Shkupi i zotohet Prishtinës për procedurë të përshpejtuar rreth Kumanovës

dok kumanovaAutoritetet e rendit në Maqedoni, kanë bërë të ditur se kërkesat që Kosova i ka dërguar Shkupit, përfshirë këtu edhe identifikimin e personave të vrarë gjatë aksionit në Kumanovë, do të procedohen me proces të përshpejtuar.

“Shumë shpejtë do të marrë një përgjigje ambasada e Kosovës, përmes linjës zyrtare pë të gjitha kërkesat, të cilat i ka adresuar drejt organeve kompetente”, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë, Valdet Xhaferi, zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë në Qeverinë e Maqedonisë.

“Kërkesa e parë ka të bëjë me sigurimin e listës së personave të vdekur. Kërkesa e dytë ka të bëjë me sigurimin e mundësisë që një grup ekspertësh nga Kosova të bëjë obduksionin e trupave të vdekur. Kërkesat e fundit kanë të bëjnë me transportimin e trupave të vdekur nga Maqedonia në Kosovë”, tha Xhaferi, duke shtuar se “ministria po bën maksimumin për të përshpejtuar procedurat” dhe se duhet pasur parasysh edhe faktin se bëhet fjalë për, siç tha, “çështje delikate”.

Në aksionin e 9 dhe 10 majit në një lagje në Kumanovë, gjatë një përleshjeje të armatosur me forcat e rendit, 9 shtetas nga Kosova thuhet të jenë vrarë dhe 21 të tjerë të jenë arrestuar. Që të gjithë dyshohen si pjesëtarë të grupit të armatosur me të cilin është përleshur policia maqedonase.

Të arrestuarit po mbahen në burgun e Shutkës në Shkup, të cilëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ndërkohë, familjarët e të arrestuarve, të martën kanë vizituar për herë të parë të afërmit e tyre. Ata nuk kanë pranuar të flasin me mediat. Një pjesë e familjarëve të të burgosurve nga Maqedoniaakoma nuk kanë arritur të marrin asnjë informacion për fatin e të afërmve të tyre.

“Fejzi Rushitovskin e kam dhëndër. Qysh të premten nga gjyqi kemi kërkuar leje për ta vizituar, nuk kemi arritur ta sigurojmë. Edhe sot isha në gjykatë dhe sërish nuk arritëm të sigurojmë leje për ta vizituar Fejziun, por na u lejua vetëm t’i dërgojmë ushqimin që kishim marrë për të. Nga dita kur është arrestuar ne nuk kemi asnjë njohuri për të, pos asaj që kemi dëgjuar në lajme”, thotë një familjar i tij.

Avokati i Popullit Ixhet Mehmeti, sot për mediat ka theksuar se maltretimi i të burgosurve për rastin e Kumanovës ka ndodhur pasi që gjykatësi ka miratuar aktvendim që personat e ndaluar të barten në Burgun e Shutkës për ta vuajtur masën paraburgim.

“Deri më tani kemi vizituar disa nga ata. Dje unë lëshova fletëparaqitje penale ndaj policëve të panjohur, edhe pse në rastin konkret nuk bëhet fjalë për policë të panjohur pasi organi kompetent i njeh ata. Kemi prova të mjaftueshme të dyshimit me bazë se gjatë punës kanë maltretuar një të arrestuar. Prioritet e kemi gjendjen shëndetësore”, ka deklaruar avokati i popullit, Ixhet Memeti, i cili ka akuzuar drejtorinë e burgut në Shkup se ka penguar punën e institucionit të cilin e udhëheqë zoti Memeti.

Nga ana tjetër, avokatja mbrojtëse e gjashtë shtetasve nga Kosova, thotë se dy nga klientët e saj kanë nevojë të shtrihen në spital.

“Gjendja shëndetësore e klientit tim Beg Bajra është shumë e rëndë, ai ka nofullën e thyer, tek i cili është intervenuar edhe kirurgjikisht , andaj kam kërkuar nga gjykatësi hetues që të lejojë hospitalizimin e tij për shkak të dhimbjeve të padurueshme, po ende s`kam përgjigje ndaj kësaj kërkesë. Gjendja shëndetësore edhe e Valdet Xhekajt është e rëndë, kurse për katër të tjerët nuk mund të flas akoma sepse skam aritur t’i vizitoj”, thekson avokatja mbrojtëse e 6 shtetasve të Kosovës, Ajtene Iseini. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>