Serwer thirrje Kurtit: Ofro një propozim për Asociacionin, gjuaje topin në anën e Serbisë

SerwerAnalisti amerikan Daniel Serwer i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të dalë me një opsion për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

 

Eksperti për Ballkanin, Serwer, në një vështrim të publikuar në “Peacefare.net”, ka thënë se është i vetëdijshëm se asnjë opsion i Kurtit s’do të pëlqehej nga Serbia, por së paku “topi do të hidhej në anën e Serbisë, ku edhe e ka vendin”.

“Cholleti dhe Escobari po e ftojnë Qeverinë e Kosovës të paraqesë propozimin e saj për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kryeministri Kurti duhet ta pranojë këtë sfidë, duhet ta krijojë një strukturë ndërkombëtare që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kërkesat tjera të Kosovës, duke e bërë kështu rolin e Serbisë në komunitetet me shumicë serbe më transparent dhe të përgjegjshëm. Kosova duhet të kërkojë që të krijohet një strukturë e krahasueshme me atë të komunitetit me shumicë shqiptare brenda Serbisë. Asgjë e projektuar nga Prishtina s’ka gjasa t’i pëlqejë Beogradit, por së paku do të kënaqte amerikanët që do ta kuptonin se Kurti është i gatshëm të ecë përpara me Asociacionin. Kjo e vë topin në fushën e Serbisë, ku edhe duhet të jetë”, ka shkruar Serwer.

Serwer në kolumnën e tij ka treguar se çfarë kërkon Serbia e çfarë po kërkon Kosova.

“Ajo që kërkon presidenti Vuçiq është bekimi zyrtar për kontrollin hegjemonist të popullatës serbe në Kosovë. Ky kontroll tashmë ekziston, veçanërisht në katër komunat veriore të afërta me Serbinë. Beogradiu ka kontrolluar për dy dekada qeveritë e tyre, sistemet arsimore e shëndetësore, policinë dhe gjykatat. Paratë rrjedhin direkt në këto institucione nga Beogradi”, ka shkruar Serwer.

Serwer ka thënë se Serbia do që bashkësia ndërkombëtarë ta pranojë këtë kontroll etnik.

“Beogradi u thotë shpesh diplomatëve perëndimorë se objektivi është një marrëveshje më e mirë për komunitetin serb në Kosovë”, ka shkruar Serwer.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, eksperti amerikan Serwer ka thënë se ai “dëshiron një vend sovran me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët dhe pa privilegje etnike në të gjithë territorin”.

“Kjo do të linte pa mëdyshje autoritetin në duart e shqiptarëve, pasi ata përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullsisë. Megjiahtë, Kosova kushtetutshmërish e nis larg këtij objektivi, pasi ka vende të rezervuara për pakicat në Kuvend dhe kërkesa për pjesëmarrje të pakicave në Qeveri”, ka shkruar Serwer.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>