Në Shkup u mbajt një forum me zyrtarë dhe ekspertë të çështjes së integrimit dhe zgjerimit të Bashkimit Evropain. Folësit vunë në dukje nevojën e integrimit më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa shprehën pesimizëm ndaj politikave evropiane mbi zvarrijen e procesit.
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani duke folur para një numri diplomatësh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile nga jashtë dhe nga vendi, kërkoi nga Bashkimi Evropian t’i çelë sa më parë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.
“Është e domosdoshme që bisedimet tëë hapen tani gjatë presidencës së Francës me Bashkimin Evropian”, tha ai, duke theksuar se këto vende e meritojnë këtë dhe se kjo është një mjet për përshpejtimin e reformave dhe për ruajtjen e qëndrueshmërisë.
Ai shtoi se agresioni rus ndaj Ukrainës ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë në jetët e qytetarëve në rajon.
“E ardhmja e komunitetit tonë është në unitetin e vlerave dhe atë të zbatimit të rregullave, tolerancës, transparencës dhe respektit të ndërsjellë”, tha zoti Osmani, i cili vlerëson se zgjerimi i NATO-s me vendet e Evropës veriore dhe i Bashkimit Evorpian me ato të Evropës juglindore janë procese të ndërlidhura.
“Bëjmë thirrje”, shtoi nga ana tjetër kryediplomati Osmani, “që të ndërmerren të gjitha përpjekjet për avancimin e statusit të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës në vende kandidate”. Ai theksoi se Maqedonia e Verit ka pranuar të imponojë të pesë paketat e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.
Edward Joseph nga Universiteti Johns Hopkins tha se ndarjet brenda vetë Evropës kanë zgjatur procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit. Duke folur përmes videokonferencës, zoti Joseph tha se Bashkimi Evropian ka lejuar që çështjet dhe mosmarrëveshjet dypalëshe të pengojnë procesin e afrimit të këtyre gjashtë vendeve me Bllokun.
“Gjashtë vendet po bllokohen nga dy vende: nga Serbia dhe Bullgaria dhe arsyeja është strukturore”, tha ai.
Bullgaria dhe Serbia, sipas zotit Joseph po përdorion fuqinë kombëtare: Serbia për shkak të orientimit autoritar prorus dhe Bullgaria për shkak të sforcimit prorus brenda shtetit. Ai thotë se Bullgaria, duke qenë anëtare e BE-së bllokon Maqedoninë e Veriut dhe rrjedhimisht edhe Shqipërinë.
“Serbia nuk është anëtare e BE-së, por ajo ka fuqinë sikur të një vendi anëtar. Sepse pesë shtete të BE-së, katër nga të cilat anëtare të NATO-s nuk e njohin Kosovën. Prandaj qëndrimi i tyre është se do ta njohin Kososvën atehërë kur atë do ta njohë Serbia”, tha zoti Joseph.
Këtë fuqi të Serbisë, profesori Joseph e krahason me atë të Bullgarisë si vend anëtar i BE-së, teksa shprehet se “Serbia mba baraspeshën me Kosovën dhe nuk ka stimul për zgjidhjen e çështjes. Ajo është e lumtur me status quo-në, ashtu siç është edhe Bullgaria me status quo-në ndaj Maqedonisë (së Veriut)”, thotë analisti.
Adrian Haçka nga Forumi Ndërlidhës në Tiranë, thotë se popujt e Ballkanit janë evropianë dhe si të tillë duhet të perceptohen edhe nga Bashkimi Evropian.
“Infrastruktura e këtyre vendeve është e lidhur me korridoret evropiane, ndërsa ekonomitë janë të integruara me ato të Evropës si dhe kornizat ligjore po ashtu”, thotë ai.
“Procesi i përfshirjes së rajonit, në veçanti i Maqedonisë së veriut dhe i Shqipërisë është bërë viktimë e mungesës së një politike të qartë proaktive dhe konstruktive të Bashkimit Evropian për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe, jo vetëm midis vendeve jashta bllokut por edhe në mes vendeve anëtare dhe atyre të rajonit”, thotë analistja Milena Lazareviç nga Qendra për Politika Evropiane në Beograd.
Demush Shasha i Institutit për Politika Evropiane në Prishtinë thotë se nuk ka pasur një përparim real demokratik në rajon në njëzet vjetët e fundit, ku njerëzit e njejtë janë në skenën politike dhe vazhdojnë ta drejtojnë shtetin. “Gjendja me korrupsionin tani është më keq se sa dhjetë vite më parë”, thotë ai, duke cituar të dhënat e organizatave ndërkombëtare.
Paneli i së mërkures do të pasojë konferencën e planifikuar për në mes të qershorit në Ohër të njohur si “Forumi i Prespës për Dialog”.
voa