Në Dhomat e Specializuara në Hagë u mbajt seanca e parë kundër njërit prej ish-krerëve të UÇK-së, Rexhep Selimi. Selimi u vetëdeklarua i pafajshëm ndaj të gjitha pikave të aktakuzës.
Rexhep Selimi, sikur edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi akuzohet nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë për anëtarësi në “ndërmarrje kriminale të përbashkët” dhe për përgjegjësi personale, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në aktakuzë thuhet se Rexhep Selimi ka bërë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe konkretisht: Përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, tortura, tortura si krim lufte, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Prokuria pretendon se Rexhep Selimi dhe të akuzuarit e tjerë i kanë bërë këto krime në Bare, Bajgorë, Llapashticë, Majancë, Drenoc, Malet e Berishës, Llapushnik, Ferizaj, Gjilan, Jabllanicë, Kaçanik, Kleçkë, Likovc, Malishevë, Shpella e Vojatës, Zllash dhe vende të tjera të Kosovës, si dhe në Cahan dhe Kukës, në veri të Shqipërisë. Në këto vende, sipas Prokurorisë, janë bërë krime në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999. “Nga marsi 1998 deri në shtator 1999 janë bërë krime ndaj personave, për të cilët pretendohej se kanë bashkëpunuar apo bashkëpunojnë me forcat (ushtrinë, policinë dhe forcat e tjera) e Republikës Federale të Jugosllavisë, të cilët nuk përkrahnin metodat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë edhe personat që kishin lidhje me Lidhjen Demokratike të Kosovës si dhe ndaj personave me përkatësi serbe, rome dhe të tjerë”, tha përfaqësuesi i Prokurorisë.
Rexhep Selimi akuzohet “për pjesëmarrje si epror në ndërmarrjen kriminale të bashkuar” si dhe mbi bazën e “përgjegjësisë personale”, me shpjegimin se ai “është përgjegjës për kryerje të krimeve, duke qenë i vetëdijshëm për këto krime dhe duke e ndërmarrë këtë rrezik vullnetarisht, duke ndihmuar apo inkurajuar këto krime”. Prokurori pohon se “ekziston dyshimi i bazuar mirë, se zoti Selimi mban përgjegjësi si epror për krimet e bërë në pikat 1-10 të aktakuzës.”
Selimi: Nuk jam fajtor për asnjë pikë
Rexhep Selimi tha se i ka kuptuar të gjitha akuzat dhe në pyetjen e gjykatësit Nicolas Guillou nga Franca, a do të deklarohet ndaj tyre, i akuzuari Selimit tha: “Nuk jam fajtor në asnjë pikë të aktakuzës”. Para deklarimit për fajësinë apo pafajësinë e tij, Selimi bëri edhe një deklaratë, ku tha se “ky ndoshta nuk është momenti as vendi që të flas për legjitimitetin e kësaj Gjykate”, por theksoi se këtë Gjykatë e ka themeluar Parlamenti i Kosovës”. “Unë si deputet e kam kundërshtuar themelimin e saj, jo si shprehje kundër drejtësisë, por donim që drejtësia të bëhet në Kosovë”. Rexhep Selimi rikujtoi se Gjykata Ndërkombëtare e ka shpallur si legjitime vendimin për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që Serbia “me ndihmën e Dick Marty, ka hartuar një raport ku flitet për krimet e UÇK”.
“Por kjo Gjykatë tani është fakt. Si deputet e kam kundërshtuar themelimin e saj, por si luftëtar dhe një nga themeluesit e UÇK, tani gjendem përballë një aktakuze të rëndë”. Ish-kreu i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi u shpreh se është i vetëdijshëm për “rëndësinë dhe seriozitetin e kësaj Gjykate” dhe se tani “rolet janë të ndara, jemi palë të ndryshme”.
“Por më lejoni të besoj se qëllimi i kësaj Gjykate do të jetë drejtësia dhe mbi të gjitha e vërteta, jo vetëm për ju si gjykatës, por pse jo edhe për Prokurorinë”, theksoi Selimi duke shtuar se “ai, UÇK dhe populli i Kosovës kanë bërë luftë të drejtë dhe të pastër, dhe se kjo do të shihet edhe në fund të këtij procesi”. “Unë kam luftuar kundër Serbisë, kundër Serbisë okupatore, e cila i ka sjell vetëm të këqija popullit tim: vrasje, dëbime, spastrim etnik… luftën e kam nisur me Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar së bashku me komandantin e NATO-s, Wesley Clark. E kam për detyrë edhe sot të jem në anën e popullit tim dhe të NATO-s”, theksoi Selimi, i cili shpreson se Gjykata por edhe Prokuroria do të kërkojnë drejtësi dhe të vërtetën”.
Ndërsa mbrojtësit e Rexhep Selimit bënë të ditur se së shpejti do të kërkojnë lirimin e përkohshëm të klientit të tyre, pasi ai “ka treguar gatishmëri të plotë për bashkëpunim me Gjykatën dhe nuk ekziston kurrfarë rreziku i influencimit të dëshmitarëve apo zhdukjes së dëshmive”. Mbrojtësit e Selimit thonë se “ai do të bashkëpunojë në tërësi me Gjykatën”, e kërkesa për lirimin do të bëhet në ditët në vijim. Në ditët në vijim do të caktohet edhe data e vazhdimit të procesit, respektivisht nxjerrjes së provave kundër të akuzuarve Selimi, Thaçi, Krasniqi dhe Veseli.
dw