Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias, përpara takimit të sotëm me shefin e diplomacisë maqedonase, Nikolla Poposki, ka thënë se çështja e emrin nuk është temë e bisedimeve për momentin për shkak të krizës së brendshme në Maqedoni.
Të dy ministrat janë takuar në margjinat e takimit rajonal për krizën e refugjatëve, i cili dje dhe sot është mbajtur në Selanik.
“Në këtë periudhë nuk do të bisedojmë për këtë çështje. Shteti fqinj është në krizë të thellë të brendshme, e cila duhet të merret parasysh dhe të ketë perspektivë për atë se sa është e mundshme që çështjet më serioze të zgjidhen”, ka deklaruar Koxias.
Në këtë takim u bisedua edhe për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe përforcimin e bashkëpunimit në ballafaqimin me sfidat e përbashkëta siç është kriza e emigrantëve, dhe po ashtu edhe lidhur me takimin e ardhshëm për masat për ndërtimin e besimit, i cili duhet të mbahet në fillim të javës së ardhshme në Shkup.(ina)