Vendoset reciprociteti ndaj Serbisë, shfuqizohet taksa

KurtiQeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim që të shfuqizojë tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe të fillojë me zbatimin e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se vendimi obligon që në marrëdhëniet me Serbinë, emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe dokumentet tjera përcjellëse si dhe në certifikatat veterinare dhe dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në​ përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës.

“Vendimet e miratuara janë të obliguara t’i zbatojnë policia kufitare, dogana, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe institucionet e tjera përgjegjëse”, thuhet në një komunikatë nga zyra për media e Qeverisë së Kosovës.

Gjatë një konference, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, kanë deklaruar se vendimi mbetet në fuqi deri më 15 qershor me ç’rast do të bëhet një vlerësim i gjithëmbarshëm i mbarëvajtjes së vendimit.

“Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor, me ç’rast ne do ta bëjmë një vlerësim të gjithmbarshëm të asaj se si ka ecur mbarëvajtja e këtij vendimi sa i përket zbatimit, pra sa i përket implementimit. Me këtë rast, nuk do të mjaftohemi vetëm me vlerësimin e gjithmbarshëm më 15 qershor, por pika 3 e këtij propozim-vendimi thotë që zbatimi dhe përshtatshmëria e këtij vendimi do të rishikohen së paku një herë në muaj. Pra në mënyrë periodike, por së paku një herë në muaj, do të rishikohen duke mbledhur të dhënat nga zyrtarët tanë doganorë se si eci puna e reciprocitetit”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se ashtu siç është premtuar, së pari është bërë gjesti i vullnetit të mirë për heqjen e tarifës 100 për qind në lëndën e parë, për të vazhduar me zëvendësimin e tarifës 100 për qind me reciprocitetin me Serbinë, duke e bërë këtë zëvendësim të sigurt dhe gradual.

“Në ketë rast ne i referohemi vetëm reciprocitetit me Serbinë që do të thotë me Bosnje e Hercegovinën e heqim tarifën 100% pa asnjë shtesë tjetër”, tha Kurti.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, tha se ky vendim është i bazuar në shumë argumente.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqje të tarifës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Bashkëpunimi rajonal është kyç ashtu si është tregtia e lirë, në një kohë krize si tash me përballjen me COVID-19″, tha ai në Twitter.

Ndërkaq, ish- kryemistri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se heqja e taksës 100% për Vuçiqin e Serbisë e Dodikun e Republikës serbe të Bosnjës, është nënshkrim i dhënë për të lejuar ripushtimin ekonomik e tregtar serb në Kosovë.

“Me këtë mashtrim, Kurti ia humbi përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai në Facebook.

Zyrtarë të Doganave të Kosovës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të zbatojnë çdo vendim të Qeverisë së Kosovës.

Adriatik Stavileci, në një prononcim për REL, thekson se Dogana vetëm pret udhëzimet nga Qeveria e Kosovës.

“Normalisht, Dogana zbaton masat që merr Qeveria e Kosovës. Normalisht edhe vendimin për reciprocitet dhe secilin vendim të Qeverisë së Republikës se Kosovës, Dogana do të respektojë në maksimum”, tha ai.

Që nga heqja e taksës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, Stavileci tha se në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë prej rreth 1 milion euro.

Ndryshe, tarifën doganore 100 për qind e kishte vendosur Qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018.
Që nga vendosja e taksës për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind.

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018 – kur u vendos taksa 100 për qind – gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo rreth 450 milionë euro brenda një viti.

Taksa 100 për qind për importet nga Serbia ka ndikuar që dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërpritet.

Kundër kësaj takse, që nga vendosja e saj, ishin deklaruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi që nga ajo kohë, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë.

Një masë reciprociteti ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar edhe në korrik të vitit 2011.

Kjo masë e reciprocitetit në atë kohë ishte marrë pasi që Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë në Kosovën në vitin 2008, kishte bllokuar mallrat nga Kosova për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>