Ademi pranon të bisedojë me SASHK-un, vetëm nëse ndërpritet greva

Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e gatshme të ulet dhe të bisedojë për të gjitha kërkesat me përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës vetëm nëse këta të fundit vendosin që të ndërpresin grevën. Kështu thotë për ALSAT-M ministri Abdilaqim Ademi. “Ne jemi të hapur për të biseduar me SASHK-un për të gjitha temat për të cilat ata pretendojnë se duhet të diskutohet, por gjithmonë duhet të kemi parasysh se në kushte greve sigurisht se nuk mund të ketë bisedime pasi do të ishte një atmosferë presioni dhe atmosferë në të cilën edhe nuk mund të bisedohet. Shpresojë që kryesia dhe këshilli i SASHK-ut të miratojnë vendim për ndërprerjen e grevës dhe me këtë ti japin mundësi një dialogu konstruktiv”, tha Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Ademi pranoi se testimi ekstern është zhvilluar pjesërisht. Ai akuzoi SASHK-un për mos-informim të drejtë për të gjithë mësimdhënësit pasi pasojat nga mosnënshtrimi i nxënësve në këtë testim do ti bartin fëmijët, por edhe mësuesit. Ademi thotë se testimi ekstern nuk mund të hiqet nga procesi edukativo-arsimor, ashtu siç kërkon SASHK-u, por shtoi se Ministria është gatshme të diskutojë me sindikalistët uljen e dënimeve.

“Nëse një nxënës nuk i nënshtrohet vlerësimit ekstern i cili është obligim ligjor sigurisht që atij do ti shënohet nota e dobët në dëftesë dhe kjo do të ndikojë në suksesin mesatar të nxënësit. Gjithashtu kjo do të ndikojë dhe do të ketë pasoja negative edhe për mësimdhënësit sepse do të mund të ketë shmangie më shumë se një notë dhe kjo me automatizëm nënkupton që ai mësues duhet të jetë në listën e të dënuarve fatkeqësisht. Jemi gjithashtu të gatshëm që bashkë me SASHK-un të diskutojmë për uljen e dënimeve, jo vetëm për vlerësimin ekstern por edhe të dënimeve të tjera që janë paraparë me Ligjin për Arsim Fillor dhe të Mesëm”, u shpreh Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Ademi njoftoi se MASH nuk do të lëshojë paga mujore për mësuesit grevistë pasi ata duhet t’i paguaj sindikata. Ndërsa ata që nuk janë anëtarë, për fat të keq nuk do të marrin pagë as nga sindikata.

“Të gjithë mësimdhënësit që janë në grevë dhe janë anëtarë të SASHK-ut pjesën e rrogës nga 20 janari e deri në fund të muajit do ta marrin nga SASHK-u, kurse të gjithë mësimdhënësit që janë në grevë dhe nuk janë anëtarë të SASHK-ut, për fat të keq ata nuk do të mund të marrin rrogë nga MASH-i, respektivisht nga komuna, por nuk do të mund të marrin rrogë as nga SASHK-u sepse SASHK në këtë rast nuk mund të jap rrogë dhe të sigurojë dallimin e rrogës për ata që nuk janë anëtarë të SASHK-ut”, deklaroi Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Ademi tha se një nga kërkesat e SASHK-ut, rritja e pagave është paraparë me ligjin i ri i cili parash themelimin e Akademisë së mësuesve. Çdo mësimdhënës që do të licencohet do të ketë rritje të rrogës për 50 EU ose 13% nga rroga mesatare e tij. Valmir Kuçi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>