Kryeministër me shumë rreziqe përpara! Zgjedhja e qeverisë në Kosovë dhe e kryeministrit Ramush Haradinaj kanë tërhequr vëmendjen e shtypit gjerman.
Në artikullin me titull “Kryeministri i ri në kërkim të ekulibrit të vazhdueshëm”, gazeta gjermane “tageszeitung” thekson zgjedhjen e qeverisë në Kosovë me një shumicë tejet të ngushtë, me 62 vota nga 120 deputetë në parlamentin e Kosovës. “Për shumë ishte e habitshme, kur 10 deputetët e pakicës serbe në Kosovë, zgjodhën kryeministër atë që nga pala serbe është titulluar “kriminel lufte. Aq më tepër që vetëm para pak ditësh, qeveria serbe kishte bërë të ditur, se i mbetet urdhërarrestit ndërkombëtar kundër Haradinajt.”
Gazeta gjermane thekson se qeveria e Haradinajt “është qeveria e parë e Kosovës e varur nga zemërgjerërsia e pakicës serbe dhe me këtë edhe nga Serbia, thënë më saktë nga njeriu i fortë i Serbisë, presidenti Vuçiç….por problemet që duhet të zgjidhë kjo qeveri janë shumë të mëdha. Jo vetëm zhvillimi ekonomik i Kosovës ka mbetur pas premtimeve të partive. Ky vend me popullsinë më të re në Europë ka një nivel papunësie deri në 70%.”
Haradinaj politikan realist?
“Tageszeitung” i kushton vëmendje edhe zgjidhjes së detyrës më të vështirë për qeverinë e re të Haradinajt -gjetja e një “modus vivendi” me pakicën serbe për temën aq të debatuar të krijimit të asosaciacionit të komunave serbe. “Njohja e kërkuar nga ana e BE dhe Serbisë e asosaciacionit të komunave serbe në sytë e partisë opozitare, Vetëvendosja paraqet krijimin e një republike të pjesshme serbe në Kosovë, sipas modelit të Republikës Srpska në Bosnje-Hercegovinë.
Po të hënën gazeta gjermane “tageszeitung” në një artikull të titulluar “Kryeministër në mëshirë të Beogradit” thekson se pikërisht votat e pakicës serbe në Kosovë e ndihmuan ish-drejtuesin e UÇKsë, Ramush Haradinajn të jetë kryeministër i Kosovës. “Se si do të ndeshet ai me këtë situatë, kjo mund të parashikohet lehtë. Sepse si BE edhe bashkësia ndërkombëtare presin që Haradinaj të përmbushë disa kushte. Ai duhet të gëlltisë atë më të vështirën dhe të pranojë krijimin e asosaciacionit të komunave serbe.” Haradinaj që e paraqiste këtë si kërkesë të papranueshme tani ka zbutur tonin dhe paraqitet si “politikan realist”, shkruan taz. (dw)