Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Olivér Várhelyi, tha në Prishtinë se BE do të punojë me vendet në rajon që të rikthejë kredibilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian Olivér Várhelyi, tha në Prishtinë se BE-ja ka ndarë 9 miliardë euro grante për Kosovën dhe rajonin, shumë kjo që pritet të arrijë me projekte konkrete edhe në 20 miliardë. Sipas tij, ky plan pritet ta rrisë ekonominë e Ballkanit me 3 për qind deri në 5 për qind. Këtë deklaratë Olivér Várhelyi e bëri në një konferencë për medie së bashku me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti, gjatë një vizite që po zhvillon në Kosovë. Varheyli, tha se me planin ekonomik të investimeve janë angazhuar nga dita e parë për ndryshimin e realitetit ekonomik për bizneset dhe qytetarët.
“Sot shënohet një ditë ku mendoj se kam sjellë lajme të mira, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin. Kemi filluar të punojmë me ju me procesin që të rikthejmë kredibilitetin si për Ballkanin Perëndimor por edhe për shtetet anëtare. Kemi tejkaluar vështirësi tjetër të madhe për të arritur marrëveshjen për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne kemi arritur rezultate në këtë si një pjesë e madhe e strategjisë sonë”, tha komisioneri i BE.
Ndryshim i lojës për rajonin
Olivér Várhelyi e vuri theksin tek e ardhmja që do të sjellë ndryshim të rajonit. “Para jush është plani ekonomik dhe i investimeve, që ne i kemi angazhuar nga dita e parë për të ndihmuar në ndryshimin e realiteteve në këtë vend dhe rajon. E kam fjalën në realitetin ekonomik për qytetarët, bizneset, mundësitë ekonomike dhe sociologjike. Mendoj se plani i investimeve ekonomike mund të jetë ndryshim i lojës për rajonin, mund të ndryshoj thelbësisht rajonin brenda katër apo pesë vitesh”, tha Várhelyi. Ai tha se në bashkëpunim me institucionet financiare do t’i vijnë në ndihmë Kosovës e Ballkanit në përgjithësi për rimëkëmbjen e ekonomisë. “Ne po ndajmë 9 miliardë euro në grante dhe në koordinim me institucionet ndërkombëtare financiare do të krijojmë 20 miliardë shtesa në rajone. Ne presim që ky plan do të rris ekonominë m 3 për qind deri në 5 për qind, dhe ky është një kontribut i madh, një kontribut i konsiderueshëm për rimëkëmbjen ekonomike dhe pas krizës së COVID-19, ne po krijojmë prioritete.”
Kriteret e liberalizimit janë plotësuar
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi, në takimin me kryeministrin Avdullah Hoti ka folur edhe rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, si i vetmi vend në Evropë që akoma nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën shengen. Várhelyi tha se Kosova i ka përmbushur kriteret e caktuara për liberalizim, por tani duhet bindur shtetet anëtare që të marrin vendimin dhe sipas tij, kjo nuk është e lehtë. “Nuk ka asnjë takim të vetëm që nuk e kemi diskutuar këtë çështje. Unë po përpiqem të ndihmojë që t’i bind shtetet anëtare për nevojën që të ofrohet liberalizimi i vizave për Kosovën. Vlerësimi jonë mbetet që i keni përmbushur të gjitha kriteret, por vlerësimi jonë nuk mjafton, sepse KE nuk merr vendim. Ne duhet t’i bindim shtetet tona anëtare që të votojnë pro dhe për këtë jemi duke punuar”, u shpreh Olivér Várhelyi. Ai tha se kjo do të arrihet nëse dëshmohet përparimi në terren, në punën ditore. “Na jepni kohë dhe hapësirë ta arrijmë këtë dhe do ta arrijmë atë”, tha Varhelyi.
Hoti: Projektet e Kosovës janë pranuar
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, nga ana e tij tha se projektet e qeverisë së tij janë përfshirë në planin e ndihmës së BE-së për Ballkanin Perendimor. “E them me shumë kënaqësi që projektet që kemi propozuar si Qeveri, për t’u bërë pjesë e këtij plani janë përfshirë plotësisht, përfshirë këtu autostradën dhe hekurudhën Prishtinë-Merdare, gazpërçuesin nga Maqedonia e Veriut, trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë, e projekte tjera”, tha Hoti. Kryeministri i Kosovës në takim me komisionerin Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Olivér Várhelyi, ka diskutuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin tha se “është me rëndësi të thuhet se ekziston konsensus shoqëror për dialogun”.
“Kemi hyrë në proces të dialogut për marrëveshje paqeje, kur arrihet ky normalizim i plotë është vetëm me njohje reciproke. Ne jemi të përkushtuar në dialog, 1 muaj, 2 muaj apo 1 vjet. Nëse nuk arrijmë marrëveshje përfundimtare nuk kemi çfarë të bëjmë vazhdojmë si dy shtetet të pavarura fqinje që nuk e njohin njëra tjetrën”, tha kryeministri Avdullah Hoti. Ndërsa, komisionieri nga Brukseli nuk deshi ta komentojë shumë procesin e dialogut, por tha se “negociatat nuk janë të lehta, por është një momentum që ka filluar të zhvillohet”, dhe ai shpreson në arritjen e një marrëveshje gjithpërfshirëse.
dw