Sergei Lavrov mbështet Serbinë në qasjen ndaj Kosovës

lavrovMinistri i jashtëm rus tha se është “i shqetësuar me shtimin e diskutimeve për të ashtuquajturën Shqipëri e Madhe”.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, përsëriti në Beograd mbështetjen e Rusisë për qasjen e Serbisë ndaj çështjes së Kosovës, duke i cilësuar, siç tha absurde përpjekjet e atyre që bënë regjinë e shkëputjes së Kosovës nga Serbia pa kurrfarë referendumi, të vënë në dyshim vullnetin e shprehur të qytetarëve të Krimesë që t’i bashkohen Rusisë.

Ministri rus, i cili po qëndron për një vizitë dyditëshe në Beograd tha se deri vonë askush nuk kishte menduar se mund të ndodhnin ngjarje të tilla si në Kumanove, duke ju referuar përleshjeve të fundjavës në atë qytet të Maqedonisë.

“Kam shprehur shqetësimin me shtimin e diskutimeve për të ashtuquajturën Shqipëri e Madhe. Kjo është rrugë drejt konfrontimeve të hapura në Ballkan dhe nuk mendoj që cilido politikan do të guxonte të fliste për këtë dhe të bënte thirrje për krijimin e Shqipërisë së Madhe.

Jemi të shqetësuar edhe për Maqedoninë dhe faktit se ngjarjet e atjeshme mund të jenë shprehje e ambicieve terroriste të përgatitura mirë. Jemi të shqetësuar për Kosovën dhe Bosnjën. Shteti islamik tashmë është aktiv në Ballkan dhe jam i sigurt që Brukseli e sheh është por si në turp e pranon se e di çfarë po ndodhë në Ballkan”, tha ministri Lavrov.

Ai i vlerësoi lidhjet e Rusisë me Serbinë, ndërsa mirëpriti sic tha deklaratën e ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiç, se Serbia nuk do t’i “sakrifikojë” marrëdhëniet e saj me Rusinë, për hir të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Serbia synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe shpreson të fillojë negocimin e kapitujve në kuadër të bisedimeve për anëtarësim gjatë këtij viti. Por, ajo po ecë nëpër një rrugë të ngushtë ndërmjet perëndimit dhe aleatit të saj tradicional, Rusisë, që nga shpërthimi i krizës në Ukrainë.

Beogradi kishte refuzuar t’u bashkohet sanksioneve evropiane kundër Rusisë, por, në të njëjtën kohë, ndonëse pa e dënuar aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, është shprehur në mbështetje të tërësisë tokësore të Ukrainës.

Ministri Lavrov falënderoi serbët dhe presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç, për pjesëmarrje në festimet e 9 majit në Moskë, me të cilat u shënua 70 vjetori i fitores së aleatëve kundër Gjermanisë Naziste në Evropë.

Pjesëmarrja në atë manifestim ishte vendim i presidenti serb, me gjithë kërkesat që i ishin bërë nga përfaqësues evropian që të mos e bëjë një gjë të tillë.

Një pjesë e madhe e shefave të shteteve perëndimore përfshirë edhe aleatet e dikurshëm të Moskës gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk morën pjesë në parakalim në shenjë proteste ndaj ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë përmes aneksimit të siujdhesës së Krimesë një vit më parë.

Serbia vazhdon të ruaj lidhjet emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore. voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>