U promovua vëllimi “Vepra të zgjedhura” të Mid’hat Frashërit që përfshin 60 proza meditative të panjohura. Studiuesi Aurel Plasari gjatë kumtesës së tij zbulon permanencat historike dhe përkimet e hidhura me Shqipërinë e sotme në shkrimet e Mid’hatit
Ndonëse amaneti i Mid’hat Frashërit, alias Lumo Skëndos, për t’u prehur në cepin e kopshtit të Institutit Albanologjik, që ai ëndërronte dhe për krijimin e të cilit la gjithë pasurinë e tij nuk u jetësua, me siguri shpirti i tij do të lehtësohet. Eshtrat e publicistit, shkrimtarit, përkthyesit, albanologut, diplomatit, veprimtarit të çështjes kombëtare, politikanit dhe nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, tanimë të kthyera në atdhe do të vendosen pranë memorialit tw Vëllezërve Frashëri në Parkun e Madh, duke u plotësuar kështu edhe dëshira e pasardhësve të tij. Pas dy vëllimeve të para, u promovua ditën e djeshme “Vepra të zgjedhura” të Mid’hat Frashërit, ku përfshihen tregime, skica, rrëfime poetike dhe 60 proza meditative të bëra publike për herë të parë. Gjatë promovimit të librit ishte i pranishëm edhe Ismail Kadare, pasardhës të tij (mbesa Najada Toptani), përfaqësues të institutit “Lumo Skëndo”, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, studiues, letrarë dhe dashamirës të kësaj figure të rëndësishme kombëtare. Në vëllimin e tretë të botimeve për Mid’hatin, është botuar edhe parathënia “Drama e një lideri” nga Ismail Kadare, një material i shkruar rreth një dekadë më parë nga shkrimtari për dramën “Foleja kombëtare” të Mid’hatit. Në këto faqe Kadare cek gjithashtu problematika të teatrit, por edhe të dramaturgjisë shqiptare si dhe rrezikun për një otomanizim të ri të vendit tonë. Gjatë ditës së djeshme u zbulua edhe pamja e skulpturës së Mid’hatit e realizuar nga skulptori Agim Rada.
Ironia therëse e Skëndos për doktorantët që nuk njohin alfabetin deri në fund
Studiuesi Aurel Pasari gjatë kumtesës që mbajti ditën e djeshme në kuadër të promovimit të veprës së Mid’hat Frashërit “Vepra të zgjedhura”, shpjegoi se ky vëllim i tretë përbëhet nga shkrime të tij të përmbledhura nën titullin “Duke kënduar një libër”. Këto shkrime, sqaron studiuesi, kanë qene botuar në revistën “Hylli i Dritës”, por hera-herës edhe në revistën e tij “Dituria”, “Dodona”; “Besa” etj. Plasari shtoi më tej se këto shkrime përfshijnë gati një dhjetëvjeçar (1922-1931). Mandej ai citoi programin e këtyre shkrimeve të përvijuara nga vetë Lumo Skëndo: “ Miqtë e mi të “Hyllit” do të kenë vënë re se në shkrimet që po botoj nën titullin ‘Duke kënduar një libër’ kujdesi im është t’ju jap një njoftim mbi veprën që botojmë për Shqipërinë dhe t’ju mbajmë koherent me idetë e botës përsa i takon vendit tonë”. Kombet si dhe njeriu nuk mund të rrinin indiferentë për opinionin që kanë të huajt për ta. Ç’thonë bota ?! Është një pyetje plot brengë që bën i moçmi. Kjo nevojë është edhe më e madhe akoma për ne shqiptarët, një komb i lindur, i ri në jetën politike, një popull i njohur ligsht dhe mbi të cilin është bërë një propagandë e ligë, Të njohurit e opinionit publik të botës për Shqipërinë s’është pra për ne një kuriozitet, një merak letrar, por më tepër një detyrë politike dhe patriotike”. Mandej studiuesi rrëfeu se Mid’hati i kishte alternuar autorët e huaj në dy çeta shkrimet e tij; në miq ose dashamirës të shqiptarëve dhe në armiq ose rival të tyre. “Të parët, i ka dalluar për objektivitetin, ndershmërinë, paanësinë, sinqeritetin, seriozitetin, por edhe për kurajën për t’i thënë të vërtetat. Ndër këta shkëlqejnë prej vlerësimeve të tij emra si koloneli Aubrey Herbert, deputeti Justin Godart, Edith Durham, etj. Të dytëve u ka vënë në dukje veset e trillimit, të mashtrimit, të ligësisë dhe të pandershmërisë. Stilin fyes e dektratues, deri edhe shitjen e penës”. Megjithatë, Plasari argumenton se Mid’hati tregohej shumë i kujdesshëm dhe elegant duke i trajtuar si “armiq pa dashje”, pasi që nuk dëshironte që Shqipëria dhe shqiptarët të kishin armiq. Sipas Plasarit balanca e zhdrejtë e ndikimit të të parëve dhe të dytëve, përbën shqetësimin madhor në të gjithë ciklin e shkrimeve “Duke kënduar një libër”. Studiuesi tregon se qysh në fillim të viteve ’20 Lumo Skëndo përvijoi edhe programin në trajtë detyrash për të përballuar betejën në atë mejdan siç e quajti. “Detyrat kryesore i ka përshkruar pak a shumë kështu;1)Të njohim mirë teknikën dhe armët e përdorura prej kundërshtarëve tanë. 2)Të këndojmë literaturat e tyre politike. 3)T’ia bëjmë atë të njohur popullit tonë. 4) T’i përgjigjemi asaj duke ditur si të ruhemi dhe të mbrohemi”. Plasari citoi gjithashtu një argumendës të Skëndos që ka vlera edhe në ditët e sotme: “Bota e di fuqinë e shtypit, pushtetin e botimeve që bren dhe përmbys fortesa”. Sipas tij, Lumo Skëndo prej më shumë se një dhjetëvjeçari e kryente atë detyrë, ndonëse për këtë nuk rezulton të jetë mburrur ndonjëherë. Aurel Plasari ndër të tjera gjatë kumtesës së tij bëri me dije se pothuajse në çdo faqe të ciklit “Duke shkruar një libër” gjen shumë përkime me realitetin tonë. “Si për çdo popull nuk ka përse të mos funksionojë edhe për shqiptarët parimi i permanencave historike dhe e shumta e përkimeve që ndeshen nuk janë të ëmbla përkundrazi!”. Studiuesi rrëfen se ndër më pikantet është ngacmimi që ai u bën paaftësisë së doktorëve (doktor, në kuptimin e njerëzve të ditur të Shqipërisë) për të zbritur në fushën e betejave të mendimit politik. Mid’hati shprehej se: “ Në një kohë që fletoret e shtypit shtohen si kërpudhat në tokën e plehun, kurse gazetat shndërrohen në industri nacionale, druaj që intelektualët tanë për nga mënyra se si e shkruajnë shqipen nuk e dinë alfabetin e gjuhës shqipe deri në fund. E dinë atë deri tek shkronja v, meqenëse shkronjat, x, z, y, zh, xh përdoren fare pak. Madje ata as që kanë kohë ta nxënë tërë alfabetin e shqipes duke qenë të zënë duke nxjerrë gazeta dhe për të vënë kandidaturën për tu bërë deputet, prefekt ose ministra. Në vijoftë puna kështu, Shqipëria do të bëhet një kafene e madhe!”.
Agim Rada: Skulptura e Mid’hat Frashërit u mbrujt me baltën që e gatoi këtë figurë!
Ai ka jetësuar në bronx personalitete të rëndësishme shqiptare, si Marin Barleti, Gjergj Elez Alia, Onufri, dhe Petro Marko. Skulptori Agim Rada e konsideron mundësinë për të realizuar skulpturën e Mid’hat Frashërit si një fat që i shton kolanës së krijimtarisë së tij edhe një gur të çmuar. Mes entuziazmit artisti gjatë ditës së djeshme u shpreh se: “Kjo është një vepër u mbrujt me baltën që gatoi këtë figurë kaq të ndritur, me baltën e Shqipërisë, ku dhe do të prehet!”. Skulptori rrëfeu se ka qenë një punë jo e lehtë, realizimi i një personaliteti të tillë, shkrirja e tipareve dhe portretit të tij në bronz, mirëpo ai është i kënaqur nga rezultati i arritur. Rada u shpreh se ai qëndron larg ideologjive dhe mundohet vetëm të nxjerr në dritë figurat e ndritura të kombit tonë. Ndër të tjera, ai shprehu dëshirën për t’i dhuruar një kopje të kësaj vepre Kosovës. “ Pas kësaj figure, më presin figura të tjera të ndritura, që janë lënë në heshtje. Këto personalitete janë si ato xhevahiret që ekzistojnë nëpër miniera, por ende presin të zbulohen. Edhe unë kam dëshirë t’i zbuloj, t’i lartësoj dhe kjo për mendimin tim është detyra e çdo atdhetari!”, konludoi Rada.
Agron Tufa: Proza e Mid’hatit e ngjashme me atë të Konicës!
Për shkrimtarin Agron Tufa, Mid’hat Frashëri paraqet një lloj shkrimi memuaristik, që sipas tij rivalizon dorë për dorë me letërsinë artistike, pa ja zbehur aspak forcën dëshmisë autentike. “Është qartësia, thjeshtësia, stili i gjallë e dinamik, toskërishtja letrare e kulluar që e shquan prozën e tij në atë nivel të ngjashëm me Konicën, e në disa raste në po ato nivele koniciane shkëlqen edhe ironia therëse e grotesku!”. Përpos kësaj , Tufa thekson se përgjithësisht prozat memuaristike të Mid’hat Frashërit të shkapërdarë në vite të ndryshme krijojnë kuadro të veçantë historike dhe ndonjëherë psikologjike, zbulime, qëmtime, meditime, asosacione idesh etj.
Agron Shehaj: Mid’hat Frashërit brezat e sotëm i detyrohen dyfish!
Si promovues i vlerave të veprës së Mid’hatit Agron Shehaj u shpreh ditën e djeshme entuziast që më në fund për veprimtari do të mund të prehej në vendin e tij dhe vepra e tij po del në dritë. “ Shqipëria e pavarur, shqipja e bukur dhe shpirti ynë perëndimor janë arritja e patriotëve etër të kombit tonë, mes të cilëve pa asnjë mëdyshje është Mid’hat Frashëri, pjesëtar i denjë i një prej familjeve më të rëndësishme të Shqipërisë. Shqiptarëve të tillë kombi ynë do t’u jetë mirënjohës në përjetësi, por Mid’hat Frashërit brezat e sotëm i detyrohen dyfish. I detyrohen mirënjohje për jetën dhe veprën në shërbim të Shqipërisë perëndimore, por edhe pendimin për përpjekjen për ta dënuar dhe harruar këtë jetë edhe vepër!”, u shpreh Shehaj. Sipas tij, prehja e eshtrave të tij në Shqipëri është jo vetëm mirënjohja që ne i bëjmë jetës së tij dhe shprehje e ndjesës së thellë të vendit të tij për vuajtjet që i solli birit, që e deshi më shumë se të tjerët, por edhe një monument që na bën të ndihemi një komb i lirë perëndimor.