DW: Rrethimi i Ali Ahmetit me struktura kriminogjene detyroi krijimin e “Unitetit”

Anëtar aktual të BDI formojnë parti të re qytetare. Ahmeti i brengosur, sepse edhe subjekte tjera bëjnë thirrje për përfundim të dominimit të BDI. Paralajmërohen edhe nisa tjera qytetare.

Uniteti është emri i partisë së re për regjistrimin e së cilës intensivisht janë duke u grumbulluar nënshkrime në teren, ndërsa iniciator të saj janë persona nga BDI. Spiritus movens i partisë në formim është Gëzim Ostreni (73), shef i shtabit qendror të UÇK në vitin 2001 dhe ish Sekretar gjeneral i BDI, ndërsa spiritus agens është deputeti aktual i BDI dhe anëtar i Kuvendin të përgjithshëm partiak, Zulfi Adili. Ata dhe disa bashkëmendimtar të tyre janë bërthama iniciale që tërheq numër të madh ithtarësh ndaj platformës së subjektit të ri politik. Thonë se mungesa e reformave në parti dhe rrethimi i Ahmetit me struktura kriminogjene i ka detyruar të kthejnë “faqe të re”. Adili thotë se partia e re do të jetë qytetare, në të nuk do dominoj koncepti etnik dhe do jetë e hapur për të gjithë. Edhe pse në subjektin e ri mediumet tashmë i vendosën edhe deputetin Rafiz Aliti, sekretarin organizativ të BDI, Hazbi Lika dhe kryetarin e Kërçovës, Fatmir Dehari, iniciatorët mohojnë participimin e tyre.

Vlimet në BDI kanë histori më të gjatë, edhe pse simptomet e para publikisht dolën në hapësirë vitin e kaluar. Atëherë, tre deputet refuzuan të japin mbështetje për ndryshimet kushtetuese, ndërsa mospajtimet veçanërisht dominuan gjatë zgjedhjeve për degët lokale. Për shkak të gjendjeve në parti, dorëheqje dhanë disa funksionarë, ndërsa pakënaqësia eskaloi pas incidentit në Kumanovë, me ç’rast u vra njëri nga kandidatët për kryetar të degës. Përveç Ahmetit, cak i kritikave në mënyrë permanente ishin Musa Xhaferi, Teuta Arifi, Abdilaqim Ademi dhe disa funksionarë tjerë partiak.

Ahmeti i brengosur

Në BDI sot askush nuk dëshiron publikisht të flas për gjendjen brendapartiake. Udhëheqësia është e pakapshme, ndërsa nga Qendra për informim e BDI shkurtë përgjigjen se deri tani nuk kanë marrë asnjë informatë që ndonjë nga anëtarët është tërhequr nga anëtarësimi. Por, sipas burimeve partiake të cilat dëshirojnë të ngelin anonime, me deklaratën e këtillë në fakt mbulohet nervozizmi që mbisundon në BDI.

“Ahmeti është tepër i brengosur. Ai është i vetëdijshëm se gjërat po i dalin nga kontrolli. Personalisht ka qenë i informuar nga iniciatorët për qëllimin e tyre, pasi nuk i është përgjigjur kërkesave të tyre për reforma në parti dhe sugjerimeve për t’u përshëndetur me personat me hipoteka kriminogjene, të cilët me vite mbajnë funksione të larta partiake dhe e kanë uzurpuar BDI-në për qëllime personale. Pasi nuk arritën të imponojnë nismë për ndryshime, ata vendosën të formojnë parti të re”, shpjegon burimi partiak, i cili planifikon të mbetet në partinë amë, me shpresë se prapë aty do të ndoshin ndryshime. Sipas tij, në parti momentalisht ekziston mosbesim i madh, sepse askush nuk e dinë nëse bisedon me anëtar të besueshëm të BDI ose me anëtar potencial të partisë së re. Për këtë shkak, Ahmeti sërish e më tepër “është mbyllur” në rrethin e njëjtë të ngushtë me figura partiake, të cilët kanë qenë arsyeja kryesore për epilogun e këtillë.

Edhe anëtarë tjerë partiak pohojnë se “vlon në parti”. Pranojnë që edhe vet në fillim nuk kanë qenë të sigurtë nëse bëhet fjalë për përçarje autentike ose Ahmeti në mënyrë të planifikuar krijon “parti rezerve”. Por, tani janë të sigurt se bëhet fjalë për nismë autentike. Sipas informatave të tyre, gjendja e këtillë ka shkaktuar merakosje edhe tek partneri koalicionues i Ahmetit, Nikolla Gruevski, pasi me ndikim të dobësuar të BDI-së tek votuesit humbet edhe besueshmëria e Qeverisë, por edhe për shkak të frikës se “modeli” i këtillë mund të inkurajon pjesë nga anëtarët më të vjetër të VMRO-DPMNE të formojnë subjekt të ri partiak.

Lëvizje të reja

Kjo nuk është shenjë e vetme për lëvizje në skenën partiake. Ditëve të kaluara edhe biznesmeni Trifun Kostovski paralajmëroi formim të Lëvizjes si organizatë mbipartiake dhe multietnike, e cila do ofron koncept të ri për zhvillim shoqëror dhe ekonomik, dhe nuk përjashtohet mundësia që e njëjta të tejkalon në parti. Spekulohet që edhe disa parti më të vogla mendojnë të bashkohen në subjekt të ri të pozicionuar në qendër, për tu distancuar nga e majta dhe e djathta. Njëkohësisht, Këshilli qendror i Lëvizjes “Besa” ofroi platformë opozitare për formim të frontit të përbashkët opozitar me gjitha fuqitë progresive në vend, “që përfundimisht të mënjanohet struktura e BDI nga skena politike shqiptare në Maqedoni”.

“Kemi filluar iniciativë – domethënë pa asnjë prentendim për patronazh të Lëvizjes Besa, me qëllim të formimit të Këshillit mbipartiak ku Besa do jetë vetëm një nga subjektet e përfaqësuara, në përbërjen e të cilit do jenë më tepër subjekte politike opozitare, por edhe OJQ, intelektual, analist, biznesmen, artist, sportist, të gjithë që dëshirojnë ta shpëtojnë kombin nga kjo strukturë degraduese në Maqedoni. Për ne nuk ka rëndësi mënyra e formimit të listave për deputet ose kush do jenë emrat e pushtetarëve të ardhshëm, por është me rëndësi që me 24 prill 2016 të mbaroj kjo mënyrë e përfaqësimit politik të Shqiptarëve nga ana e BDI-së”, thonë nga Lëvizja, duke shtuar se të gjithë janë të gatshëm para përgjegjësisë historike për shpëtim të kombit dhe fitores mbi krimin, korrupsionin dhe tradhtinë.

Varësisht nga ajo çfarë modeli zgjedhor do zgjedhin partitë firmosëse të Marrëveshjes nga 2 qershori, për të cilin ende bisedohet në mënyrë aktive në grupin punues, së shpejti do qartësohet nëse edhe subjekte tjera partiake do mbijnë në periudhën e tranzicionit dhe sa me këtë do çregullohet dominimi i “katërshes” së tanishme./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>