Si financohet Lëvizja BESA e Maqedonisë? Kush e financoi fushatën parazgjedhore, selinë luksoze ku është vendosur partia, themelimin e mediave që mbështesin partinë dhe shpenzime të tjera, që për një subjekt të ri politik janë të paarritshme? Është ky një sekret publik që sot e tutje do të mbështetet edhe me prova.
Lëvizja BESA është akuzuar nga subjekte politike dhe individë se financohet me fonde të shteteve arabe, por mungesa e provave deri sot ka bërë që këto akuza të interpretohen si politike, ndonëse vetë ky subjekt i ka hedhur poshtë kategorikisht, duke mos dhënë megjithatë një argument bindës për burimin e financave të shumta të saj.
Por ja që një mori dokumentesh zyrtare të Regjistrit Qendror të Maqedonisë që i ka siguruar lajmi.net hedhin dritë mbi lidhjen e Lëvizjes BESA me një organizatë civile (fondacion) të regjistruar nën emrin “Qendra për Civilizim Islamik”, e cila, pranë institucioneve shtetërore, ka deklaruar pasuri marramendëse prej 45 milionë eurosh dhe gjithsej 796 të punësuar, dhe kjo vetëm në vitin 2010.
Po sipas këtyre dokumenteve, anëtarë dhe themelues të këtij fondacioni që është themeluar në vitin 2008, janë zyrtarë të lartë dhe deputetë të Lëvizjes BESA, fakt ky që e bën të padiskutueshme lidhjen mes këtyre dy subjekteve, transmeton lajmi.net.
Madje, edhe fillimi zyrtar me punë i fondacionit Qendra për Civilizim Islamik (viti 2013) përputhet me kohën kur përfaqësues të saj, që sot janë politikanë të Lëvizjes BESA, paralajmëruan nismën e re politike që dy vite me vonë do të kthehej në një parti që në Kuvendin e Maqedonisë do të përfaqësohet me 5 deputetë.
Po kush janë anëtarët dhe themeluesit e Qendrës për Civilizim Islamik dhe sa të ardhura ka regjistruar kjo organizatë vetëm në vitin 2010? Sa reale është që një teolog dhe një i punësuar i institucionit shtetëror të themelojnë një organizatë me 45 milionë euro pasuri, që punëson 796 persona me 500 euro pagë mesatare dhe regjistron të ardhura milionëshe?
Zeqirija Ibrahimi – i punësuar në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore, aktualisht deputet dhe themelues i Lëvizjes BESA, dhe Adnan Ismaili, themelues i Lëvizjes BESA dhe pronar i Shtëpisë Botuese Logos-A, janë dy prej pesë themeluesve të Qendrës për Civilizim Islamik. Tre të tjerët janë teologu Bajrambejamin Idrizi, teologu dhe përfaqësues i TIKA-s Sulejman Baki dhe Muhamed Jahja.
Zyrtarisht sipas dokumenteve, Adnan Ismaili dhe Bajrambejamin Idrizi janë themelues, ndërsa të tjerët janë anëtarë të Këshillit Drejtues.
Por, kjo nuk është e gjitha. Në vitin 2013 Qendra për Civilizim Islamik mbajti Kuvendin e I-rë dhe për kuvendarë caktohen teologë, gazetarë, profesorë e juristë, në mesin e të cilëve edhe Adnan Ismaili – themelues i Lëvizjes BESA, Ismail Sinani – kryeredaktor i TV Shenja, Afrim Gashi – deputet i Lëvizjes Besa, Zeqirija Ibrahimi – deputet i Lëvizjes BESA, Metin Izeti – teolog dhe ish-Sekretar i PDSH-së, Mirushe Hoxha – profesoreshë dhe ish-nënkryetare e PDSH-së, si dhe shumë të tjerë.
Pyetja që shtrohet logjikisht është: si ka mundësi që një organizatë joqeveritare përbërë prej “veprimtarëve intelektualë” të administrojë miliona euro, në një kohë që janë pikërisht intelektualët kudo në trojet shqiptare që ankohen për të ardhura të ulëta?
Qendra për Civilizim Islamik nuk e fsheh bashkëpunimin e saj me Shtetin e Katarit, pra shtetin më të pasur arab, biznesmenë, princër dhe sheikë të të cilit nuk e kanë për gjë të dhurojnë miliona. Duhet të kenë qenë po ato miliona me të cilat Qendra për Civilizim Islamik ka blerë edhe njërin prej objekteve më të vjetra osmane, për ta rinovuar më pas dhe kthyer në seli të kësaj organizate. E çuditshme që në hapjen e kësaj selie mysafir nderi do të ishte vetë presidenti Gjorge Ivanov, famëkeq për lidhjet e tij me VMRO-DPMNE-në.
Gjykuar sipas bashkëpunimeve që ka realizuar kjo organizatë, Katari dhe Turqia duket të jenë vendburimet e financave, të cilat, siç mësohet, pasi pranohen, u ndahen organizatave më të vogla që janë në varësi të Qendrës për Civilizim Islamik, duke krijuar në këtë mënyrë një oktapod të frikshëm financiar që përfshin organizata, individë, media të shumta dhe së fundmi, edhe një parti politike.
Si ka mundësi që e gjithë kjo krijesë financiaro-politike mbuluar nën petkun fetar, të “luajë valle” në mes të Shkupit pa u hetuar nga institucionet e shtetit, madje të inaugurohet edhe nga presidenti i shtetit?
Kush janë strukturat shtetërore që lejojnë hyrjen e mjeteve të dyshimta nga vendet e huaja dhe a bëjnë pjesë edhe ata në këtë rrjet financiar shumëmilionësh?
Provat se ku shkojnë këto financa, transaksionet bankare dhe dokumente të tjera, lajmi.net do t’i publikojë në mënyrë plotësuese, në artikullin e dytë kushtuar financimit të Lëvizjes BESA. /Lajmi.net/