SHBA-ja i dhuron FSK-së automjete ushtarake

Automjetet e tipit ASV të dhuruara nga SHBA-ja, shihen në kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë më 30 gusht 2021. Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) i ka pranuar 55 automjete ushtarake të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto pajisje ushtarake, sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, do të ndihmojnë FSK-në që të ngrehë kapacitetet e saj për ruajtjen e garantimin e paqes.

Osmani tha se ndihma e SHBA-së në transformimin e FSK-së është e një rëndësie të veçantë.

“Këto pajisje do t’iu ndihmojnë juve edhe më tej që të zhvilloni kapacitetet tuaja, të parapara në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, mbështetur në misionin dhe mandatin tuaj të ri. Këto do të ndikojnë që aftësitë operacionale të FSK-së të rriten dukshëm si dhe që ushtria jonë të jetë plotësisht ndërvepruese me partnerët tonë, sidomos me SHBA-në, duke ndikuar që së bashku me ta të jetë garantuese e paqes dhe stabilitetit jo vetëm në rajon, por në gjithë botën”, tha Osmani gjatë ceremonisë së pranimit të këtyre automjeteve.

Osmani tha se shpreson se faza tjetër e tranzicionit të FSK-së të përfshijë edhe pajisjen me helikopterë.

Presidentja Osmani tha se FSK-ja është e përkushtuar që të përfundojë sa më shpejt fazën e trancizionit dhe se në këtë sipas saj, kontribut të madh janë duke dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se donacioni amerikan prej 55 automjetesh do t’i shërbejë FSK-së që të jetë garantuese e paqes dhe stabilitetit dhe rajon dhe më gjerë.

“Në do të vazhdojmë të zhvillojmë politikat e mbrojtjes, të përditësojmë kornizën ligjore dhe të ndërtojmë kapacitete operacionale të FSK-së në atë drejtim që të jenë të përputhshme dhe të ndërveprueshme me NATO-n, dhe me qëllim përafrimin dhe anëtarësimin në këtë organizatë”, deklaroi kryeministri Kurti.

Automjetet që Qeveria amerikane i ka dhuruar FSK-së janë të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

Prodhimi i këtyre automjeteve ushtarake ka filluar në vitet e 90-ta dhe ato përdoren gjerësisht në ushtrinë amerikane.

Kohë më parë, Kosova kishte blerë 51 automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja. Në vitin 2018 ishte nënshkruar kontrata ndërmjet kompanisë amerikane AM General dhe Qeverisë së Kosovës për pajisjen e FSK-së me 51 automjete të tipit Humvee.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për blerjen e dy dronëve për nevoja të FSK-së në vlerë rreth 11 milionë euro.

Automjete ushtarake po ashtu janë blerë nga Turqia. Javë më parë, Kosova ka nënshkruar një marrëveshje për blerjen e 14 automjeteve ushtarake të blinduara nga shteti i Turqisë.

Zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes patën deklaruar se blerja e automjeteve ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës është pjesë e procesit të tranzicionit të kësaj force në ushtri të ardhshme të Kosovës.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ndryshoi mandatin e FSK-së dhe në bazë të ndryshimeve ligjore, parashihet që kjo forcë në një periudhë prej 10 vjetësh të ketë kapacitete të plota ushtarake.

Përgjegjësitë e reja të FSK-së kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>