Grosha e Pollogut, luks për qytetarët

GroshaEdhe pse dikur Pollogu krenohej me groshën, tani është problem të gjendet në treg. Por edhe nëse gjendet çmimi do t’ju bëjë të mendoheni dy herë nëse do të blini 1 kilogram ose jo, shkruan Alsat.

Një kilogram groshe tetove, shitet për 350 denarë, në krahasim me groshën që vjen nga jashtë dhe e cila shitet për vetëm 150 denarë. Qytetarët thonë se, është bërë luks të kesh groshë vendase në tryezë.

Prodhuesit ankohen se shteti edhe pse sheh që shkon në zhdukje grosha e Tetovës, nuk ndihmon aspak.

“Jo, jo, tepër shtrenjtë është. Do hamë nga ai që importohet. S`ka logjikë kjo. Është bë luks grosha. Më lirë del mish të hash se sa groshë”, tha një banor.

“Nuk e di, mund të vendojmë por mund edhe mos vendojmë groshë. Është bë shumë rëndë, shumë luks është bë”, u shpreh një banor tjetër.

Edhe pse dikur grosha e Pollogut njihej jo vetëm në Ballkan por dhe më gjerë, kohëve të fundit ka filluar të prodhohet gjithnjë e më pak. Nuk ia vlen barra qiranë thonë bujqit e Tetovës, sipas të cilëve prodhimi i groshës është ulur për shkak të çmimeve të larta të derivateve të naftës, plehrave artificial, por edhe mungesës së fuqisë punëtore.

“Shumë pak ka, sepse nuk  e mbjellin më, sepse nuk kanë llogari. Andaj dhe a bë shtrenjtë sepse nuk e mbjell kush më. E kemi mbjell përpara, por tani kur e shohim se s’ia vlen s’ka leverdi, se mbjellim më. Fëmijët më kanë ik në kurbet. Ja sa kam mbjell, tre thasë kam nxjerrë dy i shita dhe ja kjo ka mbetur por është e jona. Unë me “shinik” i mati, pesë kam mbjell katër thasë më ka bë. Por kur t’ia bësh llogarinë e mbjelljes sa kam harxhuar, s’ia vlen, jam me humbje, më shumë kam harxhuar se sa kam fituar”, tha një bujk.

“Për momentin shumë pak gjendet, nuk ka prodhim më. Nëse para katër vitesh kemi pas katër apo pesë ton, tani kemi 300 kilogram, pra nuk ka sa duhet prodhim”, u shpreh një bujk tjetër.

Kohëve të fundit në tregjet e vendit gjithnjë e më pak mund të gjendet grosha e Tetovës. Kultivuesit thonë se, kanë ndikuar shumë edhe ndryshimet klimatike në uljen e prodhimit.

Grosha e Tetovës, njihet për vetitë e saja të mira gjatë gatimit, ndërsa është e mbrojtur edhe në Entin Shtetëror për pronësi industriale ku janë të shënuara vendi i prodhimit por edhe karakteristikat e saj./ Alsat

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>