Bozhinovski: Ua tregoj funksionarët e VMRO-së dhe BDI-së që më kanë kërcënuar

BozhinovskiAi është një ndër gazetarët maqedonas më kontravers e të zëshëm, i cili në ikje nga autoritetet maqedonase, i ngarkuar me akuza për spiunim të shtetit, vazhdon të luaj rolin e opozitës maqedonase nga Serbia. Kur kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, ndaloi së publikuari të ashtëquajturat “bomba” mbi përgjimet e bisedave telefonike të funksionarëve politik në pushtet, në mënyrë që të respektojë Marrëveshjen e Përzhinos për dalje nga kriza politike, rolin e tij e mori Zorani tjetër, pra gazetari Bozinovski.  Ai, për cdo ditë në facebook po publikon materiale me dëshmi mbi kriminalitetin e gjithë funksionarëve politikë në Maqedoni.

Dhe në një intervistë eksluzive për te tesheshi.com, Bozinovski nuk ka kursyer asgjë dhe askënd, që nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaqi, z/kryeministri Musa Xhaferi, reisul ulema Sulejman efendi Rexhepin dhe shumë të tjerë nga blloku politik maqedonas.

Për durimin e lexuesve të intervistës, Bozinovski në pyetjen e fundit ka publikuar eksluzivisht dhe një “bombë” të re.

 

Intervistoi: Mensur Krasniqi

Gazetar maqedonas që jeton në Serbi. Para dy viteve deklaruat që do kërkoni azil atje, duke paralajmëruar dhe mbajtjen e nje greve urie nëse policia serbe ju dorëzon autoriteteve në Maqedoni. Çka domethënë deklarata juaj “Në Maqedoni më kërkojnë të më likuidojnë, dhe jo të më gjykojnë”?

Unë para dy viteve, në fund të nëntorit, nga paraburgimi në Novi Sad kërkova azil politik në Serbi, për dy arsye. E para, sepse në Maqedoni(MPB, DPMNE dhe shërbëtori tyre, BDI) nuk më kanë kërkuar që të më gjykojnë por të më likuidojnë në paraburgim. Atë që unë do ta them në gjyq asnjë gjykatës nuk guxon ta shkruajë në procesverbal..sepse do t’i merr fund karriera.

Ndërsa arsyeja e dytë, ishte që me kërkesën për azil t’jua lidh duart organeve gjyqësore të Serbisë, në mënyrë që mos munden të më ekstradojnë derisa të mos zgjidhet kërkesa ime për azil. Por nuk e vendosën këtë sepse janë të padijshëm. Nuk kanë pasur kësi lënde asnjëherë. Sot dy vite nuk kam marrë asnjë përgjigje nga kjo kërkesë. Është në procedurë, thonë, por as vetë nuk e dijnë se në cilën fazë të procedurës. Nuk më kanë dhënë as edhe letërnjoftim të përkohshëm, që duhet sipas ligjit. Kjo ndoshta është si arsye që procedura të mos mbarojë asnjëherë. Nuk kam përgjigje as për përmbajtjen e kërkesës për azil politik. Dhe tani kam prova që jeta ime në Maqedoni pothuajse është e shkatërruar , eliminuar,  meqë opozita ka emetuar audioinçizime të bisedave telefonike nga Martin Protuger dhe Gordana Jankullovska lidhur me (pa)sigurinë time nëse ekstradohem.

Ashtu që, prej fillimit e dija që nuk ka asgjë nga ekstradimi. Më së shumti pasiqë nga Maqedonia nuk ka ardhur dokumentacioni me dëshmi për akuzat e “paramenduara” ndaj meje. Kanë ardhur budallallëqe, dëshmi të rrejshme të njerëzve të zhytur në kriminalitet, gënjeshtra dhe mashtrime.

Ndërmjet tyre edhe dy të gjykuar për vepra të rënda kriminale. Në MPB, DPMNE dhe BDI sigurisht kanë menduar që Serbia mua “përmendësh” do më ekstradon, pa procedurë. Por nuk ia kanë pasur haberin që unë 50 ditë nga dita e lëshimit për fletëarrest jam përgatitur për këtë paraburgim, dhe që kam bërë strategji me shokët e mi që janë profesionistë për të tilla raste.

Kam mundur që brenda këtyre 50 ditëve të ik diku, por jo si ata që ikin e fshihen si të fajshëm, nuk jam prej tyre. Miqtë e mij nga zyrat e fuqishme të avokatëve të Londrës, më kanë deleguar dyshen më të fuqishme të mundshme të avokatëve në Serbi që të më përfaqësojnë, Petronijeviq-Miletiq, të cilët jua kanë lidhur këmbë e duar gjykatësve, në atë mënyrë që edhe sot e asaj dite nuk mund t`i zgjidhin.

Meqë isha, po edhe sot jam 100 përqind i sigurt që do t’më likuidojnë në Shkup nëse ekstradohem, këtu paralajmërova grevë urie në ditët e para të ekstradimit teknik, që zgjaste këtu dy javë, pasiqë do sillej vendimi. Organizmi i njeriut pa buk e ujë s’përballon më shumë se nëntë ditë. Ndërsa  unë kisha plot 8 ditë pa ngrënë e pirë dhe, pasi ia arrita qëllimin ndalova me grevën. Por isha në fund të fuqisë sime. Të kisha pritur edhe një ditë, do më kishin dërguar në spitalin e burgut. Plani ishte i suksesshëm që në Shkup i gjallë të mos dorëzohem. Sepse të jem i sinqertë, MPB, DPMNE dhe BDI as që nuk më donin të ekstraduar. Ata kanë dashur dhe duan që unë të mos shkruaj, të mos jem aktiv  në eter, dëshirojnë të më shkatërrojnë tërësisht dhe të mi ndalojnë donacionet që vinin te unë dhe portali Burevesnik. Deri diku i’a arritën qëllimit, meqë donatorët ikën të njëjtën natë kur u burgosa.  Janë ndoshta ende nën ndonjë krevat, të frikësuar dhe tronditur, në pritje që “mami” tu thotë që ka kaluar rreziku, dhe të dalin.

Jo, nga ana tjetër, me dëshmitë e rrejshme dhe paraburgimin, MPB, DPMNE dhe BDI ma kanë rritur rejtingun, nga unë kanë krijuar faktorë, nga Burevesniku kanë krijuar ishullin e lirisë, mua më kanë futur direkt në listën e gazetarëve më të dëshiruar.

A e mendoni një kthim në Maqedoni nëse ndërrohet qeveria,  dhe që të vazhdoni jetën në qytetin e lindjes, Kumanovë?

Qeveria është gati, do të ndërrohet me patjetër. Por nuk është kjo kryesore për mua. Unë po e bëj punën time: DPMNE-së, BDI-së dhe PDSH-së po ua kthej përgjigjen për të gjitha të këqiat që m`i kanë bërë nga 2002-shi e këndej,  mua dhe fëmijëve të mi.

Në qytetin e lindjes unë nuk kam çfarë të kërkoj më. Nuk është problem shpresa por dëshira. Nuk kam dëshirë. Ika për të mos u kthyer. Kumanova, para ikjes time nuk i ngjante më atij qyteti që jam rritur, zhvilluar, dhe krijuar familje. Së bashku, VMRO dhe LSDM deri në fund e kanë shkatëruar RTK Kumanovën, vetëm e vetëm që mos të vijë dita që unë të ulem pranë mikrofonave.  Sot atë resurs e hanë minjtë. E kanë shkatërruar në dëm të qytetarëve.

Nga Kumanova më shumë kam kujtime të këqia se sa të mira. Shumica atje, nga dëshira që unë të dështoj, më sulmojnë duke më shpallur dhe si të çmendur, si jokontrolabil.. meqë ata janë kontrolabil.

Kështu pra, ika nga Kumanova me bashkëshorten time dhe dy vajzat, për ti shpëtuar dhe ata pos vetes nga ajo “baltë” atje. Sot familja ime gati ka rilindur. Në Maqedoni në të ardhmen ndoshta do të shkojë si turist, atëherë kur do të ketë kushte për të shkuar, dhe do të provoj të marr një pasaportë dhe letërnjoftim të ri.  Meqë tjetër skam, dhe as që dua.

A ndjeni që po e luani ju rolin e Zoran Zaevit, tashmë që ai e ndali dorën e bombave pas Marrëveshjes së Përzhinos? Çdo ditë po publikoni materiale të ndryshme si dëshmi për kriminalitetin e funksionarëve në pushtet…

Politikisht nuk mundem që ta luaj rolin e tij, dhe nga fakti që në jetën time 49-vjeçare deri tani asnjëherë nuk kam qenë anëtar i ndonjë partie, dhe as që do të jem.  Zaevi është politikan, ka detyra partiake, sjell vendime së bashku me organet e partisë në lidhje me menaxhimin e bombave që i posedon, dhe vazhdon politikën e tij në tavolinën e bisedimeve.

Unë ambicje të tilla nuk kam, lider nuk jam, mua materialet nuk mi ka dhënë ekipi i njëjtë që ia ka dhënë Zaevit, por mi jep një njeri, shqiptar (nëse kjo është e rëndësishme), i punësuar në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, i prekur dhe dëshpëruar fortë nga ngjarjet e Lagjes së Trimave në Kumanovë më 9 maj të këtij viti. Ai ndjehet i tradhëtuar dhe poshtëruar nga liderët e BDI-PDSH-së dhe MPB DPMNE-së, dhe nuk dëshiron të dëgjojë për ta.

Ndërsa tek unë gjeti një aleat, meqë të dy kemi një armik të përbashkët. Asnjërit prej nesh nuk i intereson politika. Neve, mua si maqedonas dhe atij si shqiptar, na intereson që qytetarët e thjeshtë të dëgjojnë se çka po ndodh, të dijnë të vërtetën dhe të reagojnë për çka po ndodh.

Por mua më intereson edhe pak ajo “lufta e vogël” me DPMNE-në, BDI-në dhe PDSH-në, në emër të karrierës profesionale që bazohet në publikimin e të vërtetës.  Pra, Zaevi po shkon në rrugën e tij, ndërsa unë po vazhdoj rrugën time. Në rrugën e tij ka pengesa,  të tipit polic evropian, ndërsa në rrugën time nuk ka.

Dëshmitë e juaja, janë thjesht pjesë e gazetarisë hulumtuese, apo dhe të siguruara nga shërbimet sekrete të Serbisë, siç përflitet nga disa qarqe?

 

Shumë e thjeshtë: kjo që po bëj, është rezultat i besimit që ma kanë dhënë lexuesit, të cilët ndihen të dëshpëruar nga mediume të ndryshme që publikisht propagandojnë pavarësi dhe shtiren se po luftojnë për të drejtën, ndërsa kur do t`u drejtohet një njeri i thjeshtë, jua tregon hallet, u jep ndonjë dëshmi materiale, ata ia marrin të dhënat dhe me pas… “jok publikimit”!

Me kohë, njerëzit kanë filluar të kuptojnë që tek unë nuk ka gënjeshtra, që nuk përkëdhelem nga dikush në politikë apo biznes, dhe ajo që dorëzohet tek unë publikohet pa asnjë kusht, veç atij profesional.

Tek unë nuk ka reklama. Më ndihmojnë donatorë që nuk janë të frikësuar, shokë që besojnë tek unë, dhe njerëz që e vërteta për ta është organikisht e rëndësishme. Të pakta janë të hollat, por të mjaftueshme për një jetë normale.

I janë bashkuar rrugës të atyre që më besojnë, dërgojnë informata dhe dëshmi, edhe të të punësuarit në institucionet publike, në drejtori të ndryshme dhe në organet e sigurisë.  Në botë njihen si “fishkëllues”. Është mjegullnajë të thuhet që marr informata nga shërbimet sekrete të Serbisë, pasi dhe ata nuk duan të më shohin me sy, ngaqë veprojnë po si shërbimet e fshehta maqedonase. Që do të thotë se dhe ata më kërcënojnë, siç ka qenë një rast në vitin 2010 me kriminelin Dragan Daravelski. Kanë dashur të më dëbojnë për dy vjet, por për shkak të budallallëkut të tyre me vendimin për dëbim të nënshkruar nga person jozyrtar, dhanë autogol, dhe që mos të pëlcet gafa e kanë anuluar atë vendim dhe kanë shkruar një tjetër, të mbetem në Serbi dhe të mos më shqetësojnë më.

Bashkëpunim mes nesh nuk ka dhe as që do të ketë, meqë për të bashkëpunuar ndonjë shërbim me mua duhet të dërgojë ndonjë agjent që do të më impresionojë me dituri, guxim, politikë, shkathtësi kompjuterike dhe teknologji të përgjithshme, dhe në fund kur do t’më bind, duhet të nënshkruaj një shifër me shumëëëë zerooooo.

Ndërsa si shërbimi serb ashtu edhe ai maqedonas, punojnë me njerëz të vegjël për para të vogla. Unë nga ai kalibër nuk jam. Për këtë shkak e gjithë bota i qesh. Unë për autoritetet dhe shërbimet serbe jam i padëshirueshëm, dhe kundërshtari im Stanko Subotiq Cane është sponzori i tyre kryesor. Ndërsa ne dy jemi të papajtueshëm.

Në një prej statuseve tuaj në Fb keni shkruar dhe për Muhamed Zekirin dhe dorëheqjen e tij nga Alsat. Aty përmendni një tentativë të tij që të manipulojë me ju duke i’u kyqur në një linjë telefonike dhe ju pyet për rastin Monstra. Dhe meqë ra fjala, a keni ndonjë informatë lidhur me rastin Monstra?

Për disa arsye nuk kemi pasur raporte të mira kolegiale me Zekirin. Ka pasur një animozitet të fshehur te ai çdoherë kur jemi takuar. Kur ndodhi vrasja e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës, sipas një rregulli të pashkruar, i pari fillova një hulumtim gazetaresk, i pari publikova që në paraburgim ndodhen njerëz që i ka zgjedhur BDI dhe DPMNE, që të fajësohen për diçka që nuk e kanë kryer. Zekiri ka përcjellë me vëmendje statuset e mia në facebook në atë periudhë, meqë aty shpjegova qartë dy aspekte: që hetimi, më konkretisht duhet të kthehet në drejtim të kryetarit të Shkupit, Koce Trajanovskit dhe koncesionerit të liqenit të Smillkovës, partner kriminaliteti në biznes. Dhe e dyta, e gjithë policia maqedonase, me dhe pa e uniformë, tre ditë para vrasjes së pesëfishtë ka qenë e  mobilizuar dhe e shpërndarë rreth e rrotull duke e mbuluar gjithë terrenin e vendndodhjes së vrasjes, gjë që tregon se  nuk ka pasur shans as një pulë të fluturojë pa u hetuar, e jo më vrasja e pesëfishtë.

Zekirit i kanë pëlqyer publikimet e mia atraktive për publikun e tij, dhe në një emision ku të ftuar kishte Suad Misinin dhe Frosina Remenskin, me ftoi të flisja në linjë direkte telefonike. Por pas 13 minutave pritjeje që të marr fjalën, mu dha mundësia që të flas vetëm 4 minuta, pa mundur që të rrefejë as gjysmën e atyre çka kisha për të thënë. Gjithashtu morra vesh se Zekiri kishte dhënë shenjë regjisë që të ndërpresë linjën telefonike, pikërisht në atë mënyrë frikacake dhe tinëzare më ndërpreu.

Statusin tim në Fb e publikova të nesërmen, që mos të mbeten në dilemë lexuesit e mi që faji për ndërprerjen e lidhjes telefonike ishte i imi, por e atij, thjesht nga arsye manipulative. Dhe atë natë, definitivisht kuptova që Muhamed Zekiri është një marionetë, që nën hijen e tij po luajnë manipulues të aftë. Ai tashmë është kandidati ideal për kryeredaktor të RTVM-së,  por në fund me shqelma do ta përzënë siç i përzunë të tjerët deri më tani.

Sa për informatat e mia për rastin Monstra, sot janë të parëndësishme. Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, MPB, DPMNE dhe BDI, e kanë relativizuar si rast duke lejuar të shkruhet dhe thuhet gjithçka për të, ndërsa njerëzit po kalben në burg. Dhe unë u tërhoqa. Po pres që Zaevi të publikojë të vërtetën për këtë rast, që me duhet ta them, është shumë e dhimbshme dhe eksplozive. Kështu morra vesh nga njeri i afërt i tij…

Duke pasur parasysh faktin që nuk po kurseni asnjë funksionar të qeverisë, ndjen ndonjë rrezik para se të marrësh guximin të publikosh dëshmi kundër tyre?

Kam përjetuar dy atentate, i dyti ka qenë shumë i rëndë. Kam përjetuar shumë maltretime nëpër gjykata, paraburgim, shkurt edhe burg. Që moti nuk ndjej asnjë rrezik, as që rrezikoj. E gjitha është pas meje. Ndoshta do t’më vrasin në të ardhmen, ashtu siç më paralajmërojnë qe 15 vite. Por derisa ajo të ndodhë, po shpejtoj të fitojë sa më shumë tekste. Nuk dua ta humbi kohën me ata që në hije më kërcënojnë.

Na përmendni disa prej tyre, të ardhura në mënyrë direkte ose indirekte…

Në vitin 2002, Daravelski më ka kërcënuar që nuk do t’më ketë më, nëpërmjet një ndërmjetësuesi nga Drejtoria e Doganave. Për pak do ta kishte plotësuar të premtuarën. Një bandit lokal, sot i ndjerë, më ka kërcënuar që do t’më vriste, pastaj më lutej që të jemi shok. Në nëntor të vitit 2006, në kafenenë e tij “Barselona”, në Shkup, në prezencë të Rade Mitevskit nga Kumanova, më ka kërcënuar Vladimir Mijalkov. Më tha në fytyrë se nuk do t’më ketë mua dhe familjen time. Pas pesë ditëve më burgosën përshkak të aktgjykimit për fyerje dhe shpifje, tre muaj.

Gjykatës ishte Musa Sulejmani, sot kryetar i Gjykatës së Kumanovës në paraburgim, i dyshuar për korrupsion, për çka shkruaj me vite me rradhë. Nën presionin e BE-së, SHBA-së dhe Kombeve të Bashkuara, nga burgu u lirova pas pesë ditëve.

Ndërsa Gruevski, që mos të turpërohet para ndërkombëtarëve, ka dhënë urdhër që të vendosen në sirtar të gjitha 16 aktgjykimet kundër meje, të presin vjetërsim absolut dhe mos t` humbasin. Por në koalicion me shërbëtorët e BDI-së, nga ai moment, nëntori i 2006-ës, mu lëshuan mua dhe familjes time me të gjitha forcat dhe fuqitë, që të më shkatërojnë totalisht dhe emocionalisht.

Përpjekja e fundit për t`më hequr qafe ka qenë në vitin 2011. Sasho Mijallkov, në marrëveshje me kontrabandistin Stanko Subotiq Cane, ka kontraktuar vrasës të paguar. Mirëpo bisedat dhe negociatat e tyre me vrasësit kanë qenë të incizuara nga shërbimet italiane që kanë ndjekur Subotiqin për shkak të kontrabandimit me cigare.

Nëpërmjet një funksionari të lartë të prokurorisë kroate, isha i paralajmëruar për këtë rrezikshmëri. Për këtë, menjëherë dhashë intervistë në në gazetën ditore Dan nga Podgorica, dhe pas kësaj Mijallkov dhe Subotiq i kanë kthyer vrasësit e paguar që janë marrë vesh.

Kërcënimin e fundit e kisha nga Beqir Asani, ish-vjedhës dhe shitës i druve, sot njëfarë trimi lokal i BDI-së në Çair. Më ka kërcënuar me mesazhe në Fb, por doli budallë me atë, dhe pastaj i ka mësuar disa idiotë që t’më shkruajnë dhe ofendojnë me mesazhe, të më paralajmërojnë vdekje të rëndë, likuidim të vajzave të mia, po edhe dhunim seksual të tyre, ndërsa më e keqja ishte kërcënimi se do t’ma dhunojnë mbesën time dy vjeçare.

Nuk u kushtoj shumë vëmendje këtyre proceseve, meqë me siguri njoh dy tentativa të tilla të aventuristëve që donin t’më lëndojnë, dhe që kanë përfunduar duke qenë të locuar nga policia. Ka pasur tentativë për ikje nga ata dhe kërcim, të njërit në Moravë, tjetrit në Danub. Nuk kam informatë precize a janë të burgosur, ose ende po notojnë. Jetoj në Novi Sad, qytet që është i përfshirë i gjithi nga kamera të rezolucionit të lartë. Nëse asgjë tjetër, me siguri e di që “ngjarja” që do ti ndodhë do ti incizohet. Nëse mbetem gjallë do ta shohim së bashku!

Cili ështe raporti juaj me opozitën, respektivisht LSDM-në?

Kam raporte profesionale korekte me liderin Zoran Zaev dhe me nënkryetaren e partisë, Frosina Remenska. Çdoherë kur i kam kërkuar përgjigje të secilës pyetje për të cilat kam pasur dilema, menjëherë kam marrë përgjigje të shpejtë. Me të tjerët nga ta, nuk kam asnjë farë raporti, me fajin e tyre. Asnjëherë nuk janë mësuar, edhe pse mes tyre ka që me vite të tëra kanë kryer funksione të larta në qeveri, që ne nuk duhet të duhemi dhe përkëdhelemi, por duhet zyrtarisht dhe profesionalisht të komunikojmë. Ata janë të urritur të vijnë në pozita të larta me çdo kusht, mirëpo janë larg fitores në zgjedhjet parlamentare.  Kjo është si pasojë e mosmbajtjes së zgjedhjeve demokratike brendapartiake në LSDM, por ndryshim qëndror të funksioneve nga një rreth i ngushtë i njerëzve që vendosin gjithçka. Zaevi po bën përpjekje që kjo formë të ndryshohet, megjithatë ai nuk mundet të koncentrohet edhe në partinë edhe në obligimet rreth rrëzimit të qeverisë, koalicionit në qeveri dhe përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme.

Shqiptarëve në Maqedoni, më së shumti u intereson inkriminimi i funksionarëve nga blloku politik shqiptar. Si do t`i kishit ranguar ju, cilët janë ndër figurat shqiptare më të inkriminuara sipas dëshmive që posedoni?

Musa Xhaferi është më i njollosuri në këtë bllok, pa kokurencë. Idhull e ka Sasho Mijallkovin, e kopjon, imiton dhe i shërben, edhe pse s’ka kapacitet.

Numër 2 është Menduh Thaqi, i pasur pa masë, një kontrabandist i cigareve dhe naftës nga koha kur Daravelski drejtonte në Drejtori të Doganave. Ai ka kapacitet shumë më të lartë intelektual se Xhaferi që të jetë kopja e Mijallkovit, por nuk e ka mbështetjen e elektoratit dhe s’ka fuqi në parlament.

Vendin e tretë e zë Ali Ahmeti dhe i katërti reisi Sulejman Rexhepi.  Janë deri në asht të prishur, e gjithashtu të pasuruar në forma të ndyra në kurrizin e qytetarëve dhe besimtarëve. Të gjithë së bashku nga numri 1 deri në 4 janë të qorruar nga votuesit e tyre, kanë humbur lidhjet me jetën reale, kanë blerë banesa, hotele, apartamente nëpër BE, kanë transferuar shumë miliona euro në fatura jorezidenciale, me shpresë që pa pasoja do ta lëshojnë Republikën e Maqedonisë, dhe atje dikundi do të jetojnë. Unë nuk jam aq optimist si ata.

Përshembull, e di që Dragan Daravelski, në Beograd jeton një jetën e një të gjori, nën mbrojtje të tre truprojave, ka liri të kufizuar të qarkullimit përshkak të grupeve kontrabanduese lokale të urritur për para të lehta dhe të shpejta nga kidnapimi i mundshëm i tij. Jeton me para kesh që i vijnë nga Shkupi, e qa çdo muaj ia dorëzon Ace Milenkovski, kryetar i mëparshëm i Çairit.

Takimet e tyre janë publike, por gjithmonë të mbuluara nën sigurim të fuqishëm. Grupet kontrabanduese të Beogradit ëndërrojnë që ta kidnapojnë Daravelskin.  Kështu pra që kot që i ka milionat që i ka vjedhur nga Maqedonia. Kot i kanë edhe Musa Xhaferi, Ali Ahmeti, Menduh Thaqi dhe Sulejman Rexhepi, dhe të gjithë sikur ata.

Me ç`bombë fund do t’i “qerasni” lexuesit shqiptarë për durimin e tyre gjatë leximit të intervistës?

Po u jap faturën e reisul Sulejman Rexhepit, kryetar i Bashkësisë Islame në Maqedoni, faturë në bankën zvicerane nëpër të cilën qarkullojnë paratë nga provizioni i kontrabandimit të aleksandritit. Ky është material i çmuar i natyrës që e ka prejardhjen nga Sri Lanka dhe Brazili, dhe shumë pak gjendet edhe në Urale.

Është shumë më i shtrenjtë se rubini, safiri dhe smeraldi. Një karat aleksandrit ka çmimin prej 1 mijë deri 5 mijë dollarë, varësisht prej kualitetit. Reisul Sulejman Rexhepi dhe Bashkësia Islame janë pjesë e grupacionit ndërkombëtar për aleksandrit. Për pjesëmarrjen e tij, Rexhepi merr provizion (përqindje) në faturën që ua dërgova sot. Të gjitha failet që i keni nga unë janë të “zbritura” nga emaili i BFI-së. E ruaj të drejtën eksluzive, shumën e përqindjes së përfitimit të Sulejman Rexhepit, që më tej ta dhe publikoj në portalin tim. Juve u ofroj mundësi që ta pyesni reisin pse i shërben kjo llogari në bankën austriake dhe sa para kanë kaluar nëpër të, nga dita që është hapur. (ina)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>