Rezultatet e terenit nga anketa e Institutit Republikan Amerikan (IRI) për matjen e rejtingut të partive politike tregoi ndryshime të mëdha në skenën politike shqiptare. Gazeta “Utriniski” shkruan se pas BDI-së menjëherë radhitet partia e sapoformuar Lëvizja BESA, e cila kohë më parë ishte pjesë e organizimitë të protestës madhështore me mbi 30 mijë persona më 9 Maj në Shkup.
Gazetari Isen Saliu, aspak nuk është i habitur nga rezultatet e anketës së IRI-t, për sa i përket pozicionimit të partive politike në bllokun shqiptar. Ai thotë se pas protestës së 9 majit para Qeverisë, të organizuara nga Këshilli Opozitar, në të cilën pjesëmarrëse ishtë edhe BESA, shqiptarët pas një kohe të gjatë e kanë gjetur subjektin e tyre përmes së cilit do t’i kanalizojnë qëndrimet e tyre opozitare.
“PDSH-ja viteve të fundit nuk e ka shfrytëzuar si duhet hapësirën opozitare, të cilën e kishte në dispozicion tek blloku politik shqiptar. Tani kjo po i kthehet si bumerang”, – thekson Saliu për Utrinski.
Një nga shkaqet e rritjes së rejtingut të vazhdueshëm të BESËS, sipas Saliut është rënia drastike e rejtingut të BDI-së dhe përçarjet e thella brendapartiake të partisë së Ali Ahmetit, të cilat për çdo ditë e më shumë shtallen edhe në degët e tjera. Ai thotë se BDI ka rënie të madhe prej 14 % në 6 %, prandaj nuk mundet asessi ta merr veten, dhe se kjo tendencë e rënies mund të vazhdojë edhe më tutje, pasi tanimë nuk e ka një rival si PDSH-ja me të cilën lehtë arsyetoheshin se kanë “gjynahe të përbashkët” si koalicionimin me VMRO – DPMNE-në, por rival e ka një subjekt politik i cili në këtë pikëpamje është i pastërt, ka shtuar Isen Saliu për këtë gazetë. (ina)