BE – Maqedoni: Raport i kushtëzuar

komisoneri-evropian-johannes-hahn-mKomisioni Evropian edhe sivjet përsëriti rekomandimin e kushtëzuar për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Komisari për zgjerimin, Johannes Hahn, tha se Maqedonia duhet të plotësojë kushtet e Marrëveshjes së Përzhinës.

“Nuk kemi dalë nga kriza e politikës së brendshme, pavarësisht hapave të mira  kohët e fundit. Liderët tani kanë mundësi që ta tejkalojnë krizën dhe t’i adresojnë problemet sistematike. Duhet që të zbatohen zgjedhje të besueshme. Komisioni Evropian e ka përkrahur rekomandimin e vitit të kaluar, por e ka kushtëzuar me zbatim të plotë të Marrëveshjes së Përzhinës dhe reformave urgjente prioritare”, u shpreh Hahn.

Në gjyqësi situata është në regres. Pengesat, që cilat i bëhen Prokurorisë Speciale, tregojnë se ka nevojë që në mënyrë më efikase të zgjidhet mangësia e pavarësisë së gjyqësorit dhe të parandalohet drejtësia e selektuar. Ndaj nga politikanët vendas kërkohet që t’i ndihmojnë prokurores speciale, Katica Janeva, duke ia plotësuar kërkesat dhe kërkohet që të vazhdohet afati për ngritje të akuzave si nevojë e Prokurorisë Speciale Publike për miratimin e ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve.

“Vendi përballet me krizën më të madhe politike nga viti 2001. Demokracia dhe sundimi i së drejtës vazhdimisht janë sfidë veçanërisht për shkak të kapjes së shtetit, gjë që ndikon në funksionimin e institucioneve demokratike dhe fushave kyçe në shtet. Vendi vuan nga kultura politike e dasive dhe e mungesës së kapaciteteve për kompromis”, thuhet në raportin e progresit të Komisionit Evropiam për Maqedoninë.

Daljen nga kriza politike Maqedonia mund ta arijë përmes zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinës dhe zbatimitn të raportit të Pribesë. Sipas raportit zgjedhjet nuk janë fund i krizës, por janë fillim i daljes nga kriza.

Situata ndëretnike ende është e ndjeshme, ndërkaq “Marrëveshja e Ohrit duhet të jetë e kompletuar në mënyrë transparente dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Komisioni vlerëson se shoqëria civile luan rol të rëndësishëm në proceset demokratike dhe atyre u jep balancim.

Ngecjet në reforma dhe kriza e thellë politike, në të cilën ndodhet vendi, ka ndikuar që edhe sivjet të pamundësohet hapja e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, thotë Arbër Ademi zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane

“Kemi një raport objektiv, korrekt, një raport real ku pasqyrohet i gjithë progresi që është arritur në periudhën e kaluar. I njëjti raport përmban edhe rekomandime, para së gjithash në sferat që kanë të bëjnë me reformat parësore. Ky rekomandim është i kushtëzuar me organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve evropiane, zgjedhje të lira, demokratike dhe të besueshme”, theksoi ai.

Vazhdon status-quoja e Maqedonisë drejt BE-së

Raporti i fundit i Komisionit Evropian është me tone më të ashpra se raportet e kaluara, dhe një gjë e tillë pritej kur dihet se në çfarë krize politike kaloi Maqedonia , thotë Malinka Jordanova nga Instituti për politikë evropiane. “Vazhdon status-quoja e rrugëtimit të Maqedonisë drejt BE-së. Rekomandimi mbetet i pezulluar, një raport me më shumë kushte, kësaj radhe me nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të lira, me sundimin e së drejtës dhe reformave të tjera të kërkuara edhe më parë”, shprehet Jordanova.

Profesor Nano Ruzhin thotë, se Raporti i Progresit për çdo vit përmban kritika të reja – përveç kritikave tani më të njohura – vërejtje serioze ka edhe për pengesat që i bëhen punës së Prokurorisë Speciale, e cila u themelua me ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare për hetimin e aferës së përgjimeve.

“Çështjet që kanë të bëjnë me mosfunksionimin e shtetit ligjor, gjyqësinë e varur nga politika, i shtohen edhe pengesat në punën e Prokurorisë Speciale që të hetojë rastet e aferës së përgjimeve”, thotë Nano Ruzhin.

Statusin e shtetit kandidat Maqedonia e ka fituar në vitin 2005, por qysh atëherë nuk ka mundur të nisë bisedimet për anëtarësim, fillimisht për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë, ndërsa tani edhe për shkak të krizës së rëndë politike që ka rezultuar me ngecje në reforma në më shumë fusha. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>