Buxhovi: “Sllavët e sotëm në Maqedoni s’janë maqedonas antik”

Historiani Jusuf Buxhovi këshillon intelektualët shqiptarë në Maqedoni që t’i qasen vetëdijes shkencore dhe jo asaj politike!Shqiptarët e Maqedonisë që nga mëvetësimi i Republikës së Maqedonisë kanë hasur në problem në lidhje me librat e historisë dhe me mënyrën se si janë shkruar këto libra mësimore nga ana e maqedonasve. Botëkuptimet maqedonase karshi shqiptarëve kulmuan me Enciklopedinë maqedonase më vitin 2009, ku shkruhej se shqiptarët ishin ardhacak dhe jo autokton në këto treva.
Përfaqësuesit tonë kanë pak kohë të lirë për tu marr më librat e historisë, për faktin se vlerat e tenderëve peshojnë mbi betejën shkencore me palën maqedonase.
Gazeta “Lajm” ka kontaktuar historianin shqiptar Jusuf Buxhovi në lidhje me pretendimet e maqedonasve të sotshëm për përvetësimin e antikitetit, si dhe heshtjen shqiptare ndaj këtyre shkrimeve e veprimeve. Ai thotë se maqedonasit antik kanë qenë pjesë e fiseve pellazgo-dardano-ilire, që rrjedhimisht do të thotë se shqiptarët e sotëm si pasardhës të ilirëve, janë edhe pasardhës të maqedonasve antikë.
“Sllavët nuk janë e as që mund të jenë popullsi antike, ngaqë kanë ardhur këtu nga shekulli VI e tutje pas erës sonë. Përkatësia gjeografike, në këtë rast Maqedonia, nuk do të thotë njëherash edhe përkatësi etnike-historike. Maqedonia antike mundet dhe duhet të kuptohet vetëm brenda për brenda kompleksitetit pellazgo-dardano-ilir dhe assesi ndryshe. Helenizimi është një faktor i vonshëm dhe i veçantë, që përkundër manipulimit dhe spekulimeve me të, me asgjë nuk ia ndryshon karakterin pellazg maqedonasve. Rreth këtyre çështje bëhet fjalë gjerësisht në pjesën e parë të librit tim “Kosova'”, ka thënë për “Lajm” Buxhovi.
Ai më tej thotë se: “Ka shumë popuj që janë identifikuar politikisht jashtë identitetit historik. Ky përcaktim, megjithatë, maqedonasit antik nuk i tjetërson nga familja pellazge-ilire, e aq më pak që i bën sllavë, siç nuk i largon shqiptarët nga rrënja e tyre pellazge, ku janë edhe maqedonët antik”.
I pyetur se pse te historianët shqiptarë në Maqedoni mbizotëron një heshtje karshi shkrimeve mbi antikën dhe prejardhjen e kombeve në Ballkan, Buxhovi përgjigjet:
“Epo, heshtin, sepse shumë prej tyre më me dëshirë sillen rreth identiteteve fetare se sa atyre etnike dhe kombëtare me rrënjë në antikitet! Kjo ka sjellë një pamje absurde që maqedonët të identifikohen me antikitetin pellazgë, ndërsa shqiptarët me atë fetar dhe demonstrimit maqedonas me ikonografi antike, t’i kundërpërgjigjen me ikonografi fetare-islame (me xhami etj)!”.
Historiani Buxhovi këshillon intelektualët shqiptarë në Maqedoni që t’i qasen vetëdijes shkencore dhe jo asaj politike!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>