Skena e këngës dhe teatrit, krahas kontributit të gjerë në muzikë, do ta njihte për baletin e parë “Halili dhe Hajria”, apo këngën refren dashurie, si: “Me lule të bukura, due me t’dhurue vashë, një kurorë…”. Spektri i nuancave të muzikës së mirëfilltë shqiptare, do të ishte i zbehtë pa shkëlqimin e notave autentike të kompozitorit Tish Daija.
Daija lindi më 30 janar 1926 në Shkodër, në një familje të thjeshtë. Pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit françeskan”, ku nën drejtimin e P. Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut, merr mësimet e para muzikore, bashkë me Tonin Harapin, Çesk Zadejën, Lukë Kacajn, Simon Gjonin. Në moshën 10 vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane”, që drejtohej nga Prenk Jakova.
Krijimtarinë muzikore e filloi nën tingujt e fizarmonikës. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, “Bjeri Gajdes Gajdexhi” etj.
Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes. Më 1956, Tish Daija kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Gjithashtu, Tish Daija ka dhënë një kontribut themelor në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe për krijimin e një tradite të çmuar shqiptare të muzikës klasike.
Së bashku me Çesk Zadejën e Tonin Harapin, krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku ka dhënë kontributin e tij si pedagog në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh e instrumentistësh.
Mbas studimeve emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Tish Daija ka qenë udhëheqësi artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për 18 vjet (1962-1980). Autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, “Bijtë e Peshkatarit” etj.
Ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare në 3 tetor 2003
56-vjetori
Halili dhe Hajria, baleti i parë shqiptar
Halili dhe Hajria është një vepër baleti tërësisht shqiptare, e para në skenën e baletit shqiptar.
Ishte 13 janari i vitit 1963, kur kompozitori Tish Daija, baletmaestri Panajot Kanaçi, dirigjenti Mustafa Krantja e një suitë e tërë artistësh, vunë në skenë baletin “Halili dhe Hajria”.
Interpretuesit e parë në rolin e Halilit, kanë qenë Xhemil Simixhi, Kristaq Rada dhe Llaqi Nako dhe në rolin e Hajries: Ganimet Vendresha (Simixhi) Zoica Haxho, ndërsa në rolet e tjera përmenden emrat e Luan Shtinos, Miltiadh Papës, Agron Aliajt, Skënder Jazexhiut, etj.
Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj.
Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të 150-ën herë, ndërsa në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe jashtë saj u luajt mbi 250 herë. Në turnetë në Greqi, Itali, Turqi, Francë, ka pasur sukses të padiskutueshëm. Në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze, më pas edhe në Prishtinë.
Në të dy rastet baletmaestër ka qenë i madhi Panajot Kanaçi.
Konica