URA MBI LUMIN IBËR

Luftetaret e paqesMarrë nga libri «Luftëtarët e paqës» | Grasset 2004 Shkruan: Bernard KOUCHNER

Mitrovica qytet me njëqind mijë banorë, e ndarë më dysh nga lumi Ibër: në jug shqiptarët, në veri serbët. Urën mbi lumin Ibër, para miqve e mi, e krahasoja me kalesën në Muzeun e Bejrutit, me zonën limanore të qytetit të Monrovias, me lagjet e përfshira në trazira të San Salvadorit; ndarje vdekjeprurëse e një qyteti.

Kjo urë e Mitrovicës qe bërë simbol i thyerjes së pangjitshme mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Kolonat franceze, të ngarkuara për këtë zonë gjatë futjes së aleatëve, më 12 qershor 1999, duke vendosur fushimin në jug të qytetit, nuk ndoqën policinë e Beogradit, por u ndalën në urë, duke futur rrallazi ndonjë njësit të vëzhgimit më në veri, ku zbuluan pjesëtarë të policisë dhe të vrasësve që bartin skalpet dhe flokë grashë shqiptare të varura në hallkat e rripit.

Me urdhër të kujt ishin ndalur (te ura) forcat tona çlirimtare?

Kurrë nuk kam mundur ta mësoj saktësisht, por ky ishte një gabim i madh politik.Ky ndalim i papritur, jo vetëm bëri nga Mitrovica një qytet të ndarë, por shkaktoi një ekzod masiv, një ndjekje reciproke e të përhershme të refugjatëve të nemitur e të privuar nga të gjitha, dhe u ofroi serbëve një territor strehimi të papritur, në kufi me Serbinë që ende drejtohej nga Millosheviçi. Shumë shpejt vullnetarët serbë organizuan në veri të Urës një polici të udhëhequr me mjeshtri nga Oliver Ivanoviç, sportist e mëhershëm profesionist.

Ai si njeri i guximshëm politik që ishte, u bë për UNMIK-un një bashkëbisedues i vështirë, dhe poaq i sinçertë sa mund të jetë njeriu në ato rrethana. Ai organizoi një njësi të armatosur të bridge watchers, rojat e urës, njerëz të armatosur të të gjitha tendencave, që nga njerëzit më të ndyrë e më brutal deri te patriotët më të devotshëm, të cilët kishin shtabin e tyre në Dolce vita, për ballë Urës, ku shënjuan «territorin e lirë serb», e të cilët përmes komunikimit me radiolidhje, mund të mblidheshin me alarmin e parë.

Ne u përpoqëm t’i zhvendosim disa herë, por kot. Edhe vetë kam shkuar nja dy herë për t’i vizituar në skutat e tyre. Atmosfera ishte e rëndë dhe kërcënuese. Një ofensivë e armatosur na mundësoi t’i vëmë përpara. Ne dëshironim të lirojmë një urë më në lindje dhe ia arritëm, Klaus Reinhardt, gjenerali gjerman dhe unë t’i ndjekim ushtarakisht rojat e urës, duke iu ofruar në mes të betejës, gjatë një dialogu armiqësor me Oliver Ivanoviçin, mundësinë të vëzhgojnë nga një apartament më lartë në qytet qasjet në territorin e tyre.

Por komandanti francez i zonës ishte kundër lëvizjeve tona që rrezikonin autonominë serbe në pjesën e epërme të qytetit të Mitrovicës. Më kujtohen diskutimet e vështira mes gjeneralit gjerman dhe oficerit të lartë francez, gjeneralit Pierre de Saqui de Sannes. Përballë kundërshtimit të francezve, të paktën atë ditë, ne nuk mundëm të shkojmë më larg.

Një komandant brigade i Natos, a fortiori në një operacion të OKB-së, gjithnjë ka mundësi ta refuzojë një urdhër, duke iu referuar instruksioneve të Ministrisë së vet të Mbrojtjes. Në rast krize ai duhet t’i telefonojë menjëherë ministrisë së vet, gjë që komplikon çështjen e komandimit unik aq të domosdoshëm. Prandaj duhet përgatitur me shumë kujdes çdo operacion i cili vë në lëvizje shumë brigada të kombeve të ndryshëm. Gjatë gjithë misionit tonë, qyteti i Mitrovicës mbeti një plagë e dhimbshme në trupin e provincës, një problem human i pazgjidhur dhe i pa dalje politike, një kokëçarje teknike, një kurth.

Në fund të qërshorit dhe në fillim të korrikut të vitit 1999, bombardimet çuan te negociatat e Kumanovës, në Maqedoni, nën drejtimin e gjeneralit Jackson. Ndërkohë, miqtë që i takonin celulës urgjente pranë Que d’Orrsay-s, të cilën e kishim themeluar, tash ishin alarmuar sepse funksionarët kishin arritur ta shpartallojnë atë.

Doktori Michel Bonnot, që kishte krijuar atë celulë dhe Jean-Luis Machuron, themeluesi i Farmacistëve pa kufij, dy burra të guximshëm e të gatshëm për të kaluar ngado; kishin huazuar një veturë të ambasadës franceze në Maqedoni dhe provuan të arrijnë në Prishtinë para trupave angleze, duke tejkaluar kolonat e refugjatëve kosovarë që ktheheshin nga ekzodi i tmershëm që kishte alarmuar teleshikuesit.

Micheli dhe Jean-Luis do ta gjejnë qytetin pjesërisht të shkatërruar, por situatën mjaft të qetë. Ata më pyetën se çka duhet bërë. Refleksi i ministrit që isha më bëri t’i këshilloj se, meqë kanë arritur në Prishtinë para trupave, të shkojnë dhe të përgatisin pritjen e njësive franceze në Mitrovicë, zonë që ishte caktuar për ta ngulur përkohësisht flamurin trengjyrësh të Francës. Ata morën rrugën e veriut dhe arritën në Mitrovicë në mes të betejës.

Atje kishin takuar menjëherë përgjegjësin shqiptar, Bajram Rexhepin, një kirurg të vlerësuar të UçK-së, me të cilin operojnë në kushte të vështira. Spitali i madh i Mitrovicës ndodhej në pjesën veriore të qytetit, te serbët. Në atë ent, ashtu si dhe në të gjitha strukturat e tjera publike të Kosovës, shqiptarët ishin dëbuar nga vendet e tyre të punës qysh dhjetë vjet më parë. Në vend të tyre ishin vendosur serbët e «importuar» nga Beogradi. Atje mbretëronte kështu një apart’heid administrativ e medikal.

Ata kalojnë shumë herë urën e rrezikshme të Ibrit, duke tentuar të pranohen dhe të operohen në spital të plagosurit shqiptarë. Por konstatojnë se policët serbë pushtetonin në anën tjetër të lumit, anise banohej nga popullsi e përzier, e ku masakrat dhe qërimi i hesapeve vazhdonin. Ata bëjnë shumë përpjekje e vajtjeardhje për të bindur përgjegjësit e spitalit që të mos bëjnë dallime etnike te të plagosurit.

Fillimisht ata ia arrijnë kësaj, dhe, më vonë, unë jam përpjekur t’i mbështes në përpjekjet që të imponojnë një paanshmëri mjekësore, por kjo u tregua krejt e pamundur. Përkundër një fillimi të mbarë, dhe takimeve të përbashkëta që kryesova, gjatë të të cilave mjekët kosovarë e serbë pranonin ta planifikojnë mbarëvajtjen e spitalit, politika e imponuar nga të fortit e Beogradit, megjithatë ngadhnjente.

Nuk u arrit asgjë; as autobusi i mbrojtur nga ushtria për të transportuar të sëmurët nuk funksionoi, as personeli i guximshëm shqiptar që tentonte të vijë e të punojë aty nga ishin ndjekur këtu e dhjetë vjet më parë nuk u lejua, as ardhja e një drejtoreshe franceze, sypatrembures Murielle Arondeau dhe zëvendësit të saj nuk ndreqën gjë.

Grevat shpërthenin pa prit e pa kujtu, të hollat e freskëta që arrinin nga Beogradi blenin turpin e mjekëve dhe personelit që i nënshtrohej urdhërave të një praktikanti serb, pak të respektueshëm, me emrin Milan Ivanovic. Spitali vazhdonte të refuzojë të sëmurët shqiptarë, disa prej të cilëve edhe pse ruheshin nga ushtarët e Kforit, u ndoqën prej aty. Me një rast u desh të hapet dera kryesore e spitalit me buldozher. Spitali i Mitrovicës qe disfata ime e parë dhe simbolike.

French doctors – Mjekët pa kufij dhe Mjekët e botës, patën arritur kudo në botë të imponojnë një qasje humaniste e të ekuilibruar të mjekimit. Në Kosovë kjo qe një fiasko dhe ogur i keq në këtë “mission impossible”. Për të korrë një fitore do të duhej filluar një betejë ushtarake që do t’ju mundësonte trupave të Natos ta marrin këtë pjesë të Kosovës veriore. Unë isha i gatshëm, Kfori gjithashtu. Por ja brigadat…

Konfrontimet nuk u ndalën kurrë. Shumë administratorë rajonal u zëvendësuan, të cilët me suksese e strategji të ndryshme tentuan ta zëbutin qytetin e harbuar, por i thyen dhëmbët aty. Sir Martin Garrod, një gjeneral i mëparshëm i marinës, i cili kishte pasur sukses në Mostar, ishte i pari. Por shëndeti i tij ishtë i dobët dhe ne u detyruam ta zëvendësojmë me një prefekt italian, Mario Marcone, i cili u përpoq t’i bëjë të gjitha edhe në momente shumë të rënda. Pastaj Madeleine Albricht propozoi një gjeneral demokrat amerikan, Bill Nash. Ishte një nga ata të moçmit e Bosnjes, me të cilin ndihmësi im Jock Covey kishte pasur disa vështirësi. Jock ishte zotëri madh për të pranuar Bill-in, i cili dikur u bë mik. Ai ishte tepër i inflencuar nga personaliteti i Oliver Ivanoviç-it, duke ndihmuar njëherit edhe shqiptarin, Bajram Rexhepi, i cili u bë kryeministër, që ta transformojë pjesën jugore të qytetit. Bill Nash kishte një shkathtësi të jashtëzakonshme për kontakt njerëzor: meqë edhe nuk mund të prisnim më shumë, ai i bëri të dy grupet etnike të këndojnë elozhet e tij.

Pastaj erdhi gjenerali anglez, Tony Welch, inventiv e vëllazëror, e i cili u ndesh me pasardhësit e mi.

Marrë nga revista «Pasqyra» (Përktheu Xh. Shatri)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>