Mijëra qytetarë sot në Tetovë të përkrahur nga shoqata të ndryshme qytetare protestuan kundër ndotjes së ajrit dhe duke bërë thirrje që menjëherë të ndërpritet helmimi masiv i banorëve të kësaj zone të gjërë të Pollogut. Drejtuesi i EcoGuerilla, Arianit Xhaferi theksoi se masoviteti i protestës është një mesazh për përgjegjësit aktual të kësaj situate, të cilët duhet të ndërmarrin masa urgjente për të tejkaluar situatën e krijuar që po rrezikon jetët e qytetarëve.
Protesta udhëhiqej edhe nga Nënat tetovare, të cilat ditëve të fundit kanë alarmuar situatën për humbjen e dhjetrave fëmijëve si pasojë e ndotjes masive.
Gjatë protestës kanë mbizotëruar dhjetra pankarta me thirrjet për ndalimin e ndotjes dhe ndërmarrjen e masave urgjente nga ana e personave përgjegjës në institucionet e vendit. Ndër to ishte edhe parrulla dominuese: “Stop gjenocidit ekologjik”, “Gruevski vrasës i Tetovës”, “Qeveria po subvencionon vdekjet tona”, “Ministër shkon N’P’9”, etj.
Në protestë kanë dominuar edhe skena tallëse me liderin e BDI, Ali Ahmeti, kryetaren e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, ministrin e Ekologjisë, Nuran Izairi, kryeministrin Nikola Gruevski.
Në protestë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të partive të vogla politike si Lëvizja për reforma e Ziadin Selës, Lëvizja Besa, RDK, PPD dhe shumë shoqata e aktivistë të tjerë.
Tetova konsiderohet si qyteti më i ndotur në vend, por edhe në Evropë. Ndotja po bëhet kryesisht nga kombinati i industrisë së rëndë “Jugohrom” që gjendet në periferi të qytetit, dhe që edhe përkundër rekomandimeve, Qeveria e lejon ate që të vazhdojë me punë dhe të ndotë masivisht tërë zonën. (INA)