Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për media lidhur me ngjarjet e djeshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Dje në Kuvendin e Kosovës ka qenë një mbledhje e paligjshme e strukturave të PDK-së, LDK-së dhe Listës Srpska. Ishte një uzurpim i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Qeveria e Kosovës. Arrestimet që kanë vazhduar dje, të deputetëve dhe aktivistëve, janë në kundërshtim me çfarëdo rregullore të Kuvendit, dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Edhe këto tentime për mbajtje të seancës janë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha nënkryetari i VETËVENDOSJE!-s, Driton Çaushi. Ai shtoi se veprimet e deputetëve të opozitës brenda Kuvendit janë në përputhje të plotë me betimin e tyre dhe detyrat e tyre në mbrojtje të sovranitetit të Republikës. “Deputetët e opozitës do të vazhdojnë me të njëjtat veprime, deri në deputetin dhe aktivistin e fundit, pa hezitim, gjithnjë në mbrojtjet të Republikës së Kosovës”, tha në fund Çaushi.
Deputetja Shqipe Pantina tha se kjo Qeveri ishte në gjendje ta detyrojë Kuvendin që brenda dy ore të bënin shumë shkelje ligjore, që të emëronin anëtarë nëpër borde të institucioneve më të rëndësishme. “Ajo çfarë bënë ata, është ndarje kryekëput politike, emërime politike, nëpër borde, pa i plotësuar kriteret profesionale. Ky ekip i juristëve që po e këshillojnë Isa Mustafën, është po i njëjti ekip që e ka këshilluar edhe për marrëveshjet e dëmshme. Anëtarët e pothuajse të njëjtit ekip juridik, Mustafa i ka dërguar edhe në Gjykatë Kushtetuese. Shkeljet e tyre po vazhdojnë ashtu që të marrin sa më shumë pushtet nëpër institucionet që do duhej të ishin të pavarura”, theksoi Pantina.
Në këtë konferencë iu bë thirrje pushtetit që t’i lirojë sa më parë deputetët dhe aktivistët e opozitës që po mbahen nëpër burgje për shkak të kundërshtimit të marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi. Ata janë: Arianit Manxhuka, Artan Abrashi, Asdren Lekaj, Agron Kabashi, Durim Elshani, Veron Hasani, Albert Fazliu, Kushtrim Avdimetaj, Shkëlqim Morina, Zgjim Hyseni, Valmir Osmanaj, Egzon Azemi, Egzon Balaj, Valdrin Ahmeti, Pajtim Demaj, Luan Hoti, Ardian Huli, Albin Kurti, Fisnik Ismajli, Ismajl Kurteshi, Naim Bunjaku, Trim Gashi, Albulena Haxhiu, Faton Topalli, Donika Kadaj-Bujupi, Aida Dërguti, Besa Baftiu, Glauk Konjufca, Time Kadriaj, Teutë Haxhiu, Bajram Zebica, Valon Bekteshi, Pal Lekaj dhe Haxhi Shala.
15 dhjetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!