Sot përkujtojmë 90-vjetorin e lindjes së tenorit legjendar Gaqo Çako (24 janar 1935), mbajtës i titullit të lartë “Nder i Kombit”. Një prej kolosëve të skenës operistike shqiptare, Gaqo Çako dha një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, si dhe në artin shqiptar në tërësi.
I konsideruar si tenori më i madh i operës shqiptare, mjeshtri Çako interpretoi rolet kryesore të repertorit të pasur operistik, duke shënuar tri dekada të arta në skenën e madhe të operës shqiptare. Performancat e tij e ngritën artin operistik shqiptar në nivele të larta artistike dhe teknike.
Repertori i tij përfshinte vepra të famshme botërore si: La Traviata, La Bohème, Rigoletto, Norma, Cavalleria Rusticana, Peshkatarët e Perlave, Madame Butterfly, si dhe operat shqiptare: Mrika, Lulja e Kujtimit, Pranvera, Heroina, Skënderbeu, Komisari, Zgjimi, Toka e Jonë, dhe Goca e Kaçanikut. Këto interpretime e bënë një figurë të pavdekshme jo vetëm në skenën shqiptare, por edhe në atë ndërkombëtare.
Karriera e tij nuk kufizohej vetëm në skenën operistike. Ai interpretoi një repertor të gjerë që përfshinte arie, romanca, këngë popullore të përpunuara dhe muzikë të lehtë. Me zërin e tij lirik, Gaqo Çako performoi në qindra koncerte brenda dhe jashtë vendit, në Evropë, Azi, Afrikë, Amerikë dhe deri në Kubë. Ai ishte një ambasador i kulturës vokale shqiptare, duke sjellë në interpretim këngët tradicionale popullore shqiptare dhe këngët e festivaleve të Radios.
Si pedagog i shquar i kantos në Akademinë e Arteve, Çako ka lënë pas një trashëgimi të vyer, me shumë nga studentët e tij që sot luajnë role të rëndësishme në jetën muzikore shqiptare dhe ndërkombëtare. Ai kontribuoi gjithashtu si regjisor, duke vënë në skenë vepra të rëndësishme operistike.
Gaqo Çako mbetet një ikonë e artit dhe muzikës shqiptare, një shembull frymëzimi për brezat e rinj dhe një figurë që do të kujtohet gjithmonë me respekt dhe krenari.
tkob
Ndëgjojeni ne youtube një perlë nga Gaqo Çako: