Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit Victoria Nuland pret nga Serbia që të çojë përpara bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland, u tha zyrtarëve të Beogradit se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara të shohin Serbinë në familjen e vendeve evropiane. Zonja Nuland qëndroi të martën në Beograd për të takuar udhëheqësit më të lartë politikë të Serbisë në kuadër të vizitës që po i bën rajonit.
Ajo e shfrytëzoi këtë vizitë për të nxitur Kosovën dhe Serbinë që të çojnë përpara bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Para se të vizitonte të dyja vendet ajo tha se Kosova dhe Serbia po bëjnë përparim në shërimin e plagëve të së kaluarës dhe arritjen e marrëveshjeve për të jetuar si fqinjë të mirë. Por, puna është larg të qenit e përfunduar. Ajo shprehu siç tha dëshirën që viti 2015 të jetë periudhë e avancimit të bisedimeve, në mënyrë që Bashkimi Evropian të hap kapitujt e negociatave me Serbinë dhe të nënshkruajë marrëveshjen e stabilizim asocimit me Kosovën. Por, kjo kërkon vendime kurajoze në Prishtinë dhe Beograd, tha ajo duke u bërë thirrje palëve që siç tha, të shfrytëzojnë këtë moment.
Udhëheqësit politikë serbë thanë se i kanë shprehur zonjë Nuland përkushtimin ndaj bisedimeve me Kosovën, të cilat janë kusht për përparimin drejt integrimeve evropiane. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në bisedime në shkëmbim të integrimeve.
Zonja Nuland gjatë qëndrimit në rajon ka shprehur shqetësimin e saj me faktin se siç tha, korrupsioni mbetet pengesa kryesore e përparimit në Ballkanin perëndimor. Ai është kancer që shtrydhë fuqinë e demokracive dhe çon në papunësi dhe trazira. Për më tepër, ai krijon dobësi që autokratët dhe ekstremistët e dhunshëm mund t’i shfrytëzojnë, tha thënë ajo.
Ndihmës sekretarja Nuland e cila të mërkurën shkon në Ukrainë, diskutoi me shefin e diplomacisë serbe Ivica Dacic, i cili kryeson Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, për rrugët e zgjidhjes së krizës në Ukrainë.
Serbia është vënë në mes të synimeve për integrimet në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore. Për shkak të kësaj qasjeje ajo ka refuzuar të mbështesë sanksionet evropiane ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës.
Javën e kaluar Rusia i vuri veton një projekt-rezolute të Kombeve të Bashkuara që e dënonte si akt gjenocidi masakrën e Srebrenicës
Presidenti serb Tomislav Nikoliç, tha të martën se rezoluta e cila ishte mbështetur nga Shtetet e Bashkuara do të mund të nxiste konflikte në vend të pajtimit, ndërsa u shpreh i dëshpëruar që Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për Srebrenicën, me të cilën dënohet gjenocidi i kryer 20 vjet më parë.
Më 11 korrik të vitit 1995, trupat e serbëve të Bosnjës, pushtuan Srebrenicën, një qytet që ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara, duke ekzekutuar rreth tetë mijë mysliman boshnjak. (voa)