SHPRONËSIM, SHPËRNGULJE, SHFAROSJE
Diktatura jugosllave peshon rëndë mbi të gjithë popujt e nënshtruar nga militaristët serbë. Kjo diktaturë është dërrmonjëse për shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të Ulqinit, Tivarit, Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë dhe Dibrës, të aneksuara me radhë në vitin 1880, 1912, 1919 dhe 1924 prej Serbisë.
Bëhet fjalë për afërsisht një milion banorë të privuar nga të drejtat më elementare.
S’ka edhe një shkollë e vetme shqiptare për këtë popullatë kompakte që e kalon numrin e asaj të Shqipërisë indipendente të sakateposur prej Traktateve. Asnjë shoqatë, bile as për mirëbërëse, s’i u është lejuar shqiptareve. Asnjë deputet nuk i përfaqësonte në Skupshtinën (Kuvendi Serb) e shpërbërë.
Udhëheqësi i tyre, Ferhat Draga, u dënua me njëzet vite burg për shkak se bëri krimin të vërë rishtazi kandidaturën në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kolegu i tij, ish-deputeti Nisam Gafur, u vra pabesisht në vitin 1927, po për atë arsye. Shoku i tij Jusuf Ahmeti, u vra gjithashtu kohët e fundit, sepse guxoi të zgjidhet këshilltar i Bashkisë së qytetit të Prishtinës.
Ja kështu hiqen qafe liderët tepër të mërzitshëm. Ata i vrasin në mes të ditës dhe në mes të qyteteve. Vrasësit janë anëtarë të njohur të bandave fashiste që terrorizojnë këta vise që nga luftërat ballkanike sipas urdhrave të Beogradit.
Disa të shtëna revolveri mjaftojnë për kryetarët. Sa për turmat fshatare, këta i shfarosin me zbrazje mitralozash, ose i shtrëngojnë të emigrojnë për t’u lënë vendin karvanëve fashistë serbë.
Ja kësisoj «serbizohen» sistematikisht të gjitha viset shqiptare e sidomos ato të ndodhura afër kufirit shqiptaro – jugosllav ose përgjatë udhëve të hekurta.
Me dhjetëra mijë fatzes shtrëngohen kësisoj të lënë vatrat e tyre çdo mot.
Kësisoj një grup prej tri mijë vetash nga këta të shpërngulur, pasi shetiti nëpërmes sinisisë ballkanike, për toke muaj me radhë, u shtrëngua gjithashtu të vijë rrotull me det. Nuk u jepet leje të dilnin në asnjë port. Disa që mbetën gjallë prej kësaj odiseje u vendosën në Shqipëri. Të tjerë vdiqën në rrugë të madhe nga uria, nga të ftohtit, nga mizeria e nga sëmundjet.
Më e keqja është se asnjë shtet nuk dëshiron t’i marrë këta refugjatë. Turqia është e mbushur plot, Shqipëria është e varfër për t’u ofruar atyre një shtëpi të re, ndërsa vendet e tjera janë të mbyllura ndaj këtij lloj migrimi masiv.
Fati i shqiptarëve të provincës së Çamërisë, provincë e aneksuar prej Greqisë, nuk ndryshon nga ai i kosovareve. S’ është veç një ribotim i tragjedisë ne tri akte : Shpronësim, Shpërngulje, Shfarosje.
Më sipër bëra fjalë për një milion shqiptarë në Jugosllavi. Po t’ju zihet besë jugosllavëve, s’kanë mbetur veç 700 000 !
I kanë hequr qafe domethënë 300 000 ?
Sa kohë do u duhet akoma për të likuiduar ata që kanë mbetur? Por këtë herë do t’i qërojnë shpejt e pa formalitet të kota.
Dhe kjo do të jetë një nga “gloriet” më të thjeshta të Dorës së Bardhë panserbe !
Përpara Europës përsëritet një tragjedi aq e përgjakshme sa ajo e armenëve në Azinë e Vogël. Por tragjedia armene ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore, kur ishte zor të qënit njerëzor, kurse tragjedia shqiptare në Jugosllavi ndodh para syve tanë në paqe të plotë, kur është zor të mendohet që njeriu mund te jete kaq gjakpirës.
Dhe megjithëkëtë s’e çan njeri kokën në kancelaritë europiane që janë fare mirë në rrjedhë të kësaj çështje.
Me sa duket, s’ju vjen mbare te kenë mëshirë.
Dhe kjo ka arsyet e saj. Në Azinë e Vogël, ishte fjala për krishterë të
shfarosur prej muhamedanëve turq.
Në Jugosllavi dhe Greqi, është fjala për muhamedanë shqiptarë të shfarosur prej serbësh e grekësh tepër të krishterë.
Ja ky është ndryshimi. Dhe ja kjo është që e shpjegon gjer më një pikë zemërimin e djeshëm dhe mosinteresimin e sotëm.
A jemi valle akoma në mes të kohës së mesme ?
Ka dhe një tjetër shpjegim, që vlen të parin :
– masakronjësit e ermenve ishin turqit armiq të Luftës së Madhe
– masakronjësit e shqiptareve janë serbet dhe greket, aleate të Luftës së Madhe.
Çdo gjë është e lejuar për aleatet fisnikë.
Por aherë jemi vallë akoma në mes të luftës ?
Për fat të keq po !
S’ka veç naivë që besojnë se u bë paqja e Versajës !
Fan Noli
Botuar ne gazeten Frenge ” CRI DES PEUPLES ” dhe ” Liria Kombetare ” Gjeneve 19 prill 1929.
-Shënim: Grafika dhe dialogu i sipërm nga shtypi europian i vitit 1912:
“Serbia në det (Durrës) gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912).”
Dialog midis banorit vendas dhe “mysafirit të paftuar” (okupator)!
Shqiptari pyet:
– A do të qëndroni këtu gjatë, zotëri”?
I paftuari Serb përgjigjet:
– Oh, varet!
Shqiptari:
-Shqiponjat me dy koka në këto anë ju shqetësuan shumë?!”
argo