Kosova është futur në një krizë të paparë politike e morale ka thënë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në adresimin e saj vjetor para Kuvendit.
Fjalimi i presidentes para Kuvendit, besohet të jetë i fundit, pasi që ajo ndodhet në përmbyllje të mandatit. Ky fjalim është bojkotuar nga tri partitë opozitare.
Jahjaga ka ftuar qeverinë dhe opozitën që me urgjencë të ulen dhe të nisin dialogun për tejkalimin e krizës së krijuar. Kjo krizë, sipas saj, ka sfiduar rëndë konsensusin politik vendor e ndërkombëtar mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës.
“Në këtë krizë, e cila ka hyrë në muajin e katërt, u sfidua rëndë konsensusi bazik demokratik të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. U sfidua rëndë rendi dhe ligji. U sfiduan sërish”, ka thënë Jahjaga.
Presidentja Jahjaga, i rikujtoi deputetët se Kuvendi u shndërrua në një skenë të dhunës. Andaj ajo i ftoi partitë politike të heqin dorë nga interesat e ngushta për të mbrojtur interesin e vendit.
Si presidente e vendit, Jahjaga u dërgoi mesazh partive politike se asnjëra palë nuk do të korrë fitore dhe se dhuna nuk do të shndërrohet në mjet politik.
Zgjidhja e problemeve, ka thënë presidentja, është vetëm te dialogu dhe asnjë forme tjetër.
“Pa reshtur i kam takuar, individualisht dhe bashkërisht, si përfaqësuesit e pozitës ashtu edhe të opozitës, për të gjetur rrugëdalje nga kjo krizë. Vazhdimisht kam bërë thirrje për rivendosjen e dialogut politik mes pozitës dhe opozitës dhe çdo herë kërkesa ime është refuzuar apo kushtëzuar”, ka thënë Jahjaga.
Kriza dhe zhvillimet dramatike, ka nënvizuar Jahjaga, po e lëkundin besimin tek miqtë ndërkombëtar pa të cilët, ajo tha se konsolidimi i mëtejshëm i shtetit të Kosovës do të jetë i pamundur.
Në pjesën tjetër të adresimit, Jahjaga ka folur edhe në lidhje me rëndësinë që ka dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Po ashtu, një nga çështjet që në vazhdimësi e ka adresuar Jahjaga gjatë fjalimeve të saj para deputetëve, është edhe lufta kundër ekstremizmit fetar dhe terrorizmit, për çka tha se Kosova po jep rezultate konkrete në luftimin e kësaj sfide globale.
“Këtë vit është shënuar një rënie drastike e kosovarëve që u janë bashkangjitur rrjeteve terroriste, falë sensibilizimit për këtë fenomen, por edhe për shkak të vendosmërisë tonë që të veprojmë dhe të mos lejojmë që Kosova të bëhet strehë e terroristëve”, ka deklaruar presidentja e Kosovës.
Pas fjalimit të presidentes Jahjaga, Kuvendi shkoi në pauzë, për t’i vijuar punimet e seancës së papërfunduar të ditës së hënë.
Por, menjëherë pas, opozita është futur në sallën kryesore, duke u zotuar se do ta pengojë edhe këtë seancë. Kjo i ka shtyrë partitë në pushtet që pa opozitën, të ngjiten në sallën alternative për t’i shmangur përplasjet.
Edhe në këtë sallë, opozitarët tentuan që të futen brenda, por ata u penguan nga sigurimi.
Në vazhdim të seancës, ministri i Jashtëm dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur sërish pakënaqësinë e tij të thellë me rekomandimin negativ të Këshillit të Evropës në lidhje me liberalizimin e vizave të për Kosovën.
“Bashkimi Evropian ka kërkuar kritere shtesë për Kosovën. Edhe ato i kemi mirëpritur dhe i kemi zbatuar dhe dorëzuar dhe sot nuk futen në një raport teknik që kërkon një punë prej dhjetë minutash në kompjuter. Prandaj, vlerësoj se është një marrëzi që të shtyhet ky proces”, ka deklaruar Thaçi.
Seanca e së enjtes, ishte e fundit për këtë vit.
Që nga muaji tetor, Kuvendi i Kosovës ishte ballafaquar me bllokimin apo përpjekjet për bllokimin e punës nga ana e opozitës.
Kjo protestë opozitare ndërlidhet me kërkesën që të anulohet marrëveshja që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka nënshkruar me homologun e tij nga Serbia, Aleksanadar Vuçiq për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit. (rel)