Kryeministri Nikolla Gruevski shprehet sërish kundër propozimit për shndërrimin e vendit në një njësi zgjedhore, në vend të sistemit aktual me 6 njësi. Gruevski përsëriti qëndrimin se nëse dikush vlerëson se duhet të ndryshohet modeli aktual zgjedhor, atëherë më mirë është të kalohet në sistemin e shumicës. Ai tha se ky sistem funksionon tashmë në zgjedhjet për kryetarë komunash dhe zgjedhjet në diasporë.
“Nëse mendojnë që ky model nuk është më i miri dhe se mund të mendohet për model të ri zgjedhor, propozimi ynë është të kalojmë në model të shumicës, funksionon me sukses në shumë shtete, ne e kishim në vendin tonë dhe e kemi edhe tani, për shembull, gjatë zgjedhjes së krerëve të komunave. Kryetarët e komunave zgjidhen me sistemin e shumicës, njëjtë edhe diaspora voton me modelin e shumicës. Kështu që kemi përvojë me këtë, kemi pasur përvojë edhe në të kaluarën”, tha Nikolla Gruevski, kryeministër.
Gruevski sot dha një propozim tjetër, që partisë fituese në zgjedhje t’i jepen edhe 17 mandate plotësuese, me qëllim formimin e qeverisë stabile.
“Të sjellim sistem që ekziston në disa shtete, që partia fituese të merr të themi plus 17 deputetë, që të ketë stabilitet qeveria që do të punojë. Kushdo që do t’i fitojë zgjedhjet, LSDM-ja thotë se ata do t’i fitojnë zgjedhjet, është e drejta e tyre ta thonë. Nëse besojnë vërtetë se do të jenë fitues, ne iu ofrojmë që të votojmë ligj që partia fituese pas përfundimit të zgjedhjeve merr plus 17 deputetë, dhe kështu formohet qeveri stabile dhe nuk ka arsyetim pse nuk janë bërë disa projekte”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar LSDM-ja opozitare, e cila konsideron se refuzimi i modelit me një njësi zgjedhore ka për qëllim vazhdimin e vjedhjes së zgjedhjeve.
“Nikolla Gruevski ta pranojë para qytetarëve se pse ka frikë nga kërkesa e tyre, që e mbështeti edhe LSDM-ja dhe partitë e tjera, që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore. Ndoshta, sepse i prishet shema e vjedhjes së zgjedhjeve?!”, thonë nga LSDM-ja.
Qëndrimet e tilla të Gruevskit vijnë pasi opinioni i gjerë në Maqedoni konsideronte se në bisedimet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duhet të hapet edhe çështja e ndërrimit të sistemit zgjedhor, duke e shndërruar Maqedoninë në 1 njësi zgjedhore. Këtë ide e kanë përkrahur partitë jashtëparlamentare shqiptare dhe maqedonase, por edhe LSDM-ja opozitare. Kundër kësaj ideje janë shprehur vetëm partitë e Gruevskit dhe Ahmetit. Benjamin Arifi