Sa e lehtëson marrëveshja me Serbinë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare?

KBNormalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes një marrëveshjeje eventuale gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve, do të ndihmonte dhe lehtësonte në masë të madhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, por ky normalizim i marrëdhënieve nuk është parakusht për anëtarësim në ato organizata, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Praktikat e deritashme, sipas tyre, tregojnë që edhe pa një marrëveshje me Serbinë, Kosova ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare, sikurse Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të tjera.

Megjithatë, sipas tyre, ekzistojnë dy kategori organizatash apo agjencish, në të cilat anëtarësimi i Kosovës është i dëshirueshëm. Në kategorinë e parë hyjnë gjashtë organizata ose agjenci ndërkombëtare, në të cilat, për t’u anëtarësuar si shtet i ri, kërkohet të qenit anëtar formal i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq, në kategorinë e dytë hyjnë organizatat, për të cilat nuk vlen ky kusht formal, por që anëtarësimi varet nga vullneti i shumicës së shteteve anëtare e të këtyre organizatave apo dy të tretave të numrit të anëtarëve.

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri dhe Australi, Sabri Kiçmari, aktualisht pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë, që deri më tash Kosova është pranuar në disa organizata ndërkombëtare, si dhe ka synuar pranimin në disa të tjera.

“Do të thotë, nuk është parakusht për anëtarësimin e Kosovës (në organizata ndërkombëtare) normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Por, pa asnjë dilemë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve (Kosovë-Serbi) do të ndihmonte, përkatësisht, do të hiqte pengesën për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Meqë gjendja është e tillë, siç është, atëherë Republika e Kosovës duhet t’i shqyrtojë mundësitë për t’u pranuar në organizata ndërkombëtare, por në përputhje me gjendjen reale që e ka”, tha Kiçmari.

Ai ka shtuar se edhe në organizatat ku kërkohen dy të tretat e votave të anëtarëve, mundësitë për pranim të Kosovës janë shumë të vogla, për shkak se atë ende nuk e kanë njohur dy të tretat e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës dhe aktualisht pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që praktikat e deritashme kanë treguar që Kosova mund të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare pa i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë. Por, sipas tij, tentimet për t’u anëtarësuar në UNESCO dhe në INTERPOL, kanë treguar që mungesa e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe fushata agresive e kësaj të fundit, kanë ndikuar në rezultatin negativ për Kosovën.

“Në kuptimin formal, nuk kërkohet asnjë lloj marrëveshje me Republikën e Serbisë që ne të jemi pjesë e këtyre organizatave. Më shumë se kaq, kërkohet që të jemi efikas dhe efektiv, të mbajmë raporte shumë të ngushta me vendet që na kanë njohur. Madje edhe tek ato që nuk na kanë njohur, të shtrijmë ndikimin përmes vendeve tona mike dhe në momentin kur do të siguronim dy të tretën e votave ose varësisht nga rregullimet e statuteve që kanë këto organizata, të aplikonim dhe unë mendoj që do të mund të marrim anëtarësimin në to”, tha Hoti.

Ai ka shtuar që megjithatë, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe rrjedhimisht një ulëse në Kombet e Bashkuara, do t’ia lehtësonte tërësisht Kosovës anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

“Përfundimisht, ulësja në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, jo vetëm që zvogëlon, por praktikisht shënon fundin e problematikës dhe izolimit ndërkombëtar të Kosovës. Nëse vendi ynë do të siguronte ulëse në OKB, atëherë mendoj që çështja e anëtarësimit në ato gjashtë organizatat ku kërkohet ky anëtarësim, por edhe në organizatat tjera, do të ishte çështje vetëm e procedimit, në kuptimin formal, me kërkesën formale të Kosovës te sekretariatet e këtyre organizatave dhe votimi, pa asnjë dilemë do të ishte pozitiv dhe Kosova do të anëtarësohej në to”, tha Hoti.

Por, Kiçmari, shpreh mendimin që një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe njohjen e ndërsjellë, nuk siguron automatikisht edhe ulësen në Kombet e Bashkuara për Kosovën.

“Nuk ka një siguri të plotë që në rast se ne i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, Rusia dhe Kina do të heqin të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Është e qartë që pa mbështetjen, përkatësisht, pa rekomandimin e Këshillit të Sigurimit, nuk mund të pranohemi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe ne duhet të jetojmë me këtë fakt. Por, sigurisht që normalizimi eventual i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve do të lehtësonte ndryshimin e qëndrimit të Kinës dhe të Rusisë për njohjen e Republikës së Kosovës, përkatësisht, lejimin për t’u pranuar në organizata ndërkombëtare”, tha Kiçmari.

Sidoqoftë, të dy njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare,vlerësojnë se aktualisht, Kosova duhet ta peshojë mirë çdo tentim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe jo të bëjë tentime testuese. Tentimet për anëtarësime të tilla, sipas tyre, duhet të bëhen vetëm kur të ekzistojnë parakushte shumë të sigurta për pranim. Siç kanë thënë ata, dështimet për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, kanë refleksion të drejtpërdrejtë në statusin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>