Dy shtetet e Ballkani që janë më të rrezikuara nga ekstremizmi i jashtëm janë Maqedonia dhe Kosova. Ky konkluzion doli nga një debat të mbajtur në Shkup, ku u tha se Ballkani Perendimor është burim kryesor i personave që luftojnë në Irak dhe Siri. Në këtë debat Profesori Universitar Dejvid Filips tha se kriza politike që është stërzgjatur në Maqedoni po e rrit rrezikun e ekstremizmit nga jashtë.
“Sipas Institutit amerikan për Paqe, rreth 314 kosovarë kanë shkuar të luftojnë në Siri dhe Irak që nga viti 2012, kurse sipas institucioneve maqedonase, rreth 300 deri 400 persona nga Maqedonia për të njëjtën periudhë kanë shkuar që të luftojnë atje. Sipas numrit të popullatës, Kosova dhe Maqedonia janë shtetet më të rrezikuara në Evropë nga radikalizmi.
Shkupi është në vendin e pestë në botë sipas numrit të popullsisë që shkojnë të luftojnë në shtetet islamike”, ka deklaruar profesori Universitar, Dejvid Filips.
Profesori u ndal edhe te Lëvizja Besa për të cilën tha se nuk është parti transparente për mënyrën e financimit dhe sipas tij kjo nuk është parti shqiptare.
Ai foli edhe për rrezikun nga ekstremizmi i jashtëm që i kanoset Ballkanit, me theks të veçantë Maqedonisë dhe Kosovës. Filips mes tjerash tha se kriza politike në Maqedoni që po zgjat me vite, e rrit rrezikun nga ekstremizmi i jashtëm.
Ndersa sipas Çejkut zgjidhja e krizës politike në Maqedonia do të minimizoj rrezikun e ekstremizmit të jashtëm.
“Uroj që të ketë një zgjidhje në dobi të qytetarëve, për të çuar përpara proceset demokratike që kanë filluar në këtë vend, dhe natyrisht për të mbyllur edhe një shteg që mundëson rryma radikale për të influencuar stabilitetin e vendit për të afërmen e afërt”, ka thënë ish ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku.
Ish diplomati shqiptarë, tha se shqiptarët gjithmonë në situata të vështira kanë reaguar si një komb ndonëse janë të ndarë në disa shtete.