S’ka seancë për Gjykatën Speciale, pa siguruar votat

kuvendiNë seancën e ditës së enjte, Kuvendi i Kosovës nuk do ta ketë në rend dite çështjen e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës edhe pse, ai nuk e ka përjashtuar skajshmërisht një gjë të tillë.

“Njëherë për njëherë jo, nëse Qeveria nuk ndërmerr ndonjë hap që e sjellë ndërkohë”, ka thënë Grabovci.

Zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, patën theksuar se do ta riprocedojnë amandamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale në Kuvend, pas dështimit të miratimit në seancën e 26 qershorit, për të cilin dështim, vendimtare ishin qëndrimet e disa deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës të cilët votuan kundër, abstenuan, apo nuk morrën pjesë në seancë.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së , Grabovci, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kësaj kohe është punuar në grupin parlamentar të kësaj partie, si dhe deputetet e saj, që të sqarohen arsyet pse duhet të votohen ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Sipas tij, janë kërkuar garanci që procesi i gjykimeve të jetë i drejtë, i paanshëm, i pandikuar, të ketë barazi të palëve, si dhe që arkivat t’i kthehen Kosovës.

“Ne kemi punuar me deputetët, të cilët nuk kanë votuar. Shqetësimin, pikërisht, e kanë pasur këtu këta deputetë, të cilët kanë pasur këto kërkesa dhe këto shqetësime. Ne, tashmë, pothuajse, jemi të sigurt se do të kemi garanci dhe do të ishte jologjike që të mos marrim garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian, që do të kemi një proces të drejtë, transparent dhe të pandikuar. Pas, këtyre bisedave edhe me këta deputetë, ne kemi marrë përkrahjen, pothuaj, edhe të tyre”.

Por, njohësi i çështjeve politike, Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se keqkuptimet që kanë disa deputetë lidhur me Gjykatën speciale,janë pasojë e mos transparencës nga vet partitë lidhur me këtë gjykatë.

“Besoj që ky është një keqkuptim shumë i madh që i është imponuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pikërisht për shkak të faktit që vet PDK-ja, partitë tjera si dhe LDK-ja nuk kanë pranuar që detajet mbi këtë gjykatë të diskutohen publikisht dhe tu sqarohen njëherë e mirë deputetëve, në mënyrë që këto lloj të debateve dhe të paqartësive mbi themelimin e Gjykatës Speciale, të mos e shoqërojnë procesin e votimit të themelit të kësaj gjykate”.

Edhe pse ka pasur indikacione se Qeveria e Kosovës do të riprocedojë në Kuvend amandamentin kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, kjo ende nuk ka ndodhur.

Grabovci ka theksuar se fakti më i rëndësishëm në krejt këtë situatë është që, siç thotë ai, “nuk guxohet të shkohet në seancë pa u përgatitur dhe pa pasur sigurinë e plotë që kjo çështje do të kalojë”.

“Se a mund të ndodhë kjo në këtë javë apo në javën e ardhshme, për mendimin tim, nuk është shumë e rëndësishme. E rëndësishme është që ne duhet të punojmë dhe do të punojmë me këmbëngulje që të japim sqarimet shtesë, kurdo që ka nevojë edhe për disa deputetë, si dhe të jemi 100 për qind të sigurt”.

Ndryshe, zyrtarët e lartë të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, të cilët janë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ditë më parë kanë theksuar se Kuvendi duhet ta themelojë Gjykatën Speciale para pushimeve verore, qoftë edhe përmes një seance të jashtëzakonshme. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>