rëndësishme ishte krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe e cila nuk  ka gjetur zbatim akoma. Beogradi synon që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive, ndërsa, Prishtina zyrtare e hedhë poshtë  këtë në mënyrë kategorike. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se hartimi i statutit të asociacionit është në proces të themelimit.

“Marrëveshja e Brukselit parashikon që në fund të procesit, vlerësimin rreth harmonizimit të statutit me kushtetutën do ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha Haradinaj duke ritheksuar se asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq tha në Beograd se “përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do të presin edhe tre muaj e gjysmë, duke respektuar kështu afatin e përcaktuar nga Bashkimi Evropian për hartimin e statutit dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. E gjithë kjo që askush të mos i akuzojë serbët se po i shkelin marrëveshjet dhe dakordimet ndërkombëtare”, tha Vuciq transmetojnë mediet lokale në Serbi.

Përfaqësuesit e listës serbe “Srpska” që kanë 10 deputet në kuvendin e Kosovës thonë se “nëse Prishtina zyrtare nuk e  themelon asociacionin e komunave me shumicë serbe, atëherë, ata do ta themelojnë atë në mënyrë të njëanshme”. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>