Tërhiqet nga debati projektligji për marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi

DemarkacioniQeveria e Kosovës, vendosi tërheqjen nga rendi i ditës në parlamentin e Kosovës,të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se një grup parlamentar nuk është i pranishëm dhe ka kërkuar siç tha, koncesione në këmbim të pjesëmarrjes dhe votimit të këtij projektligji.

Ai ju referua kësisoj vendimit të deputetëve të komunitetit serb për të mos marrë pjesë në mbledhjen e sotme të parlamentit, për shkak të sic thanë ata “situatës së sigurisë për komunitetin serb”. Po ashtu deputetët serbë thanë se partnerët e koalicionit nuk kanë përmbushur marrëveshjet që çojnë në përmirësimin e situatës së këtij komuniteti.

Kryeministri Mustafa tha se tërheqja nuk nënkupton ndryshim të projektligjit e as ri negocim të marrëveshjes, por do të ketë përpjekje për të siguruar një pajtim në shkallë më të gjerë.

Ratifikimi i marrëveshjes kërkon dy të tretat e votave 120 deputetëve sa ka parlamenti i Kosovës dhe mungesa e deputetëve nga Lisat Serbe e linte koalicionin qeverisës pa vota të mjaftueshme për ta kaluar marrëveshjen.

Përfaqësues të opozitës thanë se kjo në fakt nënkupton rënie të kësaj marrëveshjeje dhe tash është koha për rishikim të plotë të saj.

Seanca e parlamentit filloi me disa orë vonesë dhe përfundoi pas vendimit për tërheqjen e projektligjit.

Që nga mëngjesi, forca të mëdha të policisë ishin vendosur përreth institucioneve të Kosovës, ndërsa në sheshin qendror të Prishtinës nga orët e paradites ishin mbledhur grupe protestuesish në pritje të debatit në parlamentin e Kosovës. Ata u shpërndanë pas tërheqjes së projektligjit.

E nënshkruar një vit më parë, kjo marrëveshje ka bërë që Kosova të përballet me krizën më të thellë që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës për mënyrën e shënimit të këtij kufiri.

Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hedhin poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Debati për kufirin u përcoll gjatë një viti me skena të dhunshme në parlament e ndonjëherë edhe jashtë tij.

Policia e Kosovës tha të enjten se gjatë një operacioni për parandalim të veprimeve të kundërligjshme, ka zbuluar dhe konfiskuar rreth pesëdhjetë çanta me shishe me benzinë, të njohur si “koktej Molotovi”.

Të martën policia e Kosovës arrestoi gjashtë persona nën dyshimin për sulmin mbi ndërtesën e parlamentit në fillim të muajit gusht. Autoritetet thanë se gjatë kontrolleve në shtëpitë e të arrestuarve, që të gjithë veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje, janë konfiskuar armë zjarri, municione dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin. Sipas policisë hetimet kanë nxjerrë në pah se të dyshuarit kanë dërguar komunikata për marrjen e përgjegjësisë për sulmet e ditëve të fundit me emrin e Rugovasit.

Lëvizja Vetëvendosje tha se arrestimi i veprimtarëve të saj “është akt klasik i përndjekjes së kundërshtarëve politik“.

Sot, derisa po pritej fillimi i seancës së parlamentit, policia shoqëroi deputetet e kësaj lëvizjeje Donika Kadaj Bujupi dhe Aida Dërguti, meqë gjatë kontrolleve thuhet se u janë gjetur mjete të palejueshme. Ndërkohë policia Lëvizja Vetëvendosje e cilësoi këtë “një veprim represiv” të pushtetit. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>