Rasti “Monstra” i dënimit të gjashtë shqiptarëve me burg të përjetshëm për vrasjen e pesë maqedonasve, pesë vite e gjysmë më parë, pranë një liqeni artificial në Smillkovcë të Shkupit, vështirë të rikthehet për hetim nga Prokuroria Speciale, pas hedhjes poshtë të një kërkese të saj për ndryshime në ligjin për dëshmitarët e mbrojtur.
Veç këtij rasti, prokuroria nuk do të nis as hetimet për një rast tjetër të vrasjes së një të riu maqedonas, gjatë një tubimi të partisë VMRO-DPMNE të Nikolla Gruevskit, por edhe për rastin tjetër të Sopotit, ku për aktivizimin e një bombe në vitin 2002, nga e cila kishin humbur jetën dy ushtarë të NATO-s, akuzohen 11 banorë të këtij fshati, të cilët një herë ishin dënuar me mbi 150 vjet burg, por vendimi gjyqësor ishte anuluar në mungesë të provave.
Prokuroria Speciale, bazuar në bisedat e telefonatave të përgjuara të zyrtarëve, pretendon se ka dëshmi për të rinisur një hetim të ri për këto raste, por paraprakisht kishte kërkuar ndryshime në ligjin për dëshmitarët e mbrojtur, që për identitetin e tyre të dinë vetëm hetuesit, por jo edhe institucione tjera, siç qëndron në ligjin aktual.
Kundër një kërkese të tillë ishte VMRO DPMNE-ja, ndërsa disa deputetë të dy partive shqiptare, BDI dhe PDSH, nuk votuan fare, kurse disa nuk morën pjesë në seancë me qëllim që të mos ketë numra të mjaftueshëm. Ata thanë se këtë e kanë bërë pasi nisma nuk ishte drejtpërdrejt e Prokurorisë Speciale, por e Lidhjes Social-demokrate të opozitës.
Por, njohësit e çështjeve juridike thonë se me një akt të tillë, partitë në pushtet duan të fshehin autorët e vërtetë të krimeve.
“Vlerësoj se është shumë e qartë se kryerësit e veprave duhet kërkuar në radhët e tyre. Partitë në pushtet me çdo kusht tentojnë të pengojnë punën e Prokurorisë Speciale, pasi në rast se miratojnë kërkesat e saj do të dalin në shesh punët e tyre të pista.”
“Ndryshimet e kërkuara duhet të miratohen, pasi do të garantonin liri më të mëdha për dëshmitarët e mbrojtur, meqë me ligjin aktual është shumë i madh numri i institucioneve që dinë se cili dëshmitar do të ketë statusin e dëshmitarit të mbrojtur”, thotëJovan Tërpenovski, ish Prokuror Publik Republikan.
Një nga familjarët e të dënuarve në rastin “Monstra”, Bedri Ajdari, thotë se ka shumë persona që dinë të vërtetën për këtë rast, andaj atyre duhet mundësuar që ta thonë të vërtetën që njerëz të pafajshëm të mos rrinë nëpër burgje.
“Është dashur tu jepet mundësia atyre njerëzve që të dëshmojnë dhe të zbardhet rasti, me qëllim të lirimit të të burgosurve, mirëpo këta edhe këtë nuk e bënë dhe më vjen keq që në Kuvend kemi njerëz qyqarë të cilët janë të zënë peng, sepse një njeri i ditur, një parlamentar, këtë nuk do të lejonte të kalojë ashtu siç ka kaluar”, thotë Bedri Ajdari.
Edhe Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike shprehet i habitur me veprimin e partive shqiptare, të cilat, sipas tij, në vend që të ndihmojnë zbardhjen e rastit, bëjnë të kundërtën.
“Është e pashpjegueshme se si deputetët shqiptarë nuk votuan, pasi humbën një rast që ta kuptojmë të vërtetën e rasteve shumë specifike. Mosvotimi apo mospjesëmarrja e deputetëve shqiptarë tregon se ata janë të kapur në rrjetin e merimangës së Nikolla Gruevskit, se janë të shantazhuar, prandaj ata ikën dhe nuk votuan apo taktizuan. Kjo është e vërteta”, thotë Arsim Sinani
Lidhur me refuzimin e kërkesës së Prokurorisë Speciale ka reaguar edhe Ambasada e SHBA-ve, duke i konsideruar si të arsyeshme kërkesat e saj për ndryshimin e Ligjit për dëshmitarë të mbrojtur dhe për vazhdimin e afatit të hetimeve.
“Vendosja e llogaridhënies për përgjimet e paautorizuara dhe dyshimet për keqpërdorim qeveritar janë thelbësore që Maqedonia të mund të dal nga kriza e vazhdueshme. Besojmë se janë të arsyeshme kërkesat e Prokurorisë Speciale për mbështetjen e hetimit rrënjësor, të pavarur të fakteve”, thuhet në kumtesën e ambasadës amerikane. (REL)