Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar se “arsenali” për të cilin policia thotë se e ka gjetur dje në një garazhë në “Dardania” të jetë i tyre.
“Lokalet që janë në shfrytëzim nga ne, janë okupuar pra nga forcat paramilitare dhe ne nuk marrim përgjegjësi për asgjë që këto forca kanë bërë në mënyrë të jashtëligjshme aty. Sikur në rastin e arrestimit e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s për terrorizëm, që në fund doli të jetë inskenim dhe montim nga po ky grup paramilitar i kapur nga klani pronto, edhe gjësendet e gjetura në objektet tona janë në linjën e njëjtë të logjikës inskenuese”, thuhet në reagimin e VV-së.
Përmes një reagimi, VV thotë se hapësirat e kësaj lëvizje janë bastisur pa njoftim paraprak dhe pa praninë e askujt.
“Policia e Kosovës të mërkurën në mbrëmje ka rrethuar disa hapësira që janë në shfrytëzim nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe ka bastisur ato, pa praninë apo njoftimin e asnjë zyrtari të Lëvizjes – gjë që është obligim ligjor në rastet kur bëhen bastisje”, thotë VV. (rtk)