Një gjykatë greke në Selanik ka miratuar kërkesën e autoriteteve maqedonase për ekstradimin e dy ish-agjentëve maqedonas të sigurisë, të akuzuar nga Prokuroria e Posaçme për përgjimin ilegal dhe shkatërrimin e materialeve, në skandalin e përgjimit të bisedave telefonike.
Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski patën arritur të largohen nga Maqedonia para pak muajsh, në kohën që ndaj tyre zhvillohej procesi gjyqësor. Ata u kapën nga mesi i muajit tetor në aeroportin e Selanikut me pasaporta bullgare, me emra të rremë, duke tentuar të arratiseshin për në Hungari.
Avokatët e Grujevskit dhe Boshkovskit janë ankimuar tek autoritetet gjyqësore greke për vendimin e ekstradimit.
Procesi gjyqësor për lëndën e përgjmeve, i njohur si “Kështjella”, përfshin edhe të akuzuar të tjerë, si ish-drejtori i shërbimit sekret Sasho Mijallkov dhe ish-ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska.
Skandalin e publikoi para tre vjetësh drejtuesi i opozitës së atëhershme, Zoran Zaev, tani kryeministër i vendit. Sipas tij, më shumë se njëzet mijë qytetarë, kryesisht politikanë, biznesmenë, gazetarë, etj. kishin qenë prej vitesh viktima të përgjimit të paligjshëm të shërbimit të zbulimit të Maqedonisë.
Në bazë të këtij skandali, Prokuroria e Posaçme ka hapur një sërë hetimesh dhe po zhvillon procese gjyqësore kundër dhjetra përfaqësuesve të ish-qeverisë Gruevski, përfshirë vetë ish-kryeministrin dhe zyrtarë të lartë të sistemit të kaluar në Maqedoni. (voa)