Në kohën kur shqiptarët ishin të ndarë dhe jetonin në kushte të vështira, të papjekur si komb, mundoheshin të mbijetonin në mënyra të ndryshme, më e preferuara ishte ti shërbeje ndonjë pushtetari ose pasaniku, duke mos e çarë kokën shumë e shumë për vlera dhe rregulla, jo të vetëdijshëm, se mu kjo ishte edhe arsyeja e vuajtjeve dhe varfërisë së tyre kolektive dhe që me këta veprime i detyronin fëmijët e tyre që të ikin sa më larg nga ky vend i kontaminuar, në gjendje më të vështirë prej të gjithave ishin shqiptarët e Maqedonisë, të cilët edhe pse bënë luftë, përsëri nuk ia dolën që me Kushtetutë të jenë të barabartë me maqedonasit, bile edhe ato ligjet që ishin në Kushtetutë, nuk respektoheshin për shqiptarët, sepse shteti ishte i rezervuar ekskluzivisht për Maqedonasit dhe qeverisej nga Maqedonasit natyrisht e merrnin edhe ndonjë shqiptar me vete.
Qytetet shqiptare ishin në gjendje mizore, më mirë ishin të rregulluara dhe të organizuara fshatrat, sesa kasabatë.
Shumica e qytetarëve mbijetonin duke punuar punë të ndryshme dhe më e preferuara ishte tregtia, ashtu edhe Kërçovari dhe Strugani mbijetonte duke shitur fara dhe molla me sheqer dhe nuk zgjidhnin prej nga furnizoheshin, ndërsa Tetovari, Shkupjani dhe Gostivarasi shisnin fara dhe kryesisht furnizoheshin nga Turqia, Katari, Irani dhe së fundi filluan edhe nga Kosova.
Kërçovari me Struganin kishin siguruar tregun dhe mollët e tyre shiteshin shumë.
Por zullumi, gjithnjë e më shumë trashej dhe arriti deri në atë pikë, sa që u bë e padurueshme, kjo i detyroi, që Tetovari, Shkupjani dhe Gostivarasi të bashkoheshin dhe të bashkëvepronin. Ata u informuan se do organizohet përsëri një protestë, por këtë herë me mbështetje nga Kosova prandaj vendosën që të marrin pjesë, të provojnë fatin.
U përgatitën mirë dhe shkuan gati ndër të parët, me qëllim që të zënin vend të mirë, sepse kishin frikë që mos ua zënë vendin të tjerët, u ulën në një skaj dhe prej aty e vështronin situatën. Nuk vonoi shumë edhe protestuesit filluan ndalë-ngadalë të mblidhen, disi me një droje, sikur mundoheshin të mos bien haptazi në sy, sepse ishin të pasigurt se a ishin të rreshtuar në anën e duhur, në anën e fituesit të ardhshëm.
Kur u mblodhën rreth 100-200 protestues, Gostivarasi i padurueshëm i tha Tetovarit dhe Shkupjanit: A të hyjmë?
Tetovari më i zgjuar dhe më me përvojë u përgjigj: Prit, prit, mos u ngutni!
U mblodhën rreth 1000 protestues, Gostivarasi përsëri i tha Tetovarit dhe Shkupjanit: A të hyjmë ore?, ndërsa Tetovari, përsëri tha: Prit edhe pak! Nuk dihet si shkon puna, të sigurohemi! U bënë rreth 2000 protestues, tani edhe Shkupjani edhe Gostivarasi njëzëri iu drejtuan Tetovarit: A të hyjmë? Tetovari: Prit!
Kur u mblodhën rreth 5000 protestues dhe panë që erdhi edhe Bekim Qoku me Hysamedin Ferajn, atëherë Tetovari tha: Tani mund të shkojmë dhe Zoti na ndihmoftë, kështu të tre së bashku, Shkupjani, Gostivarasi dhe Tetovari, hynë me grushtin e lartë, duke bërtitur njëzëri, me zë të lartë:
Urdhëroni Fara taze! Urdhëroni molla me sheqer!