Sot janë bërë 74 vite nga vdekja e nismëtares së arsimit kombëtar, për vajzat shqiptare, Sevasti Qiriazi, shkruan KultPlus.
Sevasti Qiriazi-Dako, arsimuesja e atdhetarja e njohur shqiptare lindi më 24 shkurt të vitit 1871 në Manastir dhe vdiq më 30 gusht të vitit 1949. Ishte njëra prej grave atdhetare shqiptare dhe nismëtare e organizimit të arsimit kombëtar për vajza dhe gra.
Gjatë qëndrimit në Stamboll, Naim Frashëri ai që i dha mundësi Sevasti Qiriazi-Dakos të studionte në kolegjin me emër Robert College në Konstandinopojë e të luante një rol aktiv në arsimimin e grave. Shkollën e lartë e kreu në Stamboll, pas kthimit në atdhe nisi të punojë për shkollën shqipe të vashave. Ajo qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor të vitit 1891.
Me t’u kthyer në Shqipëri ajo mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më 1891. Kjo shkollë është edhe fillimi i një shkolle mbi bazën laike. Pas Luftës së Parë Botërore kjo shkollë njihej ende me emrin e familjes Qiriazi. Ajo mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Është thënë se Sevasti Qiriazi-Dako ka botuar një gramatikë për shkollat fillore (Manastir 1912) dhe ka redaktuar një radhë tekstesh historie. Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako (1878-1941) e me të motrën Parashqevi Qiriazi ajo vajti në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen “Yll’ i mëngjesit”.Motrat Qiriazi ishin mësueset dhe edukatoret e para të shkollës së vashave që u hap më 1891 në Korçë. Nga kjo shkollë dolën shumë emra të njohur të femrave të cilat kontribuan, jo vetëm në fushën e arsimit, por u bënë edhe luftëtare të njohura të çështjes kombëtare.
Sevasti Qiriazi mori pjesë në Kongresin e Elbasanit si dhe punoi në komisionin për shqyrtimin e teksteve shkollore të ngritur nga shoqëria “Përparimi”. Shkroi “Gramatika elementare për shkollat fillore”. Bashkëpunoi me atdhetarë dhe me Ismail Qemalin për çështjen kombëtare. Kur ishte kryetare e partisë “Partia Kombëtare Shqiptare” në SHBA, mbrojti të drejtat e shqiptarëve në shumë forume ndërkombëtare. Duke iu përkushtuar përparimit kombëtar dha ndihmesë në fushën e arsimit dhe emancipimit shoqëror të femrës shqiptare.
Kult