Maqedonia ka shtuar aspiratat për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe shpreson se kjo do të ndodhë shpejt. Autoritetet lënë të kuptohet se janë të gatshme që në Aleancë të hyjnë me referencën e përkohshme FYROM (Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë), që është në përdorim ndërkombëtar.
Në një konferencë të organizuar nga Instituti për Kërkime Gjeostrategjike dhe Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë “George Marshal”, ambasadorët perëndimorë shprehën mbështetjen e vendeve të tyre për integrimin e Maqedonisë në Aleancën Veriatlantike.
Autoritetet e reja maqedonase duken se janë mjaft të hapura për bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë drejt integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.
Maqedonia shpreson se nuk do të jetë larg dita kur ajo të bëhet pjesë e Aleancës Veriatlantike të NATO-s. Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov tha në një konferencë kushtuar marrëdhënieve me NATO-n, se vendi i tij do ta shtojë 20 përqind pjesëmarrjen e ushtrisë në misionet e huaja dhe se do ta rrisë për çdo vit buxhetin për mbrojtjen, megjithëse në mënyrë simbolike.
Ai tha se Maqedonia duhet të bëhet anëtare fuqiplotë e Natos, duke patur parasysh planin gjeopolitik dhe strategjik të Aleancës:
“Ballkani është në vijën e parë të mbrojtjes të kësaj pjese të Evropës dhe prandaj duhet integrimi sa më parë i atyre shteteve të cilat duan të anëtarësohen në NATO”, – tha ministri maqedonas.
Ai la të kuptohej se Maqedonia është e gatshme të pranojë që me referencën e përkohshme FYROM të bëhet pjesë e Aleancës. “Duam të jemi anëtarja e 30 e NATO-s”, tha zoti Dimitrov, ndërsa foli për reformat e nevojshme dhe synimet e vendit të tij për të ndërtuar institucione të fuqishme dhe demokraci “në të cilën qytetarët do ta kontrollojnë pushtetin dhe jo anasjelltas”.
Ai theksoi problemin e vjetër të emrit, duke thënë se anëtarësimi në Nato nuk varet vetëm nga Maqedonia, por edhe nga Greqia:
“Greqia është një demokraci e vjetër, anëtare e Natos dhe BE-së dhe ka një pozitë të rëndësishme gjeostrategjike në rajon dhe mendoj se mund të luajë një rol të madh në forcimin dhe shtyrjen e të gjithë rajonit të Ballkanit përpara”, – tha Ministri i Jashtëm Dimitrov, duke theksuar se Greqia duhet ta njohë momentin e ri në Maqedoni dhe ta mbështesë atë.
Ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily tha se SHBA vazhdojnë të jenë partner i Maqedonisë në përpjekjet e saj integruese, ndërkohë që nënvizoi nevojën për të bërë reforma urgjente demokratike:
“Ne përshëndesim energjinë dhe kreativitetin e ri të Maqedonisë për përmirësimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, ndërsa po përballeni me shumë sfida dhe reforma që duhen realizuar. Maqedonia si dhe aspiruesit e tjerë për në Nato duhet t’i përmbushin standardet e larta për anëtarësim në Aleancë”, tha ambasadori.
Ai tha se komuniteti ndërkombëtar “dëshiron ta shohë një Maqedoni me një sistem ku ligjet zbatohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, ku qytetarët kanë qasje tek informacioni dhe media të raportojë dhe debatojë lirshëm mbi çështjet; ku drejtuesit politikë janë të përgjegjshëm dhe ku institucionet i shërbejnë qytetarëve dhe jo partive politike. Reformat e këtilla nuk janë të lehta por janë të arritshme dhe ne duam të jemi partneri juaj për këtë”, – theksoi ambasadori amerikan Baily. Ai foli edhe për nevojën e modernizimit të ushtrisë së Maqedonisë.
Ndërkaq, Ambasadori gjerman Tomas Norbert Gerberajh vërejti se:
“Tensionet e fundit me Serbinë që kulminuan me vendimin e Beogradit për të tërhequr përfaqësuesit diplomatikë nga Maqedonia, u qartësuan pas bisedës telefonike të krerëve të shteteve dhe ministrave të jashtëm, por kjo dëshmoi se sa me rëndësi është angazhimi për bashkëpunimin paqësor rajonal për vendosjen e besimit.”
Ai tha se nacionalizmi e ndarjet etnike çojnë tek probleme të tilla, ndërkohë që vuri në dukje bllokimin e reformave, korrupsionin, ngecjen ekonomike dhe mungesën e stabilitetit politik.
Ambasadori i ri gjerman në Shkup tha se Maqedonia mund të stabilizohet me anëtarësimin në Nato dhe përparimin drejt BE-së, sikundër dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, për çka tha se kanë mbështetjen e Gjermanisë. (voa)