Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që njihen edhe me termin Gjykata Speciale “nuk mund të shfuqizohen dhe as nuk do të shfuqizohet”, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Ky është qëndrim i shtetit të Kosovës”, ka thënë Thaçi, gjatë një konference për gazetarë në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka sqaruar edhe njëherë pozicionin e tij dhe të institucioneve të Kosovës, kur në vitin 2015, kishin vendosur të themelonin Gjykatën Speciale për krime lufte. Ai ka thënë se për këtë gjykatë, kishte vetëm dy opsione. Të dy opsionet, sipas Thaçit ishin të këqija, por u dashur që të zgjidhej e keqja më e vogël.
Ai e ka arsyetuar veprimin e atëhershëm të institucioneve dhe pozicionin e tij pro themelimit të kësaj gjykate me ruajtjen e partneritetit me aleatët perëndimorë.
“Duke pasur parasysh vizionin për të ardhmen, ruajtjen e partneritetit dhe miqësisë dhe besimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, kam marrë përgjegjësitë që më takonin atëherë si kryeministër i vendit, për trajtimin e raportit të Dick Martyt, për mua fantastiko-shkencor”, theksoi Thaçi.
Sipas tij, në kohën e miratimit të themelimit të Gjykatës Speciale, në vitin 2015, kishte dy mundësi, ose të themelohet kjo gjykatë përmes Këshillit të Sigurimit ose përmes legjislacionit të Kosovës në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
“Kosova dhe UÇK-ja kanë zhvilluar luftë të drejtë. E themelojmë gjykatën sepse nuk kemi pse të frikësohemi. E dimë që është e padrejtë, por është diçka që duhet ta gëlltisim për ruajtjen e partneritetit me SHBA-në, NATO-në dhe BE-në”, u shpreh Thaçi.
Riaktualizimi i Gjykatës Speciale ka pasuar nismën e një grupi prej 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara (Gjykatën Speciale). Këtë nismë, presidenti Thaçi nuk e kishte kundërshtuar e as përkrahur, çka kishte nxitur edhe reagime ndërkombëtare.
Thaçi, në këtë konferencë për media tha se deputetët kanë mandatin e popullit dhe nuk i takon atij që të ballafaqohet me ta rreth nismave që ndërmarrin.
Në të njëjtën konferencë, presidenti i Kosovës, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që ta ratifikojnë sa më shpejt Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që vendi t’i shpëtojë izolimit brenda Evropës.
“Dhjetë vitet e fundit kanë qenë vite të përparimit të gjithanshëm”, u shpreh presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se për dhjetë vjet shtet, Kosova është njohur nga 115 vende, ka kultivuar raporte të mira me aleatët ndërkombëtarë si dhe vite të relaksimit të raporteve me Serbinë.
Por, një shqetësim më vete, është shprehur në lidhje me izolimin e Kosovës, si vendi i vetëm pa një perspektivë të qartë integruese.
Thaçi theksoi se pret që strategjia e ardhshme e Bashkimit Evropian për zgjerim, do të përfshijë edhe Kosovën. Kjo strategji, nënkupton përmbushjen e obligimeve që ka Kosova karshi Bashkimit Evropian.
“Shpresoj që në të ardhmen e afërt, institucionet e Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të ratifikojnë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që qytetarët të lëvizin lirshëm pa viza, sikurse qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit”, theksoi Thaçi.
Ai inkurajoi Qeverinë dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i japin fund çështjes së Demarkacionit, duke dhënë shembuj konkret të relaksimit të raporteve mes vendeve të rajonit.
“Shqipëria diskuton me Greqinë për përmbylljen e çështjes së detit, kurse Maqedonia me Greqinë për çështjen e emrit”, ka thënë Thaçi, duke inkurajuar deputetët që të gjejnë zgjidhje rreth Demarkacionit të kontestuar me Malin e Zi.
Në disa raste, Thaçi deklaroi se në këto ditë “dhurata” më e mirë për qytetarët në 10-vjetorin e saj të pavarësisë do të ishte lajmi nga Bashkimi Evropian për heqjen e vizave. Por, para se ky “lajm” t’i vijë Kosovës, Thaçi inkurajon ratifikimin e Demarkacionit, si kushti i fundi i BE-së.
Presidenti ia ka rikujtuar Qeverisë së Kosovës edhe një obligim tjetër të paplotësuar ndërkombëtar, që ka të bëjë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Neglizhenca e treguar në lidhje me Demarkacionin dhe Asociacionin, sipas Thaçit, nuk krijon pikë politike për askënd, por vetëm krijon ngërç politik dhe zvarritje të proceseve në vend.
Gjatë kësaj konference, Thaçi ka thënë po ashtu se Kosova do të mbetet e përkushtuar edhe për vazhdimin e dialogut me Serbinë deri në njohjen reciproke mes dy shteteve. (rel)